Ngjarje

Bota e ka lënë Jemenin të vdesë

Fotot ekskluzive hedhin një vështrim të rrallë brenda shtetit, lufta civile e të cilit i ka ngërthyer qytetarët në një jetë me dhunë dhe sëmundje

Në një pavijon të dedikuar të spitalit Al-Nasser, foshnjat trajtohen për kequshqyerje – janë vetëm dy nga 1.8 milionë fëmijët e kequshqyer në gjendje të rëndë, nën moshën pesë vjeçare. Ministria e rrënuar e Shëndetësisë së Jemenit mbështetet tek organizatat humanitare për të siguruar kujdes mjekësor.

Gruaja e re është transportuar në spital, në orën nëntë e gjysmë të mëngjesit. Njëzet minuta më herët, ajo po nderte teshat, kur një bombë ra në oborrin e saj, në periferinë e Taizit, një qytet antik, në jugperëndim të Jemenit. Një burrë u mbulua në gjak, i afërmi i saj, ulërinte ndërsa mjekët e shpunë me shpejtësi drejt qendrës së traumës. “Të dyja këmbët? ” pyeti ai, kur mjekët u kthyen dhe bënë me shenjë për t’i treguar se ku mund ta amputonin. Një këmbë ishte copëtuar; tjetra kishte një kockë të dalë. Të dyja, pohuan mjekët. U fut në një ambulancë dhe u dërgua në një tjetër spital. Më pas, pati heshtje. Infermieret pastruan gjakun nga dyshemeja dhe pritën pacientin tjetër.

Foto e një babai që mban të birin foshnjë, mbështjellë me një shall të gjelbër, në Spitalin Nëna dhe Fëmija, pasi foshnja u mjekua për infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. Mjekët dhe infermieret janë arratisur nga Jemeni, duke i spitalet pa staf. Shumë nga kolegët e mi janë larguar ose po rreken të udhëton në shtetet e Gjirit, në kërkim të një jete më të mirë”, thotë një mjek nga Jemeni, i cili punon në Sana.

https://pmdvod.nationalgeographic.com/NG_Video/432/75/1259951171882_1529504266732_1259989571860_mp4_video_1024x576_1632000_primary_audio_eng_3.mp4

Periferitë e Taizit të kontrolluar nga rebelët kanë kaluar disa prej luftimeve më të rënda të vendit. Për ata të zhvendosurit në këtë zonë, shtëpia mund të jetë një strehë e sajuar apo një dhomë me qira.

Atë natë, Matteo Bastianelli, një fotograf italian i cili e pa skenën, shkroi në ditarin e tij rreth jetës në Taiz, pas tre viteve nën rrethim: “Mjekët presin, me gjëmimet e avionëve në veshë dhe pluhurin në sy, duke jetuar me frikën se diçka e tmerrshme dhe e pakthyeshme mund të ndodhë, në çdo çast.”

Dikur i njohur nga romakët si Arabia Felix, “Arabia Fatlume,” Jemeni ishte një port strategjik në hyrje të Detit të Kuq, i pasuruar prej erëzave dhe parfumeve. Sot është një prej shteteve më të varfër në botë. Deri më 1990-ën, Jemeni i veriut dhe i jugut qeveriseshin ndarazi dhe kjo ndarje vazhdonte të ushqente konfliktin. Në fund të 2014-ës, rebelët separatistë Huthi rrethuan kryeqytetin, Sana ,në një përpjekje për grusht shteti. Me frikën e një tronditjeje rajonale, Arabia Saudite fqinje ndërhyri në emër të ish-qeverisë së presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi. Me mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe dhjetëra shtete arabe, koalicioni i udhëhequr nga sauditët ndërmori një fushatë ajrore, për të ndihmuar qeverinë e Jemenit të mbante pushtetin në zonat më të mëdha të vendi.
Veriu dhe jugu i Jemenit u qeverisën ndarazi derisa vendi u bashkua më 1990-ën. Tensionet mes fraksioneve politike shpërthyen më 2014-ën, duke krijuar atë që Kombet e Bashkuara e quajnë si katastrofa më e keqe humanitare në botë.


 

Pas tre vitesh luftimi, shifrat janë befasuese: në një shtet me afro 29 milionë banorë, 22 jemenas janë në nevojë për asistencë humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara. Dy milionë janë zhvendosur. Të paktën 10 mijë janë të vdekur. Me një ekonomi dhe sistem shëndetësor të shkatërruar, jemenasit marrin vendime të dëshpëruara për të marrë trajtim mjekësor. Disa ndërmarrin udhëtime ndërkufitare drejt spitaleve të drejtuar nga grupet humanitare; të tjerë shpenzojnë kursimet në klinika private. Më shumë se gjysma e spitaleve të Jemenit janë mbyllur ose funksionojnë pjesërisht dhe ndonjëherë, administratorët duhet të zgjedhin të blejnë barna dhe pajisje mjekësore apo karburant për gjeneratorët. Sëmundjet infektive si kolera apo difteria janë të papërmbajtshme, duke reflektuar mungesën e ujit të pijshëm dhe të tjera shërbime bazë të qeverisë.

https://pmdvod.nationalgeographic.com/NG_Video/433/551/1259952707945_1529503990513_1259990083904_mp4_video_1024x576_1632000_primary_audio_eng_3.mp4
Në Ad Dali jeta vazhdon, pavarësisht luftës civile katërvjeçare.

Përpara 2015-ës, e sapondërtuara godinë pesëkatëshe me gurë të bardhë, në të dalë të Taizit, ishte menduar të bëhej hotel. Më pak se dy milje pas frontit të betejës, tashmë është një maternitet dhe qendër traume, i drejtuar nga Mjekët Pa Kufij. Pas barrierës prej betoni, foshnjave të paushqyera u jepet për të ngrënë, pacientët e kolerës përmirësohen dhe viktimat e luftës mjekohen: djem të vegjël të goditur me predha ndërsa luajnë në oborre, vetë roja e spitalit u godit nga një predhë, ndërsa psoniste.

Radhë të gjata për të mbushur bombolat janë pamje e zakonshme, në pikat e karburantit. Qysh prej 2015-ës çmimet e karburantit janë më shumë se dyfishuar dhe vendi ka humbur më shumë se 40 përqind të GDP-së. “Katastrofa ekonomike është edhe më e keqe se vrasjet”, thotë Radhya Almutawakel, bashkëthemeluese e Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Mwatana.

Qindra shkolla si kjo në Ad Dali janë shkatërruar nga sulmet ajrore. Aktualisht dy milionë fëmijë në moshë shkolle nuk janë regjistruar në shkolla.

Mjekët dhe të tjerë punonjës të shëndetit në spitalet publike nuk janë paguar qysh prej vitit 2016. Grupet humanitare po mbështesin ministrinë e shëndetësisë me rroga dhe furnizime me barna. Por bllokada e koalicionit drejtuar nga sauditët në aeroportet dhe portet e vendit, në përpjekje për të ndaluar që ndihmat të shkojnë në duart e rebelëve, i vonojnë në mënyrë arbitrare pakot e ndihmës, thotë Kristine Beckerle, me Human Rights Watch, duke shtuar se të dy kahet “po i përdorin ndihmat si armë.”



Një burrë ecën nëpër Ad Dali, një qytet jugor, shesh lufte nga rebelët Huthi dhe qeveria jemenase qëkur nisi lufta. Në sfond, monumenti i Kallashnikovit nderon komandantin që i luftoi Huthët.

Që prej 2017-ës, vendi ka parë më shumë se një milion raste të dyshuara kolere – epidemia më e keqe në historinë moderne. Një OJQ ka urdhëruar pako me mjekime në korrik të 2017-ës. Nuk mbërritën deri prillin e këtij viti.

https://pmdvod.nationalgeographic.com/NG_Video/436/979/1259956291895_1529503952768_1259990595574_mp4_video_1024x576_1632000_primary_audio_eng_3.mp4

Dy djem luajnë përqark rrënojave të një shkollë të shkatërruar nga sulmet ajrore të koalicionit drejtuar nga sauditët, në Ad Dali. Qëkur nisi lufta, 2500 shkolla janë bombarduar, mbyllur, përdorur për qëllime ushtarake ose janë kthyer në streha.

Një re bie mbi zonën malore në veri të Jemenit. Veriu dhe jugu i Jemenit u bashkuan më 1990-ën, por dallimi historik sërish ndez konflikte. Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se Jemeni është katastrofa më e madhe humanitare në të gjithë botën.

Shumë nga mjekët jemenas janë transferuar në spitale private ose kanë ikur jashtë, duke krijuar mungesë të theksuar të profesionistëve mjekësorë. Ata që zgjedhin të rrinë, trajnojnë fqinjët si të mjekojnë plagë në rast të urgjencave natën, kur është shumë e rrezikshme të udhëtosh. Klinikat private kushtojnë më shumë sesa mund të përballojë një qytetar i shtresës së mesme. Nëse je duke vdekur, i rrëfeu një i moshuar Bastianelli-it, duhet të paguash që të të shpallin të vdekur. Mundësia tjetër është të kalosh vijën kufitare në një prej dy aeroporteve të hapur të vendit. Vetëm pak mund të përballojnë çmimet e karburantit – ose rrezikun. “Ata janë ngërthyer në Jemen. Asnjë shtet nuk u jep azil apo bën një korridor humanitar”, thotë Bastianelli. “Ata numërojnë ditët dhe presin të vdesin.”
*Nina Strochlic/ National Geographic/ Fotografia: Matteo Bastianelli


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë