Sabina Veizaj-Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sektori i ndërtimit ngadalësoi rritjen për të tretin tremujor radhazi.
Trendi i ngadaltë i sektorit mendohet të ketë ardhur nga rritja më e ngadaltë e investimeve të realizuara për ndërtime të reja. Sipas Bankës, midis treguesve të tjerë lejet e miratuara të ndërtimit shënuan rënie për kategorinë e ndërtimeve për qëllime banimi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues rezulton me rritje vjetore për kategoritë e ndërtimeve të tjera dhe punimeve inxhinierike.
Sipas qasjes krahasuese me një vit më parë, dhe rënies së treguesit të besimit dhe të shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim, kanë kufizuar në një masë vlerësimet për ritmin e rritjes së sektorit në tremujorin e dytë
Rritja më e ngadaltë e sektorit të ndërtimit në tremujorin e parë vlerësohet të jetë ndikuar në një masë edhe nga baza më e lartë krahasuese e një viti më parë. Në tremujorin e parë të vitit 2017, vlera e shtuar në ndërtim u zgjerua me një normë të lartë rritjeje vjetore rreth 12.6%, pas rritjes me një ritëm mesatar rreth 3.2% gjatë vitit 2016.
Ngadalësimi i ritmeve të rritjes të sektorit të ndërtimit konfirmohet edhe nga ecuria vjetore e vëllimit të prodhimit në ndërtim, i cili u rrit me 6.0% nga 7.5% një tremujor më parë.
Dinamika e indeksit të shitjeve neto në vëllim në këtë sektor ka rezultuar lehtësisht më e përmirësuar, duke shënuar një rritje me 9.9% nga 7.5% në tremujorin e mëparshëm. Lidhur me lejet e ndërtimit të akorduara në total për ndërtesa të reja, numri i tyre në tremujorin e parë ishte 221, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e mëparshëm. Ky numër vijon të rritet, por mbetet nën mesataren historike të tij. Në lejet e miratuara gjatë tremujorit të parë 127 ishin leje për ndërtesa për qëllime banimi, ndërsa 94 leje për ndërtesa të tjera (si hotele, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale e të tjera). Në tremujorin e dytë një vit më parë, rritja vjetore e vlerës së shtuar në ndërtim rezultoi ndjeshëm e lartë rreth 19.5%.
Përsa i pë rket çmimit të banesave , indeksi në terma realë pësoi rënie prej 2.5% këtë tremujor. Indeksi i qirasë së banesave regjistroi rënie reale prej 7.6% në tremujorin e dytë. Raporti i indeksit të çmimit ndaj qirasë së banesave është i qëndrueshëm rreth mesatares historike të dhjetë viteve të fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.