Politike

‘Shteti po fal Zvërnecin?’, Rama: Lajm i rremë, ajo është një pronë private!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot zërave se shteti shqiptar u ka falur investitorëve tokën në Zvërnec të Vlorës, pas ndërtimit të një resorti atje, që ngjalli protesta dhe nga banorët e zonës.

Rama e quajti një lajm të rremë, pasi shteti sipas tij nuk ka pjesë aty duke thënë se është një pronë private.

Sipas tij, investitorët e përfshirë në proces janë seriozë.

Më vjen të them diçka mbi këtë zhurmën e një lajmi të rremë me demek që shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë. Ajo është një pronë private dembabadem.

Dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë tejet seriozë të cilën atë pronë e kanë marrë nga privatët. Shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit ishullin e Sazanit, ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Dhe toka e ishullit do jetë aty e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë.

Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Policia gjatë protestës së banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, më 23 majit para gardhit me tela me gjemba të rrethimit në Zvërnec

Kundërshtarët e projektit këto ditë janë shprehur të shqetësuar se ndërhyrja po realizohet në një zonë të mbrojtur dhe kanë paralajmëruar pasoja të mundshme mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë