Libra

Botohet ekzemplari i parë i veprës së plotë të Kadaresë, Hudhri: Realizimi i një ëndrre tridhjetëvjeçare

Nga Gazeta Si - Shtëpia botuese “Onufri” ka botuar ekzemplarin e parë të veprës së plotë të shkrimtarit Ismail Kadare.

Ekzemplari ka dalë sot nga shtypshkronja e “Onufrit”, dhe do të paraqitet nesër në sallën Albania në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, ku për herë të parë Shqipëria është “vend mik” (“paese ostite”).

Drejtuesi dhe themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri, ka njoftuar publikun dhe lexuesin shqiptar për këtë botim dinjitoz dhe shprehet se janë shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime, të cilat botuesi i ka quajtur realizim i një ëndrre tridhjetëvjeçare.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Hudhri shprehet se në vitet 2007-2009, “Onufri” e botoi në njëzet vëllime krejt krijimtarinë e deriatëhershme të Kadaresë.

Sipas tij, ideja për një version të ri prej shtatë vëllimesh të veprës së plotë u diskutua më 28 nëntor 2012, kur Kadareja shfletoi për herë të parë arkivin personal, në apartamentin e tij në Tiranë.

“Edhe numri shtatë i volumeve u zgjodh nga vetë autori. Fillimisht u mendua që e gjithë vepra e plotë prej njëzet vëllimesh të përmblidhej në gjashtë volume, ndërsa i shtati të ishte arkivi i pabotuar. Por Kadareja u tregua rreptësisht përzgjedhës me krijimtarinë e pabotuar, sikundër do të shprehej vetë, diku, vite më vonë: ‘Romanet e mia kishin qenë diçka e gabuar, përderisa kishin lindur jashtë kohës së lejuar për letërsi’. Kadareja veçoi nga arkivi një krijim të cilin e pagëzoi si zanafillën e veprës së tij letrare. Ishte novela ‘Në dheun e panjohur’, e cila në faqen e parë mban datën 8 tetor 1953, duke përkuar këtë vit me shtatë dekada krijimtari të autorit. Meqenëse për këtë botim është ndjekur kriteri kronologjik, vëllimi i parë hapet pikërisht me këtë novelë”, shkruan botuesi Hudhri në Facebook.

Për botuesin ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj.

Hudhri ndan edhe momente nga puna me shkrimtarin, ku veçon procesin e botimit të krijimeve të reja.

“Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar ‘Juvenilja’, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon”.

Ndër të tjera, botuesi Hudhri shkruan se “nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, kudo në botë, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë