Drejtësia

SPAK, rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit nga burgu të Jamarbër Malltezit

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme do të bjë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit nga burgu të Jamarbër Malltezit nga Gjykata e Posaçme e Apelit, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash për dosjen "Partizani".

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së, vendosi të nxjerrë nga qelia Malltezin, duke zbutur masën e sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Gjyqtarja Ilirjna Olldashi, argumentoi për dhënien e vendimit se Malltezi nuk mund të prishë provat dhe nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit.

Ndërkohë që prokurorët e SPAK-ut, kërkojnë qëndrimin në burg të Malltezit, pasi sipas tyre nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë.

Nga ana tjetër, një postim i bërë në rrjetet sociale nga dhëndri i ish-kryeministrit pas lirimit nga burgu, ka çuar SPAK-un të kryejë verifikime, nëse vendimi i Gjykatës së Apelit, që ndër të tjera detyron Malltezin mos të ketë kontakte me asnjë person, është duke u respektuar apo jo.

Vendimi i gjyqtares Olldashi, shënon rastin e parë që një i pandehur i akuzuar për korrupsion pasiv nga SPAK, i zbutet masa e sigurisë pas apelimit.

Në sallën e gjyqit, siç u bë e ditur nga publikimi i fjalës së tij të plotë pas lirimit nga qelia e paraburgimit, 1 muaj pasi u vendos në pranga, Malltezi ishte shprehur se vetja i dukej si në gjyqet politike të vitit 1945, ku pronarët ishin armiqtë e pushtetit popullor.

Jamarbër Malltezi akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

SPAK thotë se ai ka përfituar 5.4 milionë euro gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ndërsa ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv. Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.

Pasi liroi nga burgu Malltezin, Apeli la në fuqi masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar dhe nën hetim për aferën e klubit sportiv “Partizani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë