Ekonomi

1 mld lek për qiranë e 6 mijë familjeve. Rindërtimi zgjat 2 vjet

Procesi i rindërtimit të banesave të shkatërruara nga tërmeti do të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Komisioni parlamentar i Ekonomisë votoi dy akte normative të cilat i hapin rrugë riparimeve dhe ndërtimit të shtëpive të dëmtuara, duke lehtësuar procedurat për zbatimin e projekteve si për qeverinë edhe për ato që do të realizohen nga donatorët. Në mbledhjen e komisionit, Ahmetaj kërkoi që ekspertët dhe bashkitë të tregojnë përgjegjshmëri dhe profesionalitet në momentin që bëjnë ekspertimin dhe të mos nxitohen për të shpallur çdo objekt të pabanueshëm.

Deputetët miratuan edhe aktin normativ për përfitimin e bonuseve të qirave për familjet që kanë mbetur pa shtëpi deri në momentin e rindërtimit të tyre. Për herë të parë lejohet që bonusi të tërhiqet pa çuar në bashki kontratën e qirasë. Sipas relacionit të qeverisë vlerësohet së subvencionimi i qirasë për një vit për rreth 6000 familje të jetë rreth 1 miliard lekë dhe do të përballohen kryesisht nga buxheti i shtetit. Subjektet e këtij akti normativ, në kuptim të këtij ligji, janë individët dhe familjet që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore si dhe institucionet publike që kanë pësuar dëme në infrastrukturën publike në pronësi apo në administrim të tyre. Akti normativ i miratuara parashikon një shkurtim të aftave për të përfituar bonusin e qirave, por edhe të dokumentacionit që nevojitet. Sipas Ministrisë së Financave të drejtë për të përfituar kanë edhe ato familje të cilat kanë nevojë të kryejnë punime në banesë për një periudhë të shkurtër kohë.

Faksimile e Aktit për përfitimet për qiratë e banesave. Gazeta "Si" 17 dhjetor 2019

Qytetarët që nuk kanë mundësi të strehohen në Durrës mund të akomodohen edhe në Tiranë. Akti normativ i shtrin efektet e tij edhe për tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilëve, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, i është dëmtuar selia e tyre ose të cilët mund të përfitojnë vetëm nga programi i masave për rimëkëmbjen ekonomike sipas parashikimeve të këtij ligji. Nga tërmeti i datës 26 nëntorit rezulton se qarqet më të prekura janë: Durrësi, Tirana dhe Lezha. Sipas informacionit zyrtar që shoqëron këtë propozim rezulton se: Për Qarqet Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar rëndë: 2002 banesa; 135 pallate dhe 60 pallate janë shpallur të pabanueshme. Ndërkohë rezulton se 4380 pallate dhe 543 banesa janë të dëmtuara lehtë. Për Qarkun Lezhë janë dëmtuar rëndë 1353 apartamente; 235 vila dhe 66 pallate. 45 pallate, 559 apartamente dhe 181 vila janë me dëmtime të mesme si dhe 263 pallate dhe 1297 apartamente dhe 57 vila janë me dëmtime të lehta.

Rindërtim vetëm për një shtëpi

Akti tjetër që ka të bëjë për “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Në këtë draft i lihet e drejta Entit Kombëtar të Banesave që të blejë apartamente sipas kostos të ndërtimit. Programi i krijimit të fondit të banesave, që përbëhet nga programi i blerjes së banesave të reja në treg të lirë dhe programi i banesave të dhuruara nga subjektet private. Sipas këtij projekt nuk është pëfitues një person që ka dy shtëpi. Atij do ti rindërtohet vetëm një njësi. “Nuk është subjekt përfitues individi ose familja që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm, më shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore ka qenë vendbanimi i zakonshëm. Në rast se të gjitha banesat në pronësi ose në posedim janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, individi ose familja përfiton, sipas parashikimeve të këtij akti, vetëm për banesën që në datën e fatkeqësisë natyrore përdorej si vendbanim i zakonshëm. Nëse pas përfitimit, sipas kësaj pike, banesa ose banesat e tjera të familjes përfshihen në planin e detyruar vendor, përfitimi i sipërfaqeve në ndërtimet e reja do të kryhet sipas parashikimeve të këtij akti”, thuhet në pikën 3 të nenit 5.

Për nevoja të strehimit të familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore, Enti Kombëtar i Banesave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe/ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, krijon fondin e banesave të nevojshme për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, që konsiston në banesat e blera me fonde nga fondi i rindërtimit në tregun e lirë si dhe nga banesat e dhuruara nga subjektet e treta në favor të shtetit, me qëllim përballimin e fatkeqësive natyrore.
Enti Kombëtar i Banesave ose njësitë e vetëqeverisjes vendore blejnë banesa në tregun e lirë, në rast se vlera e banesës në treg është më e ulët ose e barabartë me koston e ndërtimit. Banesa mund të blihet nga tregu, përjashtimisht, kur vlera e banesës në treg është më e lartë se kostoja e ndërtimit, vetëm kur:vërtetohen kushte emergjente për strehimin e subjekteve përfituese, sipas këtij akti; ose b) autoritetet shtetërore janë në pamundësi për të plotësuar nevojat për strehim të subjekteve përfituese, sipas parashikimeve të këtij akti. Lejet e ndërtimit për rastet e parashikuar për banesat jepen menjëherë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe se për ato që kanë qenë në proces legalizimi ndërpritet, dhe pas ndërtimit të banesës së re, Agjencia e Kadastrës ka të drejtën që të regjistrojë pronën e re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë