Treg

Tërmeti ngrin tregun imobiliar / Ulen çmimet e shitjeve, fluturojnë qiratë

Në zonën e Golemit në pallatet e dëmtuara kanë mbetur të varura njoftime "shtëpia shitet". Askush nuk ua hedh sytë këtyre njoftimeve okazionale. Për agjentët e shitjeve të objekteve në zonat e tërmetit puna ka ngrirë.

Aleksi është agjent shitjesh. Është i angazhuar në të gjitha qytetet dhe veçanërisht në Tiranë dhe Durrës. Por, pas tërmetit të 26 nëntorit, çmimet e shtëpive në Durrës kanë rënë, ndërsa qiratë janë rritur. “Njerëzit kërkojnë shtëpi me qira, - shprehet Aleksi -, por jo në zonat tradicionale të qytetit bregdetar, por në lagje ku tërmeti ka shkaktuar më pak dëme.

Gazeta “Si” bisedoi me Aleks Pashain, i cili tregon fenomenin e ri të tregtisë pas tërmetit që shkatërroi qindra shtëpi.

Aleks Pashaj

Aleks Pashaj: Tërmeti i datës 26 nëntor ka ndikuar në tregun e shitblerjeve të pronave të patundshme. Gjatë ditëve pas tërmetit, çuditërisht ka patur kërkesa nga qytetarët që kërkojnë kryesisht të blejnë apartamente në katet e fundit. Por, momentalisht asnjë transaksion nuk po kryhet dhe për mendimin tim për dy arsye. E para, ende objektet janë në fazë vlerësimi dhe e dyta, blerësi potencial është ende i pasigurtë. Kam vënë re kërkesa të shumta për apartamente me qira, në godina që nuk janë prekur nga tërmeti dhe ku nuk janë shkaktuar dëme, madje ky fenomen nuk ka ndodhur vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë. Fenomeni tjetër është se ata që jetojnë me qira, telefonojnë agjencinë dhe kërkojnë që t’ju gjejmë shtëpi me qira në Tiranë.

A kanë zbritur çmimet e shitjes?

Aleks Pashaj: Pronat janë ofruar në treg m një çmim të skontuar nga 20 deri në 25 përqind, poshtë vlerës së tregut të hapur. Në Tiranë nuk vërehet ky fenomen, por ka ndryshim të çmimit të qirave, duke shënuar rritje të ofertës nga 10 deri në 15 përqind dhe kjo është e dukshme. Sa i takon Durrësit, kërkesat për qira janë të larta kryesisht për shtëpi private edhe në rrethina, apo në zonën e Arapajt. Por mendoj që kjo është fazë tranzitore dhe tregu do të kthehet pas disa muajsh në tempin e mëparshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë