Treg

Prezantohet “Pasqyra e Çmimeve”, Rama: 200 artikuj me çmime fikse deri në janar

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, që synojnë lehtësimin e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se marrëveshja me pesë subjekte të tregtimit të ushqimeve parashikon çmime të arsyeshme dhe të pandryshueshme për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm. Sipas kryeministrit, nisma vjen në një kohë kur rritja e kostove po prek konsumatorët në mbarë botën.

Ai bëri të ditur se aktualisht janë mbi 200 artikuj pjesë e kësaj nisme, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1000 deri në fund të vitit. Rama u shpreh se procesi do të zgjerohet edhe me subjekte më të vogla dhe pika të shitjes me pakicë, për të përfshirë sa më shumë aktorë të tregut.

Kreu i qeverisë theksoi se synimi nuk është vendosja e çmimeve nga shteti, por nxitja e konkurrencës së lirë, transparencës dhe bashkëpunimit në mbrojtje të konsumatorëve.

“Në këtë periudhë, që karakterizohet nga një presion i përgjithshëm mbi ekonomitë e të gjitha vendeve, vende të ndryshme që ne i kemi studiuar me kujdes, kanë marrë nisma të ngjashme dhe nëse e kanë gjetur fjalën qeveritë e atyre vendeve me tregtarët në ato vende, nuk ka asnjë arsye që të mos e gjejmë fjalën edhe ne mes nesh”, tha Rama duke shtuar se ky është fillimi i një procesi ku do merren parasysh këtu edhe subjektet më të vogla, edhe pikat e shitjes të pakicës, të cilat janë pika, sipas Ramës, që shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ligji parashikon edhe gjobë në rast se ato çmime janë spekulim.

“Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë sepse kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga sistemi që i vendoste vetë çmimet dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Mirëpo nga ana tjetër pikërisht tek konkurrenca e lirë dhe njëkohësisht tek konkurrenca e ndershme qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte”.

Nga ana tjetër, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se “Pasqyra e Çmimeve” do t’u mundësojë qytetarëve të informohen mbi çmimet e produkteve dhe ndryshimet e tyre nga një subjekt tregtar te tjetri.

Ajo theksoi se platforma synon të rrisë transparencën në treg, ndërsa sipas saj, çmimet e produkteve të përfshira në marrëveshje do të pësojnë ulje mesatare prej 20-22% deri më 12 janar, me disa produkte që do të kenë ulje deri në 40%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë