Njerez

BE harton plan me Britaninë dhe Shqipërinë për të luftuar trafikimin e emigrantëve

Plani me pesë pika synon të trajtojë krimin e organizuar në të gjithë Europën, si dhe trafikuesit e bandave që operojnë me varka

BE ka bashkuar forcat me Britaninë dhe Shqipërinë për të shtrirë luftën kundër trafikimit të njerëzve në të gjithë kontinentin, pas ndërhyrjeve të forta nga Giorgia Meloni dhe Rishi Sunak në samitin e 47 liderëve europianë në Spanjë, shkruan The Guardian.

Plani mori jetë në Granada gjatë takimit të liderëve ku pjesë janë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, liderët e Francës, Holandës dhe Shqipërisë Emmanuel Macron, Mark Rutte dhe Edi Rama dhe kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe.

“Udhëheqësit dolën nga takimi duke buzëqeshur dhe Rutte tha "problemi u zgjidh", shkruan The Guardian.

Macron u tha gazetarëve se kishin rënë dakord për një plan të ri prej pesë pikash për të ndërtuar dhe më pas për ta bërë të ditur për të gjithë anëtarët e EPC, për të filluar luftën e parë kundër trafikimit të emigrantëve.

Plani nuk do të trajtojë vetëm kriminelët që operojnë me varka por edhe krimin e organizuar në Europë dhe më gjerë.

“Ne do ta zgjerojmë këtë qasje pasi do të kemi mbështetjen e Komisionit Europian plus Shqipërisë dhe Britanisë dhe të gjitha vendet e tjera të gatshme për t'iu bashkuar iniciativës. Ne do të formulojmë një dokument prej pesë pikash dhe do ua prezantojmë anëtarëve të tjerë të EPC dhe kush do, mund të na bashkohet”, tha ai.

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak kërkoi që emigrimi të ishte në rendin e ditës që ditën e parë të samitit po kjo nuk u miratua, çka solli dhe një pakënaqësi nga ana e tij.

The Guardian shkruan se vetëm të mërkurën mbrëma, pas këmbënguljes së Sunak dhe kryeministres së Italisë, Meloni, kjo çështje u fut në axhendë.

“Një diplomat raportoi se kryeministri britanik ishte i frustruar që emigrimi nuk ishte në krye të agjendës dhe nuk mund ta kuptonte pse, pasi konsiderohet të jetë tema më e nxehtë politike si në BE ashtu edhe në Britani”, shkruan The Guardian.

Sunak po kërkon gjithashtu garanci se emigrimi do të mbetet prioriteti në samitin e ardhshëm të EPC, i cili është planifikuar të mbahet në Londër qershorin e ardhshëm.

“Ai tha se nëse emigrimi nuk është fokusi i EPC në takimin e vitit të ardhshëm, nuk ka kuptim ta mbajmë samitin”, tha një diplomat i lartë.

Burimet thonë se ai ishte gjithashtu i irrituar që një marrëveshje e re me agjencinë e mbrojtjes së kufijve të BE-së, Frontex, e cila do t'i jepte Mbretërisë së Bashkuar akses në inteligjencën e BE-së, nuk ishte nënshkruar ende.

Një burim tjetër tha se Sunak kishte refuzuar të konfirmonte detajet e se kur do të ishte samiti i ardhshëm, që do të mbahej në Britani.

Por pas futjes së suksesshme të emigracionit në axhendë, Britania e Madhe, BE dhe Shqipëria do të punojnë tani për zbatimin e planit të tyre prej pesë pikash dhe ftuan të 17 anëtarët e EPC që nuk janë anëtare të BE-së për t'u bashkuar me një aleancë në mbarë kontinentin kundër trafikantëve të njerëzve.

Ata do t'u ofrojnë vendeve të tjera ndihmë për të forcuar kufijtë e tyre dhe për të mbyllur trafikimin e njerëzve përmes strategjive të policisë dhe sigurisë.

Një dokument informues i parë nga The Guardian zbulon se ata do të punojnë gjithashtu në forcimin e misioneve të kërkim-shpëtimit për të shmangur një përsëritje të tragjedisë greke me varkë këtë verë, në të cilën vdiqën qindra emigrantë.

Përveç kësaj, ata do të intensifikojnë përpjekjet në Afrikë me "partneritete gjithëpërfshirëse me vendet kyçe për të adresuar shkaqet rrënjësore të emigrimit".

Dhe ata janë zotuar të punojnë në mundësitë për pranim dhe zhvendosje humanitare të atyre që kanë të drejtë për mbrojtje.

Javën e kaluar Komisioni Europian zbuloi se kishte 600,000 emigrantë që janë lënë në harresë në BE, në pritje të vendimeve për aplikimet për azil.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë