Politike

“Asnjë konstatim s’do anashkalohet”/ Progres-raporti, Rama: E drejta për protestë duhet garantuar, dhuna duhet dënuar

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar progres-raportin e këtij viti të Komisionit Europian si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, pas dorëzimit të raportit, Rama u ndal edhe te problematikat e evidentuara nga Brukseli, përfshirë vonesat në gjykata, mbikëqyrjen parlamentare, cilësinë e opinionit publik dhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia gjatë protestave. “Kemi hyrë në fazën e fundit të anëtarësimit në BE, duhet kujdes në këtë kilometër të fundit, duke harmonizuar të gjitha institucionet e shtetit deri në pikëmbërritje”, tha Rama.

Ai foli edhe për SPAK, ku në raport thuhet se ka dëshmuar pavarësi dhe rezultate.

“Kush kthen kokën në vitin 2016, kur mori jetë reforma në drejtësi, e kupton rëndësinë e këtij vlerësimi. Raporti evidenton edhe vonesat në gjykata, mungesat, vonesat e vendimeve për korrupsionin. Po ashtu, raporti ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen parlamentare dhe cilësinë e opinionit publik. Flet edhe për protestat, duke cituar edhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia, teksa edhe dialogu nënvizohet si rruga ku duhet të përqendrohemi. Asnjë konstatim i raportit nuk mund të anashkalohet, ashtu si edhe ky i fundit. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet dënuar. Tejkalimi i forcës duhet shqyrtuar seriozisht. Dialogu është jetik dhe ne kemi përgjegjësinë për ta mundësuar atë. Nuk po flas vetëm për anën e ndritshme të këtij raporti, por edhe për atë me hije të kësaj medaljeje. Të dyja janë të vërteta dhe të dyja përbëjnë këndvështrimin realist të KE-së për Shqipërinë”, shprehet ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë