Politike

Berisha: Dhëndri im, i burgosur politik do e zgjidhë çështjen në Strasburg

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se, “beteja pa kthim e mbi 40 deputetëve të opozitës në parlament është një lëvizje simbolike”, që ka si qëllim fillimin e protestave në vend.

“Njëkohësisht ka një qëllim madhor, të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari.

Zgjimi i çdo luani të fjetur është fitorja përfundimtare e demokracisë dhe përmbysja përfundimtare e diktaturës në Shqipëri.

Ndaj me këtë rast, duke shprehur vlerësimin tim më të madh për betejën pa kthim në parlament të deputetëve të opozitës, ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, kudo që ndodhen, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë, t’i bashkohet kësaj beteje për shpëtimin e Shqipërisë”, tha ai në daljen e përditshme për mediat. Berisha atakoi sërish gjyqtaren që firmosi ndaj tij masën e sigurisë për detyrim paraqitje “E morët vesh ju?  Gjykatësja që fshihet prapa emrit të burrit, jam Gjoka, nuk jam Maneku. Po, u gjet dhe data. U gjet se ajo është ndëshkuar nga Këshilli i Drejtësisë. Ditën e shtunë e paraqita shkresën. Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se ndaj saj në vitin 1996 është marrë masë disiplinore shkarkimi.

E ka thirrur Ministria e Drejtësisë, ajo ka thënë nuk jam unë, se unë jam Gjoka, nuk jam Maneku. E kuptoni se mbrapa kujt fshihet Edi Rama?

Po kjo është e paimagjinueshme. Pra, është gjetur, është marrë masa, e ka kryer krimin sepse nuk duhej të gjykonte, duhej të shkruante se nuk mund të gjykoj këtë çështje sepse jam e shkarkuar direkt prej tij në vitin 1996. Dhe tani që e gjeti Ministria e Drejtësisë dhe ia dha avokatit, më thonë se i ka thënë Ministrisë së Drejtësisë se unë jam Gjoka...”, tha ai.

Berisha komentoi edhe ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Jamarbër Malltezi.

“Dhëndri im ishte i burgosur politik dhe është i burgosur politik. Dhëndri im ka marrë 410 metër katrorë si i 64-ti që ishte në atë fis, nga 1 miliard e 577 milionë metër katrorë të rikthyer pronarëve nga koha e diktaturës.

E marrë e gjitha, në përputhje me dokumentet. Por për t’u marrë aty, duhet që dikush të përsërisë atë që thotë Edi Rama, se zbatimi i ligjit nuk përjashton konsumin e korrupsionit.

E kuptoni se çfarë rreziku përbëjnë këta jo për Sali Berishën, as për familjen e tij, por për çdo qytetar dhe shoqërinë shqiptare.

Kështu që nuk është e vërtetë që ka dhënë urdhër apo nuk ka dhënë urdhër. Ajo do shkonte në Strasburg menjëherë.

E kam thënë dhe herën e parë këtu, që fatmirësisht Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës.

Malltezi nuk u nxor nga burgu, ai u la në arrest shtëpie. Kjo nuk përbën asgjë.

Ai nuk ka asnjë, ka zero, zero... ata vetëm nuk e kanë fajësuar.

Vetë nuk kanë arritur ta fajësojnë. Pas tre vite hetime, nuk kanë arritur të gjejnë një provë, një fakt, një dokument për të ngritur padi ndaj tij, por e kanë marrë nën hetim.

Pra, ai duhej të ishte në shtëpi. Kjo, përkundrazi që nuk gjendej asgjë mbi to, u bë kjo.

Ajo çështje do zgjidhet në Strasburg”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë