Drejtësia

Dosja ‘Partizani’ / GJKKO liron nga burgu Jamarbër Malltezin, Apeli lë në fuqi masën për Sali Berishën

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”, i akuzuar për "korruspion pasiv" për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

Ndërsa avokati Genc Gjokutaj, bëri me dije se për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk është ndryshuar masa e sigurisë, “detyrim paraqitje”, edhe ky i akuzuar në bashkëpunim me dhëndrin e tij për këtë aferë.

“Siç ju njoftuam dje, gjykata shpalli vendimin duke miratuar për pjesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezin dhe duke caktuar masën e sigurimit, atë të arrestit në shtëpi. Sigurisht kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, sepse Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti”, tha Gjokutaj para mediave.

Masat ndaj tyre u vendosën në 20 tetor, ndërkohë që ishte zbatuar vetëm ajo për Jamarbër Malltezin dhe biznesmenin Fatmir Bektashi, pasi Sali Berisha refuzoi të paraqitet në SPAK.

Vendimi është marrë nga një trup gjykues që drejtohej nga gjyqtarja Iliriana Olldashi. “Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi vendosi miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Sali Berisha. Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Jamarbër Malltezi, si më poshtë: Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit Jamarbër Malltezi, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit Jamarbër Malltezi në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër”, thuhet në komunikimin për media të gjykatës.

Më 14 nëntor, avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj.

Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.

Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase dërguan edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë