Art dhe Kulture

“Bukurshkrimi”, një reflektim mbi marrëdhëniet mes gjuhës dhe pushtetit

Nga Luljeta Nelallari - Një bankë e vjetër shkolle dhe dy fletë bronzi të mbështetura mbi të. Mbi fletën e parë disa shënime fëmije e në tjetrën disa fjalë të shkruara bukur... është ky instalacioni, vepra “Bukurshkrimi” që u inaugurua te sheshi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave (mbrapa Katedrales Ortodokse), duke shënuar një rikthim të ri të artistit kontemporan, Adrian Paci.       

Kësaj vepre i qëndrojnë anash dy ministri, përballë ka Katedralen Ortodokse, e nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar. Ndërkohë, duket sikur ky punim marrëdhënien më të vecantë, më intime, e ka me një pemë, që qëndron në mes të këtij sheshi të vogël.

Në veprën e tij, artisti Adrian Paci shpesh trajton temën e kujtesës, të nostalgjisë dhe të ndarjes, tema të kahershme dhe njëkohësisht aktuale që përmes krijimit të një imazhi angazhues të formës vazhdimisht të ndryshueshme të jetës dhe të artit.

Janë pikërisht disa shënime të vitit 1975, shkruar nga Adrian Paci në vitin e parë shkollor, e ajo çka shkruhet në to, tregon forcën e propagandës komuniste, që i imponohet një 6-vjeçari. Ndërkohë që vepra e artit vjen sot, që siç thotë artisti vijnë “si një gjurmë e reflektimit të mëvonshëm”.

Mbi njërën fletë janë disa shënime që nuk janë fjalë, por pikënisje e një artikulimi, e mbi tjetrën lexohen të shkruara bukur disa fraza: “Tirana është kryeqyteti ynë”; “Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”; “Tirana po zbukurohet dita-ditës”.

Por pse është vendosur ky punim në një hapësirë publike? Artisti Paci thotë për gazetën “Si”, se ajo ka lindur në një marrëdhënie me atë hapësirë.

“Punimi im ‘Bukurshkrimi’ nuk asht vendosë, por ka lindë në marrëdhënie me atë hapsinë, pra asht mendue pikërisht në atë hapsinë specifike. Nga organizatorët më janë prezantue disa hapsina të mundshme dhe unë zgjodha këtë, masi mu duk ma e përshtatshme. Aty mandej nisi reflektimi mbi ndërhymjen e mundun dhe mori formë vepra”, shprehet Paci për gazetën “Si”.

Artisti Adrian Paci

Artisti thotë se kjo vepër ka ardhur para syve të publikut për të ngjallur një reflektim të brendshëm mbi marrëdhëniet mes gjuhës dhe pushtetit.

“Gjithçka asht para syve të publikut. Një bankë shkolle, gjysma ne dërrasë e gjysma në çemento, dy fletë bronxi. Në njenen disa shenja fillestarë të hapun ndaj çdo mundësie e në tjetrën disa fraza të diktueme nga nalt e që mbartin shijen e propagandës. Synimi asht me i prezantue publikut dhe me nda me të një reflektim te mbrendëm mbi dinamikat e marrëdhanieve mes gjuhës dhe pushtetit, mes mësimit dhe kufizimit të dijes, mes së bukurës si përshtatje me kodet dhe mundësisë për të mendue përtej kodeve të parafabrikueme”, shprehet Paci, ndërsa shton se “Gjuha asht vazhdimisht nën trysninë e manipulimit nga pushteti ashtu sikur edhe gjuha si kod ka një pushtet të vetin e i ofrohet shprehjes si mundësi, por edhe si kufizim”.

Një element tjetër që artisti veçon është dimensioni intim i kësaj vepre.

“Element tjetër i punës asht dimensioni i saj intim, i vogël fizikisht, por edhe fakti se nuk asht një punë e cila vetëm soditet, por edhe mund të përdoret duke u ulë në të”, vijon ai.

Në njërën fletë janë shënime fëmije dhe në tjetrën fjalë të shkruara qartë, gati-gati një përqasje e të kundërtave, por artisti i sheh ato si dy momente të një procesi.

“Ato dy fletë janë pjesë të një fletoreje, pra dy momente të një procesi, ku nga njena anë tek fëmija fiton terren dija e shkrimit e nga ana tjetër humbet diçka nga liria e ashpër e shkarravitjeve”, shprehet ai dhe thekon faktin se “ndoshta vepra shpreson me mbajtë gjalle një vibrim të vazhdueshëm mes ketyne dy opsioneve në kërkim të një hapsine të tretë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë