Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka kërkuar Europës të ndryshojë "epideminë" e saj të obezitetit, e cila vlerëson se po shkakton të paktën 1.2 milionë vdekje në vit.
Gati 60 për qind e të rriturve dhe pothuajse një e treta e fëmijëve në të gjithë Europën janë mbipeshë ose obezë.
Megjithatë, OBSH thotë se tendenca mund të ndryshohet dhe dy nga vendet më të prekura të Europës tashmë po provojnë zgjidhje premtuese.
Shkatërrimi i ushqimeve të yndyrshme
OBSH u ka kërkuar prej kohësh vendeve që të heqin dorë nga pijet me sheqer dhe ushqimet yndyrore për të luftuar mbipeshën dhe diabetin e tipit 2, por kurrë nuk janë marrë masa për këtë pasi duhen plane që mos të dëmtojnë bizneset dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Megjithatë, ka shenja inkurajuese se ndryshimi mund të jetë rrugës duke përfshirë Britaninë e Madhe, e cila renditet si vendi i katërt më i keq në raportin e OBSH-së.
Në prill, u prezantua etiketimi i detyrueshëm i kalorive për restorantet, kafenetë dhe ushqimet në Angli.
Nga tetori, qeveria do të ndalojë ofertat me shumë blerje të tilla si "blej një, merr një falas" ose "merr 3, paguaj 2" për ushqime dhe pije që janë të pasura me yndyrë, sheqer dhe kripë. Supermarketet nuk do të lejohen më të promovojnë ushqime dhe pije jo të shëndetshme në vende kyçe si hyrjet e dyqaneve dhe arkat.
Një politikë e re që kufizon reklamimin e ushqimeve dhe pijeve të pasura me kripë, yndyrë dhe sheqer para orës 21:00 në TV do të prezantohet gjithashtu deri në vitin 2023.
Këto ndryshime të politikave rekomandohen të gjitha nga OBSH, e cila gjithashtu po u kërkon qeverive të ndalojnë përhapjen e pikave të shitjes së ushqimit në lagjet me të ardhura të ulëta.
Ushqimi i shëndetshëm në shkolla
Zakonet e pashëndetshme të të ngrënit fillojnë që herët në jetë dhe prandaj duhet të merren masa që në fëmijëri.
Gati 30 për qind e fëmijëve në të gjithë Europën janë mbipeshë ose obezë, duke bërë që OBSH tu kërkojë shteteve që të luftojnë promovimin e produkteve ushqimore të pashëndetshme tek të rinjtë dhe të kufizojnë "përhapjen e lojërave në internet".
Në Greqi, mbi 40 për qind e fëmijëve janë mbipeshë dhe gati një në pesë janë obezë, ndër normat më të larta në Europë.
Por për dekadën e fundit, një organizatë bamirësie ka ofruar ushqime falas dhe të shëndetshme në të gjithë shkollat më të paprivilegjuara të vendit në një përpjekje për të luftuar pasigurinë ushqimore dhe obezitetin.
Programi, i quajtur DIATROFI ("ushqyerja" në greqisht), u nis në vazhdën e krizës së borxhit të vendit dhe recesionit, kur mësuesit filluan të shihnin nxënësit që kishin probleme sepse shkonin në shkollë me stomakun bosh.

Deri më sot, organizata ka shpërndarë mbi 17 milionë vakte falas për rreth 120,000 nxënës në 800 shkolla në të gjithë vendin dhe është cituar nga OBSH si një mënyrë shembullore për të inkurajuar zgjedhjet e të ushqyerit të shëndetshëm që herët në jetë.
Mëngjeset e bollshme, të krijuara me kontributin e nutricionistëve, shpërndahen deri në orën 9 të mëngjesit dhe përfshijnë një sanduiç ose produkte të tjera të shëndetshme, fruta të freskëta sezonale dhe qumësht ose kos me mjaltë.
Ushqimi u ofrohet falas të gjithë nxënësve në shkollat që janë pjesë e programit, pavarësisht nga formimi i tyre socio-ekonomik, për të parandaluar bullizmin.
Programi gjithashtu ofron materiale edukative, libra, lojëra dhe aktivitete të tjera për nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit në temën e ushqyerjes së shëndetshme.
Instituti Prolepsis, i cili drejton projektin, thotë se arrin mesatarisht çdo vit një reduktim prej 40 për qind në normat e obezitetit tek fëmijët dhe një të tretën e uljes së niveleve të mbipeshës në shkollat që kujdeset.
Me fjalë të tjera, gati gjysma e fëmijëve që e nisin vitin shkollor si obezë, nuk i përkasin më asaj kategorie kur vijnë pushimet verore.
Ata zakonisht mbeten mbipeshë, por rreth 8.5 për qind që ishin obezë, dobësohen deri në pikën e arritjes së një peshe normale.
Athena Linos, presidente e Institutit Prolepsis tha se ka ende vend për përmirësim kur bëhet fjalë për kontrollin e ushqimeve të tjera që mund të hyjnë në shkollat greke, si pijet joalkoolike me përmbajtje të lartë sheqeri. Si dhe kufizimin e reklamave televizive për ushqimet e pashëndetshme, veçanërisht gjatë transmetimeve të programeve që synojnë fëmijët.
Burimi: Euronews. Përshtati: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.