Me gjithë uljen e kredive të kqija bankat tregtare mbeten konservatore në çlirimin e kreditimit për sektorin privat. Kjo është evidentuar edhe nga vetë guvernatori Sejko në konferencën më të fundit për shtyp rreth një javë më parë.
Nga ana tjetër edhe kërkesa e bizneseve nuk duket entuziaste për të marrë kredi për investim, përpos për të patur likuidet afatshkurtër.
Banka e Shqiëprisë në raportin e tremujorit të Politikës Monetare bën me dije se raporti i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së vlerësohet rreth nivelit 35.5%, ose 0.7 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë. Sipas BSH-së, norma mesatare vjetore e rritjes së kredisë për sektorin privat është luhatur rreth vlerës 5%. Në tremujorin e kaluar, kjo normë regjistroi vlerën 5.6%.

Sipas të dhënave të raportit, rezulton se rritja më e lartë e kredisë është regjistruar në monedhën vendase, në lekë, krahasuar me atë në valutë. Pavarësisht kësaj, portofoli i kredisë në lekë ka shënuar normë më të ulët rritjeje në tremujorin e dytë (6.3%) krahasuar me tremujorin e parë (7.0%). Sipas BSH-së, ky ngadalësim reflekton pjesërisht efektin e kreditimit më të ulët të bizneseve, i cili kulmoi në tremujorin e dytë të vitit të shkuar. Raporti sqaron se, ecuria e kredisë në valutë mbart në një masë të gjerë ndikimin e kursit të këmbimit. Duke mënjanuar këtë efekt, kredia në valutë ka shënuar rritje mesatare rreth vlerës 4%, nga 4.5% në tremujorin e parë të vitit. Kredia për biznese ka ngadalësuar normën e rritjes vjetore në 3.5% në tremujorin e dytë të vitit. Ajo shfaqet e luhatshme, si në terma mujore ashtu edhe në terma vjetorë, si pasojë e zhvillimeve të paqëndrueshme në portofolin e kredisë për likuiditete (2.6%). Kredia për likuiditete karakterizohet përgjithësisht nga luhatje të mëdha, në varësi të nevojave afatshkurtra të bizneseve për financim. Kredia për investime ka qenë në masën 4.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.