Para

BSH: Forcimi i lekut, konsolidim i ekonomisë shqiptare

Monedha kombëtare lek që prej 2015-ës ka nisur të forcohet duke e përshpejtuar këtë kurs gjatë vitit që lamë pas. Ndërsa për monedhën e përbashkët europiane viti 2018-të ka qenë tepër i vështirë.

Këtë fenomen Banka e Shqipërisë me këmbëngulje e shpjegon me rritjen e treguesve ekonomikë të vendit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e katërt, një euro është këmbyer mesatarisht me 124.5 lekë, ose 1.2% më pak krahasuar me një tremujor më parë.

BSH e argumenton këtë ecuri me efektin sezonal që karakterizon fundin e vitit dhe në veçanti muajin dhjetor, ku si pasojë e festave, oferta në valutë është shtuar. Gjithashtu, të dhënat nga sektori i jashtëm, thotë BSH, tregojnë për prurje më të larta valutore nga aktiviteti eksportues i bizneseve në tremujorin e katërt.

Banka e Shqipërisë shprehet se pothuajse nuk ka qenë e pranishme në tregun valutor. Luhatjet ditore të kursit për Bankën Qendrore, kanë qenë pranë niveleve minimale dhe diferenca midis çmimit të blerjes dhe shitjes për euron i është përmbajtur normalitetit të tremujorit të katërt. Krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2017, një euro kushtonte mesatarisht 6.8% më pak.

Kursi i këmbimit të dollarit amerikan; për tremujorin e katërt ka qenë një USD mesatarisht 109 lekë, ose 0.6% më shumë se në tremujorin e tretë. Mbiçmimi i monedhës së gjelbër në tregun vendas, sipas shpjegimit të BSh-së, ka reflektuar forcimin e tij ndaj monedhës europiane në tregjet ndërkombëtare në tremujorin e katërt. Ecuria më e mirë e ekonomisë amerikane, normalizimi i politikës monetare të Rezervës Federale, si dhe pritjet për forcim të mëtejshëm të tij, duket se kanë mbështetur forcimin e dollarit gjatë këtij tremujori1. Megjithatë, në terma vjetorë, dollari amerikan vijon të jetë i nënçmuar kundrejt lekut me mesatarisht 3.9%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017.

Banka e Shqipërisë sqaron faktorët përcaktues të kursit të këmbimit ku Leku ka shfaqur një trend të qartë forcimi kundrejt euros në tregun e brendshëm financiar.
“Forcimi i kursit të këmbimit ka qenë në fokus të analizave të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë synuar në vazhdimësi të identifikojnë faktorët e forcimit, duke dalluar midis faktorëve fondamentalë të cilët sjellin lëvizjen e kursit në nivele të reja ekuilibri, dhe faktorëve specifikë e afatshkurtër të tregut valutor, të cilët sjellin shmangien e kursit nga këto nivele ekuilibër. Një identifikim i tillë mundëson më tej vlerësimin e ndikimit të forcimit të kursit në ekonomi dhe inflacion dhe, mbi bazën e tyre, në formulimin e reagimit të Bankës së Shqipërisë.”- citon Banka Qendrore.

Në optikën afatmesme e afatgjatë, forcimi i kursit të këmbimit për Bankën, është në përputhje me teorinë ekonomike dhe faktorët makroekonomikë.Trendi forcues i kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë në tregun e brendshëm financiar.

Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ilustrohet nga:


− ngushtimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, kryesisht në reflektim të zgjerimit të shpejtë të eksporteve shqiptare;
− hyrja e lartë e valutës në vend, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, por edhe në formën e remitancave

Po ashtu, normat e ulëta të interesit të valutës kanë rritur interesin për të kursyer në lekë, qoftë në formën e depozitave apo në atë të letrave me vlerë të qeverisë .

Në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit që aplikohet në vendin tonë, rritja e ofertës së valutës shpjegohet të ketë përcaktuar trendin forcues të monedhës vendase.

Modelet e analizës dhe parashikimit të kursit të këmbimit tregojnë se ecuria e kursit të këmbimit gjatë viteve 2015-2017 nuk ka pasur shmangie të mëdha nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë.

Në optikën afatshkurtër, forcimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2018 ishte më i fortë se ritmi i përmirësimit të faktorëve të lartpërmendur. Në vlerësimin tonë, forcimi i kursit pasqyroi zhvillime specifike të tregut të brendshëm valutor, të lidhura me konvertimin e kapitalit në disa banka të sistemit, me disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BERZH-it, si dhe me krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. Këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm, të kërkesës dhe ofertës për valutë. Faktorët e mësipërm sollën një forcim të shpejtë të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018, dhe shmangien e tij nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë.

Parashikime treguan se vijimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit me ritme të përshpejtuara do të rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm, prandaj BSH sqaron sepse ndërhyri në treg duke ulur normën bazë të interesit në muajin qershor dhe në formën e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në tregun e brendshëm valutor. Sipas BSH-së, u arrit të stabilizohet ecurina e kursit të këmbimit dhe të krijohen premisat për funksionimin normal të këtij tregu.
Vlerësimet aktuale të BSh-së sugjerojnë se rreziqet e kursit mbi objektivin e inflacionit kanë ardhur në reduktim.

 

Më Shumë