Treg

‘Botërori’ në Shqipëri dhe kudo po sfidon marrëdhënien e gjatë mes birrës dhe futbollit

Nga Gazeta 'Si' - Lidhja midis birrës dhe ngjarjeve sportive ka qenë tradicionalisht e fortë, por ky Botëror, nuk duket të jetë rasti. As në botë dhe as në Shqipëri.

Atipizmi nis me zhvillimin e tij për herë të parë në muajin nëntor, ku temperaturat relativisht të ftohta (përjashtuar këtu Katarin, vendin pritës) nuk të ftojnë aspak për të konsumuar një gotë birrë.

Botërori është lidhur historikisht me stinën e verës, ku sheshet shndërroheshin në vende hareje e ku rrëkëllëhej me gërrqe të gjata birra. Panoramë, që nuk e has këtë vit.

Nëse merr rrugën drejt sheshit “Skënderbej” për të parë një nga ndeshjet e ditës në dy “Fun zone-t” e improvizuara aty, kamerierët nga banaku, pesimistë të thonë që konsumi është i dobët.

Sipas tyre, përpos temperaturave të ftohta ka ndikuar dhe fakti që “ndeshjet nuk kanë qenë shumë emocionuese dhe njerëzit gjatë kohës që luhen ndeshjet e ditës, janë përgjithësisht në punë.”

Njëri nga ta, i apasionuar pas futbollit, tifoz me Brazilin, tha për Gazetasi.al se birra po preferohet në nivele shumë të ulëta.

“Gjatë verës njerëzit ka më shumë gjasa që të jenë me pushime dhe kanë mundësi që të ndjekin edhe ndeshjet e ditës, gjë që tashmë nuk ndodh sepse pjesa më e madhe e tyre janë në punë deri në orën 18:00.

Pra konsumi gjatë ditës është thuajse i papërfillshëm. Gjatë darkave, zakonisht fillojnë të vijnë për ndeshjet e orës 20:00, por nuk i preferojnë shumë birrat për shkak të temperaturave të ftohta”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se xhirot ditore lënë shumë për të dëshiruar krahasuar me periudhën e “Europianit”, kur ndeshjet zhvilloheshin gjatë verës.

Të njëjtën gjë pohojnë edhe nga kioska ngjitur.

“Mund të jetë Botërori më i pazakontë lidhur me shitjet dhe konsumin. Qytetarët më shumë i shohin ndeshjet në ambiente të brendshme dhe jo jashtë.

Gjithashtu kanë një tendencë për të konsumuar produkte më të lira për shkak të çmimeve të larta”, thonë ata.

E njëjta situatë reflektohet edhe në bar-et e tjera rreth kryeqytetit. 

Në disa prej tyre në “Rrugën e Salës”, banakierët thanë për Gazetasi.al se njerëzit janë prirur që t’i shohin ndeshjet më shumë në shtëpi dhe nuk ka aq shumë konsum sa ç’pritej në fillim të Botërorit. 

Ndryshimin e sjelljes konsumatore për Gazetasi.al e pranon edhe Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve i cili shton se që pas pandemisë njerëzit patën tendencën të mos frekuentojnë aq shumë bar-et. 

Konsumi i birrës që kishte rënë ndjeshëm që në verë, po i mban pesimistë edhe prodhuesit shqiptarë të birrës që shpresonin të korrnin disa fitime më shumë këtë periudhë, ashtu siç parimisht me evente të tilla sportive supozohet të ndodhë.

Përpos kërkesës së ulët, kostot për ta po bëhen të papërballueshme.

Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës i thotë me shqetësim Gazetasi.al se ndonëse kostot e lëndëve të para janë shtrenjtuar deri në 45%, birrat shqiptare po shiten vetëm 3.6% më shtrenjtë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

Rritje që sipas tij nuk po mundet t’i amortizojë dot kostot e rritura të prodhimit.

“Qelqi është shtrenjtuar me 70% dhe njëkohësisht edhe lëndët e tjera si elbi dhe kartoni ambalazhues janë rritur 30% secila në tregjet e huaja. Ajo që na shqetëson më shumë është sigurisht shtrenjtimi i naftës e cila përbën rreth 12-15% të kostove tona të produktit. Fuqia blerëse është goditur fort nga rritja e çmimeve dhe kjo vazhdon ta mbajë të zvogëluar konsumin mesatarisht 10 deri në 15%”, tha ai për Gazetasi.al.

Edhe në botë, situata është pak a shumë po njësoj.

Në një analizë, Financial Times thotë se pritja e një turneu të madh zakonisht shton një mesatare prej 1.4 për qind në shitjet e birrës të vendit pritës. Por jo këtë vit.

Edhe pse temperaturat janë tepër të larta në Katar, si një vend mysliman, alkooli nuk është pjesë e kulturës së tyre. Vendi pritës i Kupës së Botës e ka ndaluar përdorimin e birrës në stadiumet e tij.

Por, konsumi edhe në vende “birradashëse” si Franca apo Britania e Madhe, vijon të jetë i ulët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë