Biznes

Bizneset ulin ritmin e investimeve kapitale

Banka e Shqipërisë raporton se investimet totale shënuan një rritje prej 1.8% në tremujorin e parë të vitit, dinamikë kjo më e ngadaltë se sa ajo e tremujorit paraardhës (2.2%) dhe se mesatarja e vitit 2018 (2.9%).

Analiza e BSh-së, konkludon se ngadalësimi i rritjes së importit të mallrave kapitale dhe rënia e importit të pajisjeve të transportit industrial sugjerojnë për kontribut negativ të kategorisë “Makineri dhe pajisje” në investimet e tremujorit të parë.

Në të kundërt, bazuar në zgjerimin e vlerës së shtuar në ndërtim, investimet në këtë sektor kanë kontribuuar pozitivisht.
Faktorë që mbështesin zgjerimin e investimeve private gjatë tremujorit të parë janë përmirësimi i besimit të bizneseve, rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, si dhe rritja e kredisë për investim.

Treguesit indirektë që përafrojnë ecurinë e investimeve në tremujorin e dytë japin sinjale të ndryshme.
Komponenti publik i investimeve pritet të japë një kontribut negativ në formimin bruto të kapitalit.

Nga ana tjetër, shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve të lira, rritja e importit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, si dhe gjallërimi i kërkesës konsumatore pritet të jenë faktorët kryesorë nxitës të investimeve në tremujorët në vijim.

Ndërprerja e investimeve ishte paralajmëruar më shumë se një vit më parë prej bizneseve pësuese të zhvlerësimit të euros, sipas të cilëve humbjet në xhiro prej 15% do të shpinin në mos hapje vendesh të reja punë, mosmarrje kredie e si rrejdhojë mosinvestim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë