Politike

Burg për karantinën? Shoqëria civile: Shkel të drejtat e njeriut. Antikushtetuese! Reagon Rama

Organizatat e shoqërisë civile deklarojnë se propozimet e Partisë Socialiste për të ndërhyrë në Kodin Penal dhe për të ndëshkuar me burg të gjithë ata persona që shkelin masat kufizuese për luftimin e epidemive cenojnë të drejtat themelore të njeriut.

Deklarata mban vulën e 30 organizatave, që rendisin pesë arsye se përse, sipas tyre, propozimet në fjalë për parandalimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.

Në pikën e parë, organizatat gjejnë shkelje që në procedurën e përshpejtuar për miratimin e këtyre ndryshimeve. “Duke qenë se Kodi Penal bën pjesë në kategorinë e akteve që miratohen me shumicë të cilësuar, ndryshimet e tij nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar”, thuhet aty.

Si pikë të dytë, organizatat e shoqërisë civile thonë se aktet dhe urdhrat e miratuara nga Qeveria për masat e ndërmarra në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që parashikojnë ndëshkime administrative, por jo burg, janë të mjaftueshme.

Së treti, shoqëria civile mendon se propozimet janë shumë të ashpra dhe cenojnë të dinjitetin njerëzor.

“Këto dënime janë jopropocionale, pasi çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit. Dënimi penal i çfarëdolloj natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Ndërkohë, dispozitat që kërkohen të miratohen në Kuvend kanë si qëllim vetëm ndëshkimin për efekt të parandalimit të përhapjes së infeksionit Covid 19”, thuhet në deklaratë.

Së katërti, organizatat e shoqërisë civile vërejnë paqartësi në hartimin e draftit ligjor. “Në këto dispozita është shqetësues fakti që nuk bëhet asnjë dallim sa i takon subjektit që kryen këto vepra nëse është mbartës ose jo i sëmundjes infektive. Formulime të tilla mund të çojnë në vlerësime të ndryshme arbitrare dhe në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve”, thekson deklarata.

Në fund, organizatat e shoqërisë civile deklarojnë se parashikimi edhe me gjobë edhe me burg për subjektet që potencialisht mund të gjykohen sipas këtyre propozimeve të socialistëve është antikushtetues.

“Sjellim në vëmendje se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.47 të vitit 2012 ka deklaruar antikushtetues dhënien e dënimit kryesor me gjobë, krahas dënimit me burg. Ky parashikim nuk është në proporcion me gjendjen që e ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit e si rrjedhojë me parimin e dhënies së drejtësisë nga ana e gjykatës, pasi i heq kësaj të fundit mundësinë e përcaktimit, rast pas rasti, të dënimit penal sipas rrethanave të çështjes konkrete në shqyrtim”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

Shoqëria civile kujton gjithashtu se organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut po rekomandojnë gjithnjë e më shumë uljen e popullatës në sistemin e burgjeve dhe aplikimin e dënimeve alternative më të lehta, që synojnë riedukimin e qytetarëve.

Propozimet në fjalë, 30 organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri i vlerëson në kundërshtim me këto rekomandime ndërkombëtare dhe i kërkojnë Kuvendit që të rrëzojë në parim ndryshimet e propozuara.

“Në përfundim, ne besojmë se parimi i humanizmit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor i sanksionuar që në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duhet të mbizotërojë mbi çdo nismë që shqyrtohet në Kuvend, aq më tepër në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, thonë në deklaratën e përbashkët organizatat e shoqërisë civile.

Rama: Nëse keni propozime, bëjini!

Kryeministri Edi Rama është shfaqur i habitur nga ky qëndrim i shoqatave të shoqërisë civile.

“Shoqatat s'duan asgjë në Kodin Penal për mbrojtjen nga epidemia?!Po daljen e njerëzve nga shtëpia e duan?!Po rivënien në lëvizje të ekonomisë e duan?!Po rrezikun e infeksionit kur hapemi e kanë menduar?!E pra, nuk kemi rrugë tjetër për t'u hapur pa rrezikuar të humbim gjithçka!”, shkruan ai në Twitter.

Rama i fton shoqatat që nëse kanë propozime konkrete për përmirësime të mos humbasin kohë dhe t’i bëjnë.

“Sepse s'mund të jemi i vetmi vend në planet që s'ka asgjë në Kodin Penal për të mbrojtur popullin nga kërcënimi i jetës, në kushtet e epidemisë! Përmirësime po, tërheqje as që bëhet fjalë fare”, thekson Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë