Biznes

Biznesi 500 mijë euro i kostumeve origjinale popullore tradicionale


“Duke lënë disa vajza të mësuara dhe disa libra të shkruar, mendoj se do të vazhdojë gjatë trashëgimia kultuore e kostumeve popullore tradicionale.” -Edlira Sulaj

Edlira Sulaj gjatë panairit në ambasadën holandeze

Sabina Veizaj- Nga tregtia e ushqimeve dhe enëve të kuzhinës, në një pasion të çmendur për të ruajtur, zhvilluar dhe trashëguar vlerat e trashëgimisë kulturore përmes një biznesi të vështirë. Biznes, i cili pas një pune intensive 15 vjeçare ka një inventar produktesh mbi 500 mijë euro, por një vlerë morale dhe trashëgimie të paçmueshme.

Edlira Sulaj është një grua tek të 50-at, por jo e panjohur për ata që kanë një kostum popullor të krahinës së tyre në shtëpi; qoftë të modifikuar, qoftë origjinal.
Me Edlirën u takuam në panairin e “Grave sipërmarrëse” të organizuar nga “Together for life” dhe Ambasada Holandeze në Tiranë. Edlira me produktet e saj qëndronte e qeshur dhe ne dispozicion në një hapësirë 1 me 1 në kopshtin përpara mjediseve të Ambasadës Holandeze e rrethuar nga artizane të tjera shqiptare.

Në tavolinën e saj ajo demonstronte suvenirë me motive tradicionale shqiptare, qeleshe dhe këpucë të trevave të ndryshme të Shqipërisë.

Edlira nisi të më rrëfente se pasioni i saj për rrobaqepsinë ka lindur me të, por rrethanat e jetës e shpunë që ta ndërthurrte pasionin me punën vetëm 15 vite më parë.
Edlira ka përfunduar shkollën e mesme dhe më pas nuk I kreu studimet e larta sepse ajo vinte nga një familje të përndjekurish politik.

Vitet e para të demokracisë e gjetën të vetëpunësuar. Ajo është marrë me tregti dhe arsim, por përherë e grishte pasioni i vjetër i rrobaqepsisë dhe dëshira për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore përmes veshjeve popullore tradicionale të trevave të ndryshme shqiptare.

Nisi të ndërtonte një kostum për vete, për shoqet më të afërta e në këtë mënyrë, fjala sjellë fjalën dhe nisën kërkesat e shumta për kostume popullore.
“E nisa për të bërë diçka për vete, por kërko e kërko kishte një minierë të punimit teknik të veshjeve tradicionale shqiptare. Duke studiuar, duke rindërtuar, në mënyrë autodidakte. Dëshira për të ditur gjithmonë e më shumë më shtynte të studioja tepër, pastaj duke rindërtuar nisa të dukesha në treg si një person që e kisha punuar shumë mirë dhe dalloja nga të tjerët”- më tregon Edlira.

Në fillimet e saj, ajo nisi të shiste me porosi. Ajo vijon më rrëfen se fillimet nuk kishin qëllim fitimin. Ajo punë ishte ishte thjesht burim pasioni.
Madje ishte një pasion që shkonte kundër dëshirës së familjes. Ka qenë një luftë e vazhdueshme në fillim se nuk donin që Edlira të merrej me artizanat sepse është shumë e lodhshme.

“Lekët që fitoja nuk mi merrnin dhe unë i investoja po në pasionin tim. Kjo ka qenë mënyra e rritjes së punës time. Nga pasioni rrodhi edhe biznesi; shumë i kënaqshëm nga ana morale. Sepse unë jam munduar të ruaj vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare. Kemi qenë të detyruar edhe për të bërë gjëra më të thjeshtuara që të funksiononte dhe të jetonte biznesi, por ajo që mbizotëronte tek unë ishte ruajtja me fanatizëm e trashëgimisë kulturore” -më rrëfen Edlira tek flet me shumë pasion dhe buzëqeshje të madhe për punën që duket se e dashuron.
Produktet që prodhon në punishte Edlira janë veshjet tradicionale shqiptare të të gjitha trevave; për fermat dhe meshkujt duke nisur nga këpucët dhe duke përfunduar tek bizhutë dhe koka.

Për Edlirën, e gjitha kjo është një ndërmarrje shumë e madhe që nuk mund ta bëjë çdo individ.

Shumë herë i them vetes; më tregon ajo, vetëm një budallaqe Edlirë ka Shqipëria që merret me këtë punë. “Jo se nuk ka të tjerë që janë marrë dhe merren me veshjet popullore, por për mendimin tim i kanë modifikuar aq shumë, sa i kanë bërë më shumë dëm se sa mirë.”

Tek e pyes për lëndën e parë, ajo më tregon se është diçka shumë specifike dhe kërkon kohë sepse ajo gjëmon cilësinë e parë. Gjithashtu më tregon Edlira, krahas cilësisë i qëndrojnë në mënyrë fanatike artizanatit të ndërtimit të produktit. 70 % e kostos së produktit, më thotë ajo, është fuqi punëtore sepse lënda e parë përpunohet nga vetë punonjëset e mandej nis ndërtimi i produktit.

Për Edlirën punojnë 12 mjeshtra, të cilët ajo i vlerëson shumë për punën e vështirë dhe me pasion që bëjnë.

“Unë i paguaj me pagë mesatare. Të shtunat, festat dhe jashtë orarit kur kemi punë shtesë, i paguaj 125%, kurse specialistët e lartë dhe më të vjetrit paguhen më shumë. Por sërish nuk mjafton sepse vështirësia është e madhe. Do doja që shteti tu paguante diçka këtyre mjeshtarve që mundohen të ruajnë dhe zhvillojnë vlerat e trashëgimisë kulturore”- më thotë Edlira.

Ajo e vlerëson dhe adhuron tepër trashëgiminë kulturore dhe mendon se duhet të jetë pjesë e pandarë e turizmit kulturor.
Ky mendim ka ndikuar që ajo mori vendimin ta zhvendosë punishten nga mjediset e shtëpisë në një hapësirë muzeale tek Casa Italia që të shërbejë si atraksion turistik për vendasit dhe të huajt.

“Muzeu shtëpia e Artizanatit” ka një sallon ekspozimi me veshje mbi 100 vjeçare të të gjitha trevave që nga kostumi dardar me ngjyrë të kuqe të thellë, kostumi gjirokastrit, ai i aristokratëve të Vlorës, i katolikëve shkodranë, Tiranës, etj.

Gjithashtu në të njëjtin vend, në një sallon tjetër qëndrojnë 12 mjeshtrat që punojnë dhe turistët e vizitorët kanë mundësi ti shohin gjatë punës. Ka edhe një sallon ekspozimesh të produkteve të biznesit të saj, por edhe të produkteve të shumë artizanëve nga e gjithë Shqipëria, produkte që janë në shitje apo për qiradhënie.
“Përpos veshjeve tradicionale ne kemi krijuar edhe suvenire të ndërtuara nga veshjet tradicionale me qëllim që të kthehet në produkt ekonomik për vendin, jo vetëm për mua.

Muzeu

Do të vijë dita që unë mund ta shes biznesin sepse djalit nuk mund tia lë trashëgimi, ai merret me punë tjetër, por jam e kënaqur që këtë art ia kam mësuar shumë vajzave të reja”- më tregon Edlira.

Ajo është liçensuar për të zhvilluar kurse që të mësojnë teknikën e ndërtimit të veshjeve popullore tradicionale të Shqipërisë në mënyrë artizanale. Ajo mendon se kjo është një mundësi shumë e mirë, pavarësisht se kushton shumë.

Deri më tani, Edlira më tregon se kurset i ka ofruar falas, por të bësh një specialist gati që të punojë në mënyrë të pavaruar një kostum popullor nga fillimi në fund kushton deri në 20 mijë euro.

“Janë katër vite punë intensive; i kam ofruar lëndën e parë, të mësuarit, rrogën, i kam ofruar edhe një punonjës tjetër që ti qëndrojë në kokë. Pra të përgatisësh një specialist kushton 20 mijë euro. Riprodhimi i veshjeve tradiconale të trevave të vendit është vlerë e trashëgimisë kulturore, nuk është vetëm punë dore e thjeshtë.”
Një kostum original tek Edlira kushton deri në 3500 euro. Pavarësisht çmimit, ajo më thotë se ka shumë njerëz që interesohen.

Klientët e Edlirës janë shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë Shqipërie, që kanë filluar ti kërkojnë kostumet institucione të ndryshme.

“Ne e kosniderojmë hapjen e muzeut më shumë si fushatë sensibilizimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, se sa të ardhjes së të rinjve dhe nxënësve në muze. Ne ftojmë shkollat për tu prezantuar nxënësve veshjet, teknikat artizanale të ndërtimit të veshjes, se si ndërtohen edhe disa produkte të tjera artizanale. Për mua nuk është thjesht dhe vetëm një muze i vizitueshëm, por është një sensibilizim për të treguar se çfarë është veshja tradicionale shqiptare që duhet ta bëjmë pjesë patjetër të turizmit kulturor”- më thotë me bindje Edlira.

Specifikë e Edlirës dhe sipërmarrjes së saj kulturore është që ajo prej pak kohësh ka nisur të punojë edhe veshje muzeshë për vendet fqinje si; Greqia, Bullgaria.
"Kanë specifika të veçanta kostumet e tyre, por teknika është e njëjtë”- më thotë pasi e pyes se si arrijnë të punojnë mbi traditën e vendeve të tjera, por sigurisht që i studion me detaje përpara se të nisë ndërtimin.

“Unë kam 15 vite që studioj anën teknike të veshjeve tradicionale dhe shqetësimi im është që në treg mungon tërësisht literatura e teknikës së veshjes tradicionale. Për këtë më vjen keq. Unë e kam studiuar vetë. Duke qenë se jam rritur me rrobaqepsinë, (nëna ime ka qenë rrobaqepëse) i kam marrë veshjet e vjetra dhe i kam studiuar; si janë qëndisur, prerë. Kam dalë nëpër treva përmes projekteve ku kam takuar njerëz të ndryshëm për të marrë informacione rreth veshjeve, por tani i kam grumbulluar brenda qendrës dhe kam filluar që ti kuroj.

Gjithë bagazhin dhe eskperiencën mbi 15 vjeçare Edlira do ta hedhë në libra, por procesi kushton shumë, më tregon ajo, pasi të shkruash mbi teknikën e ndërtimit të veshjeve tradicioale shqiptare të duhet një ekip; etnograf, specialist teknikë, një grafist për të lënë një libër të shkruar për brezat pas saj.

“Duke lënë disa vajza të mësuara dhe disa libra të shkruar, mendoj se do të vazhdojë gjatë trashëgimia kultuore e kostumeve popullore tradicionale.”

Tek risillet tek kujtimet më thotë se me 100 lekë e ka nisur aktivitetin, një hiperbolë për të më treguar me asgjë, por mjaftonte pasioni edhe pse nuk kishte askënd që ta mbështeste në dëshirën e saj, përkundrazi i kishte të gjithë kundër.

“Nuk kam bërë ndonjëherë ndonjë inventar të hollësishëm, pasi çdo lekë e ka riinvestuar.”

Tek e pyes se ku e shikon veten me sipërmarrjen pas 10 vitesh, ajo ka ëndrra të mëdha, por disa prej tyre i ka nisur ti realizojë.

“Nëse do të kisha mundësi do të zhvilloja trajnime dhe të futej ky produkt tek turizmi kulturor, në 10 vite do të ishim të aftë të krijonim një kompani shumë të madhe që të merrte përsipër të krijonte veshje për të gjithë shqiptarët në të gjithë botën dhe të sensibiloznte çdo familje shqiptare kudo që ishte, të kishte një veshje shqiptare të krahinës së tij. Krahas kësaj, të përthithnim kërkesën e vendeve të rajonit për të rindërtuar edhe një herë veshjet e muzeve që është një vlerë shumë e madhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. E gjithashtu do të hapeshin shumë vende pune. Më vjen keq që disa teknika i përkasin brezit mbi 60 vjeç që po venitet dhe zhduket e kjo është një humbje shumë e madhe për vendin”- më thotë Edlira.

Duke e përpjekur të më shpjegojë rëndësinë dhe vlerën e artizanatit, më rrëfen një histori të kohëve të fundit. Një teknikë specifike për qepjen e sumbullave në kostumet e saj tradicionalë, ajo e realizonte vetëm në Gjakovë, pasi një burrë i vjetër atje ishte i vetmi në gjithë shqiptarinë që e kishte ruajtur. “Janë sumblla që punohen me gajtan. Unë i punoja në Gjakovë, ishte një burrë i vjetër që i bënte. Shkova pak kohë më parë për të tërhequr porosinë. Më tha një punëtore e tij; Edlira gjysmat të kam bërë se burri që i bënte ka vdekur. Do filloj të qaj më fort se gruaja e vet, sepse gruas i ka lënë fëmijët, mua nuk më la zanatin dhe më ka prishur shumë punë"- më rrëfen dhe nisë të qeshë.

Edlira më ngjan shumë e kënaqur në lidhje me punën e saj, si në aspektin moral, ashtu edhe atë finnaciar që rrjedhin prej sipërmarrjes së saj. Ajo më tregon se ka një interes në rritje për produktet e saj. Njerëzit blejnë kostume popullore tradicionale për ti patur pjesë të garderobës së tyre që ti veshin në festa të ndryshme dhe ti lënë trashëgimi në familje.


Aktualisht ajo po punon në një projekt i cili ka për qëllim të ndërtojë veshje të përditshme me motive popullore tradicionale.
“Në teknikat e prerjes, të ndërtimti, kombinimi i ngjyrave, të ndihmojnë shumë për të bërë një brand shqiptar me element të traditës.”

“Ka të huaj që e marrin veshjen shqiptare, japonezë kanë ardhur. Ata i studiojnë”- më thotë Edlira.

Aktualisht ajo po punon në një projekt i cili ka për qëllim të ndërtojë veshje të përditshme me motive popullore tradicionale.
“Në teknikat e prerjes, të ndërtimti, kombinimi i ngjyrave, të ndihmojnë shumë për të bërë një brand shqiptar me element të traditës.”
Një veshje e tillë kushton deri në 300 euro.

Edlira këmbënguli që të vizitoja muzeun për të më shpjeguar me detaje veshjet. Ajo është një marketere shumë e mirë, jo vetëm e produktit në vetvete, por mbi të gjitha e vlerave të trashëgimisë kulturore të veshjeve popullore tradicionale të vendit tonë.

Tek largohesha nëpër stendat e tjera të panairit, vëreja që kishte shumë njerëz, kryesisht të huaj që intersoheshin për artizanatin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë