Interviste

BB: Shqipëria ka ngecur në reformat për energjinë

Sabina Veizaj - Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim në një intervistë për Gazetën “Si”, shpalos gjithë problematikat që po përjeton sektori energjetik në Shqipëri; që nga problemet financiare, të mungesës së theksuar të eficencës dhe mungesën e furnizmit cilësor me energji.

Znj. Salim përshkruan projektet në këtë sektor që kanë gjetur mbështetjen e Bankës Botërore dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të mos vuajë riskun e sektorit i cili tashmë varet vetëm nga natyra duke e bërë këtë sektor të paqëndrueshëm.

“OSHEE ende nuk ka përfunduar zyrtarisht procesin e ndarjes të kërkuar ligjërisht dhe aktualisht, nuk është në gjendje të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme për të qenë në gjendje të mbulojë investimet kapitale”, shprehet Znj. Salim e cila shton se “më shumë duhet të bëhet për reformat që kërkohen për një rritje të qëndrueshme afatgjatë të sektorit.”

Për Bankën Botërore vendi çalon në zbatimin e angazhimeve për eficiencën e përdorimit të energjisë. BB sugjeron se investimi në eficiencën e përdorimit të energjisë në ndërtesat publike do t’i lejonte Shqipërisë të bënte përparim të rëndësishëm në këtë drejtim. Ai gjithashtu do të kontribuonte në uljen e kostove në sektorin e energjisë dhe uljen e kërkesës për energji.

Sektori energjitik vazhdon ta ekspozojë qeverinë ndaj rreziqeve domethënëse financiare. Cilat janë shkaqet kryesore të këtyre rreziqeve? Si mund të trajtohen rreziqet financiare që vijnë nga prodhimi i hidrocentraleve?

Maryam Salim, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Pothuajse i gjithë prodhimi i energjisë elektrike në vend vjen nga hidrocentralet. Si rezultat, prodhimi i energjisë elektrike varet shumë nga sasitë e rreshjeve përgjatë stinëve dhe ndër vite. Kur prodhimi i energjisë bie në periudha me rreshje të pakëta dhe kur rezervuarët nuk kanë mjaftueshëm rezerva ujore, sektori energjitik në Shqipëri duhet të blejë energji elektrike nga jashtë. Dhe kur periudha e rreshjeve të pakëta përkon me çmime te larta ndërkombëtare të energjisë, kjo rezulton në humbje të mëdha financiare për ndërmarrjet shtetërore të energjisë elektrike në Shqipëri dhe qeveria detyrohet të ndërhyjë.

Plani i Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit të Energjisë në Shqipërisë (PRFSE), i mbështetur nga Banka Botërore përmes Projektit të Rimekembjes të Sektorit të Energjisë Elektrike, përcakton një agjendë ambicioze të reformave për të përmirësuar performancën e sektorit, cilësinë e shërbimit, qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore në sektorin e energjisë, reagimin ndaj pasigurive hidrike dhe, së fundi, për të lehtësuar sektorin nga stresi i lartë financiar. Plani për qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit ka katër shtylla kryesore:

  1. Ulja e humbjeve në shpërndarje përmes investimeve publike;
  2. Rregullimin e tregut përmes krijimit të Bursës Shqiptare të Shkëmbimit të Energjisë;
  3. Shtimi i kapacitetit dhe diversifikimi i energjisë përmes investimeve private;
  4. Zbatimi i një plani për zbutjen e riskut hidrologjik për të zvogëluar ndjeshmërinë ndaj varësisë nga moti;

Siguria e furnizimit me energji elektrike dhe një rrjet teknikisht i efektshëm janë thelbësore për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar konkurrencën në ekonominë e Shqipërisë. Rrjeti i energjisë elektrike duhet të funksionojë sipas një modeli që siguron një bazë të fortë dhe financiarisht të qëndrueshme.

Një menaxhim i efektshëm i shpërndarjes së energjisë elektrike dhe diversifikimi i potencialit të gjenerimit të energjisë kërkohet për të pasur një furnizim të sigurt dhe qëndrueshmëri financiare. Në mënyrë që të kufizohet varësia nga moti në prodhimin e energjisë, Shqipëria duhet të diversifikojë furnizimin përmes: (i) përdorimit të gazit natyror (nga tubacioni Trans-Adriatik - TAP) dhe zbatimin e programit të prodhimi te energjisë elektrike nga gazi natyror (rikomisionimi i TEC-it te Vlorës), dhe (ii) rritjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme siç është ajo diellore apo nga era. Për më tepër, duhet të miratohet nga sektori i energjisë një mekanizëm për zbutjen e rreziqeve hidrologjike që të përmirësohet siguria e furnizimit dhe zvogëlohen kostot e furnizimit (kostot e importit). Një mekanizëm i tillë për zbutjen e rrezikut mund të përfshijë krijimin e një fondi të stabilizimit financiar, hua të kushtëzuar dhe sigurim nga kushtet e motit për të mbrojtur sektorin nga paqëndrueshmëria si përsa i përket reshjeve ashtu edhe çmimit të energjisë elektrike.

Banka ka përgatitur një Studim mbi politikat në sektorin energjetik, të cilin e ka ndarë me qeverinë dhe palët e interesuara të sektorit .

OSHEE ka konfirmuar se kriza ka varfëruar financiarisht institucionin dhe i ka kërkuar ERE-s që të shtyjë marrëveshjen për kushtet e cilësisë, duke shtyrë kështu afatin e investimit në 69 projekte nga shtatori 2019 ashtu siç ishte planifikuar fillimisht në vitin 2025. Cili është mendimi juaj për këtë?

Performanca e sektorit është drejtuar më shumë drejt zbatimit të masave veprimeve që do të përmirësojnë situatën e menjëhershme financiare të sektorit. Është bërë punë domethënëse për uljen e humbjeve të energjisë elektrike në shpërndarje dhe rritjes së arkëtimeve. Situata financiare e sektorit është përmirësuar falë zbatimit të disiplinës së pagesave nga familjet dhe klientët tregtarë, gjë që duhet të zbatohet edhe nga klientët buxhetorë dhe jopublikë.

Megjithatë, më shumë duhet të bëhet për reformat që kërkohen për një rritje të qëndrueshme afatgjatë të sektorit. OSHEE ende nuk ka përfunduar zyrtarisht procesin e ndarjes të kërkuar ligjërisht dhe aktualisht nuk është në gjendje të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme për të qenë në gjendje të mbulojë investimet kapitale.

Progres mund të bëhet vetëm nëse: (i) rrjeti i shpërndarjes menaxhohet nga një kompani e veçantë e pavarur nga çdo veprimtari tjetër e shpërndarjes së energjisë, siç është veprimtaria e furnizimit me energji elektrike; kjo ndarje do të rriste efektshemerinë e operimit dhe shpenzimeve kapitale dhe do të zhbllokonte qasjen në kapital me kosto të ulët nga institucionet financiare ndërkombëtare, (ii) prioritizohen investime duke u përqendruar në ato që janë më të nevojshme; dhe (iii) planifikohen, në të ardhmen e afërt, mundësitë për pjesëmarrje të kapitalit privat dhe investimeve në rrjetin e shpërndarjes.

Në fakt, përfundimi i procesit të ndarjes do të ndihmonte OSHEE-që në aktivitetin e shpërndarjes kostot (pra edhe tarifat) të mbeten të pandryshuara pavarësisht situatave të ndryshme hidrologjike. Sipas rregulloreve ekzistuese, në përputhje me acquis të BE-së, aktivitetet e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë kanë të garantuar mbulimin e plotë të kostos, duke përfshirë funksionimin dhe shpenzimet kapitale, investimet e duhura për uljen e humbjeve gjatë shpërndarjes dhe përmirësimet në aksesin e palëve të treta (prodhuesit dhe klientët) në rrjetin e shpërndarjes. ERE mund të konsiderojë dhe aprovojë tarifat e përdorimit të rrjetit shpërndarjes në nivele të ndryshme të tensionit të rrjetit dhe të përmirësojë ato të transmetimit.

Megjithë reformat, sektori i energjisë nuk është në parametrat e BE-së ku Shqipëria synon të integrohet. Çfarë reformash janë të nevojshme në sektorin e energjisë elektrike, veçanërisht në lidhje me cilësinë e furnizimit dhe financat e qëndrueshme në sektor? Çfarë duhet bërë dhe a do të kontribuoni ju si Bankë në këtë sektor në mënyrë të vazhdueshme?

Mungesat e përsëritura të energjisë për shkak të luhatjeve të reshjeve, humbjeve relativisht të larta në rrjetin shpërndarës dhe tarifave të rregulluara që nuk mbulojnë kostot, kanë rezultuar në një kërkesë të vazhdueshme për mbështetje financiare nga qeveria. Kjo situatë nuk është e qëndrueshme, dhe është e nevojshme të kryhen reforma për: i) forcimin e sigurisë së furnizimit përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë dhe forcimit të integrimit rajonal; ii) përmirësimin e efikasitetit të sistemit të shpërndarjes duke zvogëluar humbjet dhe duke përmirësuar arkëtimin e parave; iii) mbështetje për përmirësimin e tregut të energjisë elektrike dhe iv) ndërmarrjen e reformave prioritare në sektorin e energjisë për të krijuar një treg konkurrues që do të tërheqë investime private, ndërsa zvogëlon rreziqet fiskale për qeverinë.

Këto reforma janë pjesë e Planit të Rimëkëmbjes dhe konsolidimt Financiar të mbështetur nga Banka Botërore. Megjithatë, implementimi i Planit është shtyrë dhe riaktivizimi është i domsdoshëm. Përgatitja dhe aprovimi i një Plani Veprimi është i domosdoshëm. Ndërmarrja shtetërore e shpërndarjes së energjisë OSHEE duhet të riorganizohet / ndahet në: "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes" dhe "Shitje me pakicë e konsumatoreve tarifor".

Kjo ndarje duhet bërë për të ndarë sistemin e shpërndarjes dhe atë të furnizimit në dy biznese të veçanta me parametra të ndryshëm ekonomikë. Kjo gjithashtu do të sigurojë qëndrueshmërinë e tyre financiare nën një strukturë konkurruese të tregut të energjisë. Bursa e Shkëmbimit të Energjisë (APEX) dhe tregu Shqiptar i Balancimit (ABM) duhet të bëhen funksionalë. Sektori i energjisë po shkon drejt një strukture tregu të parregulluar.

Kjo do të thotë që çmimet e energjisë elektrike do të përcaktohen nga forcat e tregut, dhe subvencionet e çmimeve për konsumatorët do të hiqen gradualisht. OSHEE, përmes miratimit nga ERE, do të mbështetej për të deregulluar (liberalizuar) edhe klientët e Tensionit të Mesëm (20/10/6 kV), perveç atyre 35 kV.

A do të vazhdojë Banka Botërore të mbështesë OSHEE-në? Ju keni miratuar një projekt prej 150 milionë eurosh në vitin 2014 që sektori i energjisë të kryejë reforma. A janë përmbushur pritjet për investime?

Aktualisht ka dy projekte në zbatim në sektorin e energjisë në Shqipëri me financim të Bankës Botërore: (i) Projekti i Sigurisë së Digave (71.8 milionë USD): për të përmirësuar sigurinë e digave dhe kapacitetin e digave në kaskadën e lumit Drin; dhe (ii) Projekti i Rimëkëmbjes së Energjisë (150 milionë USD): për të përmirësuar besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit të energjisë përmes zvogëlimit të humbjeve në shpërndarje, përmirësimit të matjes, faturimit dhe mbledhjes, dhe mbështetjes së kalimit në një treg konkurrues të energjisë. Ne po punojmë me strukturat zbatuese për të përmbushur objektivat e projekteve në zbatim.

Banka gjithashtu po mbështet sektorin shqiptar të energjisë në drejtim të zhvillimit të rrjetit të transmetimit dhe optimizimit për të integruar gjenerimin shtesë nga energjia e rinovueshme, veçanërisht nga dielli dhe era.

Së fundmi, ekonomia shqiptare është më shumë përdoruese e energjisë sesa mesatarja e vendeve të OECD-së (do të thotë më shumë energji përdoret për të prodhuar një sasi të caktuar mallrash dhe shërbimesh sesa në vendet e tjera), dhe vendi çalon në zbatimin e angazhimeve për eficiencën e përdorimit të energjisë sipas legjislacionit të Komunitetit të Energjisë.

Investimi në eficiencën e përdorimit të energjisë në ndërtesat publike do t’i lejonte Shqipërisë të bëntë përparim të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ai gjithashtu do të kontribuonte në uljen e kostove në sektorin e energjisë dhe uljen e kërkesës për energji. Analizat e fundit tregojnë se zbatimi i programit per eficiencën e energjisë vetëm në sektorin publik ul kërkesën për energji në një masë të barabartë me 10% të importeve të energjisë elektrike në Shqipëri. Banka ka bërë studime dhe ofruar këshillim se si të zhvillohen mekanizma të qëndrueshëm financimi për investime të efikasitetit të energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë