Treg

Bonuset s'pijnë ujë, në Tiranë e Durrës nuk ka më shtëpi me qira

Sabina Veizaj - Ata do të kalojnë nën strehë edhe Vitin e Ri e mandej historia e tyre e përbashkët ka një fill të panjohur; ku do të strehohen?!…

Namik dhe Agime Hoxha deri në të gdhirë të 26 nëntorit kanë jetuar në Lagjen 18, në pallatin 901 në Durrës.

Sot çifti i të moshuarëve po strehohen në hotel Aler pranë Golemit, pasi pallati i tyre është i pabanueshëm prej tërmetit.

Agimja është e pezmatuar për situatën, ka nevojë të kthehet në shtëpi.

“Dita ime është si e një njeriu që ka humbur shtëpinë. Zgjohemi në mëngjes, hamë mëngjesin, angazhohem me fëmijët këtu tek shkolla e improvizuar. Pastaj shkojmë në Durrës e ktehehmi me urban. Nga Golemi deri këtu 35 minuta më këmbë. Shkojmë të shohim pallatin, nëse na lënë. Pallati ruhet me polic. I lutemi policit të hyjmë në shtëpi të marrim dy rroba. Na vjen keq, është malli ynë. Po shkojmë 70 vjeç dhe e kemi gjithë pasurinë aty. Kthehemi, hamë drekën, shëtisim e biem të flemë. Kështu prej më shumë se dy javësh”- më shpjegon Agimja që druhet ti bëj foto, nuk do që të tjerët ti shquajnë dëshpërimin.

Shqetësimi i saj dhe gjithë të tjerëve që kanë mbetur pa shtëpi është se aktualisht është e pamundur të gjejnë një banesë me qira.

Agimja më thotë se i doli emri në bashki për të përfituar nga bonusi i qirasë, por nuk po gjen dot një shtëpi.

“Ishim në bashki sot, na doli bonusi. E pyetëm ku mund të gjejmë shtëpi, a mund të na gjejë bashkia. Është shumë e vështirë për të gjetur na tha, mos mbani shpresë. Është shumë vonë, duhet ta gjeni vetë. Shteti të jep 20 mijë lek për dhomë e kuzhinë. 25 mijë lek për dy e kuzhinë dhe 30 mijë lek për tre e kuzhinë. Ne dhomë e kuzhinë po kërkojmë ashtu siç kishim shtëpinë tonë, por e pamundur. Vajta në një agjenci sot dhe nuk ka. Edhe dyert e agjencive të tjera janë të mbyllura, nuk e di pse. Dy agjenci që njoh , ishin të mbyllura. As me shoqëri. Shpresojmë, por nuk e di.”- më shpjegon Agimja.

Mandej ajo vazhdon rrëfimin e çdo dite. "Pavarësisht se kushtet janë shumë të mira - thotë ajo - ne hamë këtu, flemë, por rrobat i mbledhim e i çojmë për të larë në Durrës tek shoqëria. Jemi të copëtuar në shumë pjesë".

Erion Manollari është baba i ri me një fëmijë 5 muajsh. Ai jetonte me bashkëshorten, fëmijën dhe prindërit në një pallat të ri të ndërtuar tre vite më parë në lagjen 18 në Durrës.

Erion Manollari me familjen në oborrin e Hotel Aler, Golem

Apartamentin ai e kishte blerë me kredi kur ishte në punë dhe kishte siguruar pjesën e kredisë. Sot i strehuar në një nga hotelet në Golem, ai i druhet rrugës. Nëna e tij nuk ka besim se bonusi i qirasë do të funksionojë.

“Duhet të paraqesim kontratën e qirasë dhe pastaj të na i hedhë lekët në bankë qeveria. Nuk kemi besim. Janë 250 mijë lekë në muaj. Ne pensionistë jemi, burri i sëmurë me trompozë, djali e nusja pa punë. Nëse nuk gjejmë dot shtëpi, nëse e gjejmë dhe shteti nuk na i hedh. Çfarë të bëjmë?”, thotë znj. Manollari.

Edhe Myrvetja që banonte në lagjen 17 në Durrës, e strehuar në Golem ka përfituar bonusin zyrtarisht, prej disa ditësh është në kërkim të një shtëpie.

“Unë kam lënë punën për të kërkuar shtëpi. Më lanë takim dy persona dhe sa shkova, i kishin zënë. E kemi të pamundur të gjejmë një shtëpi. Nuk është çështje parash, jemi të gatshëm të paguajmë edhe para shtesë mbi bonusin e shtetit, por nuk po gjejmë shtëpi. Është bërë keq. Jemi me rrobat e trupit”- shprehet Myrvetja.

Tek pyes Albertin, (i cili edhe ai ka përfituar bonusin e qirasë nga bashkia, por e ka të pamundur të gjejë një shtëpi), pse po hasni vështirësi në gjetjen e një shtëpie? Më thotë se “të gjithë po kërkojnë njëherësh, po ashtu ata që i kanë të mirëmobiluara shtëpitë nuk ua japin familjeve me shumë fëmijë sepse kanë frikë mos i prishin. Të tjerat janë me vija nga tërmeti. Ne jemi aq të tmerruar sa nuk ta shpjegojmë dot. Ne tani duam një shtëpi përdhese dy dhomë e kuzhinë dhe jemi të lumtur”.

Krizën e ofertës për shtëpi me qira e konfirmojnë edhe agjencitë imobiliare.
Dritan Leka nga Century 21 thotë se vëren një rritje kërkese prej 10% për shtëpi me qira krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dritan Leka, Century 21

Me shaka ai më thotë se “na shkundi tërmeti për mirë”.

Sipas Lekës ka patur një fluks të kërkesave të ardhura nga personat e prekur nga tërmeti që janë strehuar nëpër hotele, të cilat janë adresuar dhe po trajtohen.

Kërkesa, thotë Leka, kryesisht ka qenë drejt apartamenteve me sipërfaqe të vogla 1+1 dhe 2+1 .

Sipas tij fokusi në rastin e blerjes së apartamenteve apo shtëpive si nga qytetarët, ashtu edhe nga agjencia ka qenë siguria mbi cilësinë e ndertimit dhe sigurimi i pronave që në momentin e blerjes.

Juliana Nela nga Re/MAX thotë që ka një fluks të paimagjinueshëm nga kategoria e njerëzve që kanë mbetur pa banesë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Oferta e qirave në numër shtëpishë në dispozicion, shpjegon ajo, është reduktuar shumë.

Juliana Nela RE/MAX


“Çmimet janë rritur me të paktën 20% dhe kërkesa për mijëra shtëpi me qira ka ardhur njëherësh. Ka shtëpi me qira, por të papërballueshme për këtë kontingjent.”- sqaron Nela.
Ajo ka vërejtur nga puna e këtyre ditëve se totali i kërkesave në një javë ka qenë sa kërkesat e shtrira në disa muaj.

“Kemi shfrytëzuar edhe shtëpitë që kanë qenë të fjetura. Kaq është muskulatura e tregut. Nuk përputhet kërkesa me ofertën”- thotë Nela.

Për të situata zgjidhet me koordinim të të gjithë grupeve të interesit.
“Qeveria qendrore, pushteti lokal, agjencitë imobiliare. Nuk bëhet fjalë në kohë emergjence fitimi ynë. Duhet krijuar një database me apartamente dhe shtëpi të stokut. Që të hyjë në treg stoku i patrajtuar. Edhe personat që kanë shtëpi që nuk i përdorin ti hedhin në treg”- sugjeron ajo.

Një ditë më parë kryeministri Rama ishte pranë personave të strehuar në hotelet e Golemit ku u tha atyre se po bën të pamundurën që situata të normalizohet sa më shpejt, por “nuk kam shkopin magjik”, që do të thotë se kryeministri nuk ka një datë se kur këto familje do të rinisin të jetojnë normalisht.

Në pamundësi të gjejnë një shtëpi, deri më tani ata pas Vitit të Ri janë zyrtarisht në rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë