Ngjarje

“Bed & Bunker”, ose të kthesh një vendstrehim komunist në hotel

Kudo nëpër Shqipëri kanë mbetur me mijëra bunkerë betoni, të ndërtuar nga vitet 1960 deri në vitet 1980, gjatë qeverisjes komuniste të Enver Hoxhës. Shqipëria pati një histori të trazuar pas luftës. Duke u frikësuar nga pushtimi i Jugosllavisë, Greqisë, NATO-s dhe madje ish-aleatit Bashkimit Sovjetik, Hoxha ishte i bindur se në vend që të mbështeste llojin e mbrojtjes me taktikat partizane që çliruan Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore, ai duhej të fortifikonte të gjithë vendin. Ideja ishte që në vend që të krijohej një ushtri profesionale, çdo shqiptar do të duhet të merrte armët dhe do të barrikadohej në bunkerin më të afërt në rast të pushtimit. Por natyrisht, asnjëherë nuk pati pushtim dhe  kostoja e ndërtimit të bunkerëve shtoi rrënimin e ekonomisë shqiptare. Këto ndërtesa u shpërfillën pas rënies së shtetit komunist dhe u lanë në harresë. Por tani ato na shfaqen në një format tjetër: Disa qytetarë i kanë kthyer në biznese.

Bunkeri i kthyer në qëndër tatuazhesh nga Mark Djetroshani

Mark Djetroshani, një artist tatuazhesh, ka kthyer një bunker në Shkodër në një sallon të pikturimit të trupit. I vendosur 8 km nga kufiri malazez, gjatë verës ai ka klientë të shumtë që vijnë nga jashtë shtetit.

"Kam njerëz që vijnë nga e gjithë bota", thotë ai. “Më pëlqen vendi im i punës, është pranë shtëpisë dhe mund të shkoj sa herë të dua”, shton ai. Ndërsa shumë bunkerë të tjerë që kanë qenë më në pranë qyteteve, janë kthyer kohë pas kohe në bare, piceri apo edhe hotele të vogla.

Përdorimi i tyre ka ngjallur interes tek inxhinierët dhe projektuesit brenda dhe jashtë vendit. Saimir Kristo, zëvendësdekani i Universitetit POLIS në Tiranë, ishte pjesë e ekipit në projektin "Bed & Bunker"; një projekt kërkimor mes universitetit POLIS në Shqipëri dhe FH-Mainz në Gjermani. Profesorët dhe studentët nga të dyja institucionet, punuan dhe rikonstruktuan disa bunkerë ekzistues duke i kthyer në hostele për turistët.

“Shqipëria është një vend i bukur dhe bunkerët mund të shërbejnë për të akomoduar turistë. Gjithashtu, mund të funksionojnë si një muze i vogël për të treguar traditat shqiptare të çdo zone. Mundësitë janë të pakufizuara. Potenciali ekonomik i bunkerëve të papërdorur, sipas mendimit tim, është i pabesueshëm. Jo vetëm për qëllimin e konvertimit të bunkerëve të veçantë në hapësirat funksionale të përdorura nga individët, por për shkak të numrit të tyre të lartë. Kështu që  mund të paraqesin vlera të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar”, thotë Kristo.

Saimir Kristo, zëvendës dekani i universitetit POLIS, Tiranë

Arkitekti shqiptaro-kanadez Elian Stefa, gjithashtu mori pjesë në një tjetër projekt që ishte i ngjashëm me "Bed & Bunker" dhe që quhej “Konfederata e Kërpudhave”, e cila përmban propozime dhe udhëzime për restaurimin e bunkerëve të braktisur.

Zhvillimet e këtyre projekteve kanë synuar rritjen e turizmit, për ta bërë Shqipërinë edhe më shumë të vizituar nga turistët. Megjithatë, ekzistenca e një skeme të tillë në një shkallë të madhe është vënë në pikëpyetje, pasi gjatë ngjarjeve të  vitit 1997, që u shkaktuan nga rënia e skemave piramidale, shumë bunkerë janë vandalizuar ose shkatërruar. Përpos këtij fakti, profesor Kristo është optimist për ruajtjen dhe zhvillimin e ardhshëm të bunkerëve.

“Është për të ardhur keq që disa prej tyre po shkatërrohen kryesisht për të shitur hekurishtet për skrap. Duhet të merren masa për mbrojtjen e tyre dhe të nisë plani për restaurimin e tyre. Bunkerët janë struktura mjaft kontroverse, për shkak të asaj që përfaqësonin në të kaluarën. Sidoqoftë, ne do të arrijmë të konvertojmë simbolet e mëparshme të luftës, në simbole të paqes dhe mikpritjes,” shton ai./Forbes/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë