Treg

Tërmeti, të prekurit i tremben humbjes së vendit të punës

Sabina Veizaj - Alberti dhe familja e tij i kanë shpëtuar tërmetit në një nga zonat më të prekura, por ai tani po vuan më shumë.

Refreni i ndërgjegjshëm i tij është “Nuk dua të humb punën”.

Albert Shehu është saldator në një fabrikë në fshatin Kullë të Sukthit të Qarkut Durrës.
Ai me origjinë nga Dibra prej 15 vitesh jetonte në katin e pestë të një pallati të ndërtuar me punë vullnetare. Familja e tij përbëhet nga 6 veta; ai, bashkëshortja dhe katër fëmijët.

Në pallatin ngjitur, në katin e parë jetonin prindërit e tij, vëllai me bashkëshorten dhe katër fëmijët.

Familja e vëllait aktualisht është strehuar në Itali tek një shok, kurse Alberti me familjen e tij dhe prindërit në një nga hotelet në Golem.

Albertin me prindërit e bashkëshorten me djalin e vogël në krahë i takoj duke shëtitur në Golem, jashtë hotelit ku janë strehuar.

Albert Shehu me familjen

Tanimë janë të qetë dhe Alberti më shprehet i kënaqur, veçanërisht për fëmijët sepse “u kanë krijuar kushtet për shkollë e argëtim. Por shqetësimi mbetet rikthimi në jetën normale; rikthimi në punë. Më duhet të mbaj familjen me 6 veta dhe nuk është kaq e lehtë të gjesh punë. Unë paguhem në fabrikë 40 mijë lekë në muaj plus sigurime”.

Në kushtet aktuale e ka të pamundur të shkojë në punë, por thotë se punëdhënësi e pret, “por sa? Nuk kemi një të dhënë zyrtare se kur do të rregullohemi. Nga tërmeti u bëmë si kal i rrahur në kokë dhe morëm arratinë. Tani nuk është se kam pretendime, edhe në maj të malit shkoj, por nëse më japin para mjaftueshëm për të mbajtur familjen. E mira do të ishte të kthehesha në fshat për punën”- thotë Alberti.

Anisa është infermiere në Durrës. Pallatit të saj i është vënë një kryq i kuq dhe ruhet nga policë, por ende nuk iu kanë thënë zyrtarisht se çfarë do të ndodhë me pallatin.

Me familjen Anisa është strehuar tek Hotel Aler. Anisa sapo është kthyer nga puna dhe po komunikon me mësuesen e djalit. Djali me shokë që ka zënë në shkollën e improvizuar në hollin e hotelit argëtohet i buzëqeshur. Përpos shqetësimit të artikuluar ose të heshtur të së nesërmes, nuk vëren gjurmë të ngjarjes së 26 nëntorit.

“Për mua është pak e mundimshme që bëj çdo ditë Golem-Durrës dhe anasjelltas për në punë. Nuk mund ta lë punën, por edhe kështu nuk mund të vazhdohet pafundësisht.”- më thotë Anisa duke shpjeguar me sy dëshirën e nostalgjinë për rutinën e jetës normale.

Ata thonë se kushtet e hotelit janë shumë të mira, “por në fund të ditës, hoteli mbetet hotel. Kemi nevojë për ngrohtësinë e shtëpisë dhe të përditshmen që rrjedhë”.

Edhe Marsela nga Durrësi është strehuar me familjen në të njëjtin hotel. Edhe atë e takoj tek merr fëmijën nga mësimi që zhvillohet në hollin e hotelit. Ajo ka banuar në lagjen 17 në Durrës, një ndër më të prekurat nga tërmeti. Ajo jetonte në katin e 11 të një pallati të ri, i cili ka pësuar shumë dëmtime, por ende nuk e dinë nëse do të shembet apo riparohet.

Marsela është detyruar të lërë punën sepse punëdhënësi nuk mund të priste deri në një moment të papërcaktuar. Kurse bashkëshorti i shkon çdo ditë në Durrës në punë me transport privat. Nga hoteli deri tek autobusi dhe nga autobusi deri tek hoteli çdo ditë është i detyruar të ecë 35 minuta më këmbë.

Agimja e divorcuar me fëmijët dhe prindërit janë strehuar tek Fafa hotel. “E madhja kaloi, jam e kënaqur me fëmijët sepse mësojnë dhe argëtohen, por më shqetëson babi që është moshë e madhe dhe shkon çdo ditë në Durrës në punë. Ëndërroj kur do ti kthehemi normalitetit”- më thotë Agimja.

Zona e Golemit plazh gumëzhin çuditshëm si kurrë ndonjëherë në këto ditë dhjetori.
Marketet, restorantet i sheh të hapur edhe pas rënies së muzgut. Njerëz që hyjnë e dalin në hotele, restorante, që shëtisin ndër rrugica, parqe.
Nuk ka asnjë shenjë prej një gjendjeje emergjente dhe nuk dëgjon të flitet për tërmetin, veçse kur i pyet.

Por shqetësimi i tyre edhe në heshtje është rikthimi në një normalitet të ri duke rinisur punën, sepse “jeta vazhdon”…

OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) në vitin 2018-të ka hartuar një raport ku tregon pasojat ekonomiko-financiare prej fenomenit natyror të tërmetit dhe jep sugjerimet se si duhen menaxhuar risqet financiare prej tij.

Sipas raportit, përveç dëmeve të drejtpërdrejta në ndërtesa, infrastrukturë, pajisje, etj, tërmetet gjithashtu mund të çojnë në një numër humbjesh indirekte, të tërthorta si humbjet për biznesin (ose paralizimi i biznesit) janë humbjet që përbëjnë vlerën e shtuar të humbjeve në mallra dhe shërbime që nuk prodhohen (ose prodhohen me një kosto më të lartë) si rezultat i ndikimit të tërmeteve.

Për shembull, citon raporti, një studim i ndikimit nga tërmeti në Shtetet e Bashkuara në 1994 në 1100 biznese të prekura, zbuloi se më shumë se gjysma e bizneseve të anketuara u detyruan të mbyllen për shkak të tërmetit për një periudhë mesatare afërsisht dy ditë. Për më tepër, gati 60% e të anketuarve raportuan se punonjësit e tyre nuk ishin në gjendje të shkonin në punë, 40% përballeshin me një rënie në trafikun e klientëve dhe 23% furnitorë ishin në vështirësi në lidhje me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve të tyre – të gjitha këto do të ishin pjesë e rritjes së kostos së prodhimit.

Megjithëse në dukje shumë shpejt, institucionet që po merren me menaxhimin e katastrofës duhet të kishin tanimë një tabelë të dhënash se sa nga familjet janë prekur edhe nga rreziku i humbjes së vendit të punës, apo e kanë humbur një punë. Sa prej tyre ju janë rritur kostot e jetesës se pse ka ndryshuar vendi I banimit kundrejt vendit të punës. Janë disa tregues që për shkak të kësaj katastrofe tërmetit, mund të shkaktojnë koston në jetesën e banorëve. Ekspertët e pyetur nga gazeta Si thonë që edhe këto raste duhen evidentuar pasi mund të ndikojnë që një vendimmarrje nga e qeverisë se ku do të ndërtojë banesat e reja mund të rezultojë e gabuar ose refuzuese nga banorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë