Politike

Sherr te incineratorët, PS padit në SPAK Tabakun: Takoi Arben Krajën pa u mandatuar nga Komisioni

Java e fundit e Komisionit Hetimor Parlamentar për Incineratorët nisi me tensione të forta mes kryetares së komisionit, Jorida Tabaku dhe nënkryetares socialiste, Ermonela Felaj.

Shkak i përplasjes u bë takimi që pati Jorida Tabaku me kreun e SPAK, Arben Kraja para nisjes së kësaj mbledhje. Sipas nënkryetares Ermonela Felaj takimi është bërë i pamandatuar nga Komisionit dhe akuzoi Tabakun se ka kryer dy shkelje.

“Sikurse e ka bërë publike media dhe vetë ju, ju keni shkuar pranë SPAK si kryetare e këtij Komisioni pa qenë e mandatuar. Veprimi juaj është në kundërshtim të hapur me ligjin e komisioneve hetimore të Kuvendit, që ju detyrojnë juve që të mos ushtroni asnjë tagër që ju jep ligji pa mandatimin e Komisionit. Për këtë arsye ne anëtarët e këtij komisioni kemi vendosur që t’i drejtojmë një kallëzim penal SPAK për shtetasen Jorida Tabaku për dy vepra penale, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorim detyre”, tha Felaj.

Për këto arsye, socialistët kërkuan që Jorida Tabaku të mos vazhdonte më me mbledhje. Por, Tabaku iu kundërpërgjigj duke deklaruar se pas Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos do ta përballojë edhe padinë e Ermonela Felajt. Kryetarja e Komisionit tha se Felaj është në konflikt interesi, sepse ka firmosur për incineratorët dhe vijoi me mbledhjen.

E para që ishte thirrur për të dëshmuar ishte administratorja e incineratorit të Tiranës, Ariola Kodra. Kjo ishte hera e tretë që administratorja thirrje për të ridëshmuar në Komision. Por, edhe këtë herë nuk u paraqit. Kryetarja Tabaku tha se do të kërkohet shoqërimi me forcë i saj.

Seanca vijoi me marrjen në pyetje të Valbona Ballgjinit, që në kohën e dhënies së koncesionit të incineratorit të Tiranës ishte anëtare e Komisionit të Prokurimit si përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit. Ballgjini tha se nuk mund të dëshmojë para deputetëve pasi kishte dëshmuar në SPAK disa herë.

Nga PD i kërkuan një dokument nga SPAK që të vërtetonte deklaratën e saj. Ballgjini nuk e kishte një të tillë, ndërsa nga PD dyshojnë se arsyetimi i saj mund të përdorej për t’iu shmangur marrjes në pyetje dhe i kërkuan që të firmosë një deklaratë me arsyetimin e plotë të refuzimit të dëshmisë.

Ish - anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës refuzon dëshminë, Tabaku i kërkon firmosjen e arsyes së refuzimit të saj.

E thirrura e dytë për të dëshmuar në komision, znj.Valbona Ballgjini, ish anëtare e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, refuzon të dëshmojë për shkak të dëshmisë së saj të mëparshme në SPAK.

Kryetarja e Komisionit Hetimor, znj.Jorida Tabaku i bën me dije se refuzimi për të dëshmuar në këtë komision është vepër penale.

Ndaj, Tabaku i kërkoi znj. Ballgjini që të firmosë një shkresë mbi arsyet e refuzimit të saj.

Kryetarja e Komisionit Hetimor, mbylli pjesën e parë të mbledhjes, duke bërë me dije se mbledhja vijon në orën 13.00 me dëshminë e kryetares së Bashkisë Durrës, znj.Emiriana Sako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë