Treg

BB: Të ndryshojë skema e pensioneve në Shqipëri, e kërcënuar nga informaliteti

Banka Botërore në studimin më të fundit me titull "Mbrojtje për të gjithë: Ndarja e riskut në një botë të ndryshme dhe diversifikuese të punës", analizon mënyrën se si faktorë të ndryshëm vënë në dyshim realizimin e kontratës aktuale sociale në vendet me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta.

Sipas saj, sistemet aktuale të pensioneve publike në një periudhe jo shumë të largët do duhet të reformohen totalisht për të shmangur defektet që po shfaqin kudo në botë, edhe në vendet e zhvilluara.

Në vendet në zhvillim, deri në 80 përqind të punëtorëve fitojnë jetesën e tyre në ekonominë informale. Prandaj, politikat tradicionale të mbrojtjes sociale të bazuara në punësim nuk ofrojnë mbrojtje efektive nga rreziku dhe pasiguria.

Ndërkohë, në vendet më të pasura, ndryshimi teknologjik po ndryshon natyrën e punës, duke e bërë punësimin afatgjat më pak të zakonshëm. Puna po rritet gjithashtu më e larmishme me rritjen e gig ekonomi (ku mbizotërojnë kontratat afatshkurtra, part time dhe freelance).

Shqipëria bashkë më disa vende të Europës Lindore është e ekspozuar edhe nga fenomeni i plakjes së popullsisë që në vetvete sjell rënien e numrit të punonjësve dhe kontributeve në skemat e pensioneve, por edhe nga informaliteti i lartë i punës që gjithashtu përkeqëson deficitin.

Banka Botërore bën me dije se gjatë 2018-ës ekonomia informale dhe veçanërisht punësimi informal u rritën në mënyrë drastike në vende si Shqipëria, Bullgaria, Rumania, dhe Serbia. Gjithashtu edhe në pjesën më të madhe në vendet që dolën nga ish Bashkimi Sovjetik.
Informalizimi në rritje i punës përkeqëson dramatikisht ekuilibrin mes kontribuuesve dhe pensionistëve.

Ky ekuilibër, sipas raportit, rezultoi në defiçite të mëdha. Edhe kur normat e kontributeve ligjore ishin në nivele mbi 20 për qind.

Shumica e vendeve në rajon thjesht nuk ka indeksuar pensionet me inflacionin dhe për të zbutur deficitin kanë rritur në mënyrë periodike pagën minimale.

Për shkak të mosfunksionimit në të cilin do të përfshihen skemat aktuale te pensioneve, disa vende kanë përcaktuar pension të sheshtë për të gjithë.

Sfida afatgjatë e plakjes së popullsisë për politikën fiskale me të cilën përballet shumica e vendeve me të ardhura të larta janë po aq të frikshme. Në vitin 2016, shpenzimet mesatare të pensioneve në vendet e Bashkimit Evropian (BE) tejkaluan 10 për qind të GDP. Kjo normë është shumë e lartë kur krahasohet me nivelet në vendet me të ardhura të ulëta të mesme.
Në Japoni, plakja e shpejtë e popullsisë gjatë 50 viteve të fundit e ka bërë modelin kontribuues gjithnjë e më të vështirë në një ambient pa rritje ekonomike. Autoritetet japoneze me ligj kanë përcaktuar që një pjesë të ardhurave nga TVSH-ja të përdoren për të financuar pensionin bazë në masën 50%.

Gjermania tani po përballet me presione të ngjashme demografike si Japonia dhe po përshtat financimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në përputhje me rrethanat.
Shembujt më të vjetër të vendeve që zgjodhën të financojnë sistemet e pensioneve nga buxheti i përgjithshëm janë Australia dhe Zelanda e Re. Kjo e fundit prezantoi një pension universal të sheshtë në vitin 1891 dhe e ka ruajtur atë, ndërsa Australia aplikon një skemë të ngjashme.

Banka Botërore në këto kushte propozon një qasje mbrojtëse ndaj punonjësve dhe një mjedis pune gjithnjë e më të larmishëm.

“Në nivel global natyra e punës po modifikohet. Kjo do të thotë që mbrojtja sociale - një komponent thelbësor i çdo kontrate shoqërore - duhet të riorganizohet për t'u bërë më pak e varur nga ku ose si punon një person" tha Michal Rutkoëski, Drejtor Global për Mbrojtjen Sociale dhe Praktikat Globale të Punësimit. “Objektivat e politikës së ndarjes së risqeve mbeten thelbësore: lehtësimi dhe parandalimi i varfërisë, mbrojtja nga rreziku dhe pasiguria dhe ndihma e familjeve për të rregulluar konsumin e tyre gjatë gjithë jetës. Por si vendet i arrijnë këto objektiva duhet të përshtatet me një botë në ndryshim e sipër të punës", shtoi ai.

Raporti sugjeron se modeli i sigurimeve shoqërore nuk i mbron më njerëzit. Për shembull, në Bangladesh, Indi, Indonezi, Nigeri dhe Pakistan - të cilat së bashku kanë rreth një të tretën e popullsisë së botës - mbulimi i sigurimeve shoqërore për punëtorët mbetet në shifra individuale dhe ka ndryshuar pak vitet e fundit.

Truman Packard, ekonomist kryesor i Bankës Botërore dhe autor kryesor i punimit është shprehur se "Problemet lindin kur natyra e punës ndryshon dhe përplaset me politika të ngurta të qeverive. Në vend që t'i mbrojnë punëtorët nga ndryshimi, qeveritë tani duhet t'i ndihmojnë ata të përshtaten dhe ti mbështesin për të ndryshuar gjatë tranzicioneve të punës".

Ndërsa qeveritë përballen me kufizime të burimeve dhe kapaciteteve në të gjithë botën, propozohet një qasje "universalizmi përparimtar", duke mbuluar së pari nevojat e njerëzve më të varfër dhe më vulnerabël, pastaj duke u zgjeruar në familjet e tjera bazuar në nivelin e nevojës, drejt qëllimit të mbulimit universal. Raporti zbulon se përparimi i teknologjive dixhitale dikton përçarje, por gjithashtu mund të jetë një mjet kryesor për të mobilizuar burimet e taksave dhe për të ofruar mbrojtje sociale në mënyrë më efektive, efikase dhe të barabartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë