Suadela Balliu - Policë që tërheqin njerëz të trembur, të pagjumë, të uritur e të leckosur, të marra netëve prej shtëpive vetëm me teshat e trupit, që ngarkohen nëpër kamionë me rimorkio të hapura si të ishin bagëti që nisen drejt thertoreve, gra që shtrëngojnë në gji fëmijët, burra të drobitur e kokulur, pleq me sy të shtangur pa ditur se cila do të jetë e ardhmja e tyre, nëse do të ketë të ardhme, të nesërme...Skena të tilla, mbërthyer me fotografi mbresëlënëse bardhezi, të sjellin ndërmend ata dhjetëra filma, prodhime hollivudiane e europiane rreth Holokaustit të popullit hebre gjatë nazizmit. Një tjetër shfarosje, po aq absurde dhe e tmerrshme i ka gjurmët ende të njoma dhe jo aq larg, nëpër kampet e Aushvic- Birkenaut apo Dakaut.
Mes asaj turme të frikësuar njerëzish që ngjiten nëpër Zisët e shtetit, që sapo ka instaluar diktaturën e cila do të rezultojë një prej më jetëgjatave dhe të tmerrshmeve në të gjithë Bllokun e Lindjes, është edhe Azizi; një djalosh që sapo i ka mbushur të katërmbëdhjetë vitet, i burrëruar herët, për t’u kujdesur për kullën, nënën e dy motrat, që i ati – i shtrënguar për t’iu larguar vendit – ia ka lënë amanet. Ishte pranvera e vitit 1948, por asgjë nuk erëmonte më ngrohtësi. Kutërbonte tmerr.
Në nëntëdhjetë minuta, gazetarja Luljeta Progni sëbashku me regjisorin Gentian Kurti, sjellin në ekranin e madh të kinema “Millenium”, historinë e njërit prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit, jo nazist, por komunist. Ndryshojnë vetëm cilësimet e krahëve të skajeve politike, por jo trajtimet që të dy kahet e mbushur me të çmendur që mendojnë se zotërojnë më në fund rendin e epërm e me të duhurin për njerëzimin kanë qenë njëlloj çnjerëzore. I ka prekur të gjithë Aziz Ndreu; nga kampi i Kuçovës, drejt Beratit, nga Turani në Tepelenë dhe forca për të mbijetuar e për t’i rrëfyer një ditë të gjithë ato vuajtje të shkaktuara shqiptarit prej shqiptarit.
Një vit më parë, kur e takoi dhe dëgjoi prej Azizit ato tmerre, jo të panjohura në familjen e saj që e kishte vuajtur në lëkurë përndjekjen dhe persekutimin e pushtetit komunist, Luljeta Progni fliste me aq zjarr rreth kësaj historie, që ndryshe ngase kishte bërë për vite me radhë duke shkruar e botuar histori të vërteta, rrëfyer prej gojëve dhe syve që i kishin parë dhe vuajtur, ajo vendosi të realizojë një film. “Fillimisht mendova t’i botoja në një libër, por duke i dëgjuar herë pas here arrita të kuptoj që shumë prej këtyre materialeve do të ktheheshin në histori statistikore të zakonshme sido që t’i shkruaje. Po ashtu publiku i librave për fat të keq është duke u zvogëluar, ndërsa e shihja me vend që këto histori, këto emocione, duhet t’i ndaja me sa më shumë njerëz, madje edhe me ata që kanë lindur këtë mijëvjeçar. Mendova se një film do të ishte mediumi i duhur për këtë arsye, edhe pse nuk kisha përvojë në realizimin e një filmi të gjatë”, rrëfen Progni për Gazetën “Si” .
“Fillimisht mendova t’i botoja në një libër, por duke i dëgjuar herë pas here arrita të kuptoj që shumë prej këtyre materialeve do të ktheheshin në histori statistikore të zakonshme sido që t’i shkruaje."- Luljeta Progni
Një vit më pas, filmi erdhi për një publik të përzier, mes familjarëve të atyre që kanë vuajtur në burgje e kampe internimi, njerëzve të politikës që nuk mungojnë të shfaqen në kësi rastesh, njerëz të artit, të medies e të rinjve, shumë prej universiteteve apo gjimnazeve, të nxitur nga mësues e pedagogë për të njohur një histori edhe pse të vonë, të mes shekullit 20-të, të mjegulluar e veshur thuajse me petkun e mitologjisë, ku veç njohjes me statusin e të përndjekurve të regjimit komunist, viktimat ende nuk i kanë parë persekutorët të marrin dënimin për krimet. Rezultati, të paktën në sallën e tejmbushur të kinemasë, ku publiku kishte zënë edhe çdo cep të shkallëve, është tronditja.
Fare të paktë janë ata që munden t’i përmbajnë lotët kur dëgjojnë vajtimet e nënave tek qajnë netëve në dritë kandili fëmijët që ua merr uria, dizenteria, drobitja , apo kur sheh të vegjël që hanë copën e gurtë të bukës së misrit, aq të shumëpritur me stomakun bosh prej ditësh e ditësh, si të ishte manaja e shenjtë e zbritur hebrenjve prej Hyjit në shkretëtirë, nuk i shpëton dot dridhmave që përshkojnë mishtë kur sheh sesi çmendet nusja e re malësore – interpretuar nga aktorja Suela Bako – kur i vdesin të dy djemtë, vogëlushë që nuk jetuan më shumë se dy a tre vjet. Ka aq shumë skena tronditëse, që të bëjnë të frikesh se në çdo kohë – një sistem çnjerëzor të marrësh që shohin armiq irrealë të një dogme të keqkuptuar që në gjenezë – jeta mund të të bëhet e pasigurt.
Në kampet ku ka qenë Azizi kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera disa prej të cilave tregohen edhe nga të mbijetuar të tjerë të atyre kampeve, madje disa prej tyre tregohen nga më shumë se tre apo katër prej tyre. “Ngjarja e Cuklinës që i vdesin në duar të njëjtën ditë binjakët, gjendet në rrëfimet e Aziz Ndreut, Lekë Pervizit dhe Klora Merlikës e treguar në të njëjtën mënyrë”, zbulon Progni, ndërsa shton se në të gjithë skenarin nuk është ndryshuar asnjë emër apo ngjarje “vetëm për të mos ndryshuar asgjë nga ajo që ka ndodhur, edhe pse në këndvështrimin artistik kjo mund ta dëmtojë filmin.” Të vetmet informacione që në film nuk vijnë nga të përndjekurit politikë, janë statistikat zyrtare të shifrave të familjeve të internuara, të cilat shfaqen me titra.
Për producenten dhe skenaristen, Luljeta Progni, filmi zbulon atë që për shtatëdhjetë vjet ka qenë e fshehur prej pushtetarëve shqiptarë. Terrori komunist i shfryrë me inatin djallëzor kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Ajo çka filmi ka bërë – edhe pse i ka rindërtuar artistikisht ngjarjet – është vendosja pas në kohë e kamerës, në vitet 1948 e deri më 1954-ën në disa prej kampeve më famëkeq: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë. Ishin vitet e para të persekutimit nga regjimi komunist, që pas shtatëdhjetë vitesh sërish hap debate relativizuese, nëse ka qenë shfarosës, nëse mundet apo nuk mundet të krahasohet me kampet naziste, nëse ata njerëz kanë përjetuar vërtet ato tmerre.
Gjatë rrëfimeve një prej të intervistuarve, atëherë 12-vjeç, më tregoi se pas vdekjeve të shumta të fëmijëve dhe të të moshuarve gjatë verës së vitit 1949, në Turan, i dukeshin vdekjet aq të zakonshme sa nuk çuditej më. Kishte ndryshuar konceptin për ndarjen nga kjo jetë”,
“Ndërtimit i skenarit ishte vërtet një udhëtim në kohë. Gjendesh mes atyre njerëzve që i kanë dëbuar nga vendlindja, nuk kanë mundur të marrin me vete asgjë, dhe fillojnë një kalvar të gjatë vuajtjesh në kushte të tmerrshme, kur nënat nuk kanë mundësi t’i ndihmojnë fëmijët të mbajnë shpirtin gjallë. Gjatë rrëfimeve një prej të intervistuarve, atëherë 12-vjeç, më tregoi se pas vdekjeve të shumta të fëmijëve dhe të të moshuarve gjatë verës së vitit 1949, në Turan, i dukeshin vdekjet aq të zakonshme sa nuk çuditej më. Kishte ndryshuar konceptin për ndarjen nga kjo jetë”, tregon Progni. Në kampin e Kuçovës, sipas rrëfimeve të të mbijetuarve, të internuarit jetonin në kasolle me kallama dhe baltë, pranë lumit Osum, detaj të cilin Progni dhe Kurti e kanë sjellë të pasqyruar në film. Në këtë kamp të internuarit dërgoheshin gjatë muajve të verës dhe kryesisht gratë punonin nga mëngjesi deri në darkë në bujqësi, fëmijët dhe të moshuarit prisnin në kamp, ndërsa të rinjtë dhe burrat i çonin në kampet e punës në ndërtim apo hapjen e kanaleve dhe tharjen e kënetave.
Azizi, portreti i vuajtur i plakut tashmë 86-vjeçar, i cili shfaqet në fund të filmit, i pranishëm gjatë premierës, në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kujtesës” që ka përfshirë të gjithë kryeqytetin, rrëfen se i ka ende të gjalla, para syve të gjithë hollësitë e vuajtjeve që ka kaluar. I prekur ndërsa ndoqi në ekran historinë e tij e u kthye të ishte edhe njëherë djaloshi 14-vjeçar, që mblidhte dru në kodra e pyje, që rrihej nga policët, por edhe që ndihmonte të internuarit e sëmurë, duke u shndërruar në ndihmës-infermier, Aziz Ndreu thotë se është gati, kurdoherë ta rrëfejë historinë ashtu të pasur me të gjithë hollësitë, siç edhe ka ndodhur. Azizi e mori vesh se po bëhej një film, ku ai ishte personazhi kryesor, vetëm javën e fundit të xhirimeve, pikërisht për skenën e fundit kur ai hyn në kasollen ku lindi fëmija e tij i parë.
“I kisha marrë një intervistë të gjatë rreth katër orë para një viti dhe, pasi vendosa të zgjedh Azizin si personazh kryesor, filluam xhirimet në mars. Fillimisht mbylljen e kisha menduar me një pjesë të asaj interviste, por duke diskutuar me stafin na u duk më mirë sikur Azizi i vërtetë të bëhej pjesë e filmit dhe menjëherë mora në telefon djalin e Azizit, i cili sigurisht e mirëpriti ftesën”, thotë gazetarja. Regjimi komunist shpërnguli me dhunë nga shtëpitë e tyre mijëra familje, kryesisht fëmijë, gra e të moshuar, shumë prej të cilëve nuk u kthyen kurrë në vendlindje. A dukej Korabi i tij i dashur prej lartësive të kalasë së Beratit? Po baba ku po vuante vallë ndarjen prej familjes?
Kampi i Tepelenës “më trazon shpirtin shumë më tepër se sa kujtimet e nënës sime”, shkruan Progni. “Kam dëgjuar shumë rrëfime për këtë copëz toke, që mban brenda saj shpirtra të trazuar fëmijësh, grash e të moshuarish.”Nëse deri më tani, pak është bërë për t’u kthyer të paktën drejtësinë, pasi jeta iu mor pa kthim, Progni duket se këtë e ka mision për brezat; t’u rrëfejë historinë e Shqipërisë, nën komunizëm, të atyre njerëzve që hëngrën supë barishtesh për të shuar zhurmën e urisë, që shkuan në shkollë zbathur e pa libra, e megjithatë ishin nxënës të mirë e me dashuri për dijen, e atyre që u rrethuan brenda telave me gjemba, fjetën në shtretër të zhveshur druri, ngjeshur e ngjeshur me njëri tjetrin, shtretër që ishin edhe hapësira e një dhome për dhjetë vetë.
Progni, e cila në vend të një dokumentari ka zgjedhur të realizojë një film artistik –ndoshta edhe për ta sjellë ndikimin tek shikuesi më të drejtpërdrejtë, më emocional, pa pasur nevojën e sqarimeve të ftohta që do të vinin nga një narrator jashtë tablosë së ngjarjeve – e cilëson krijimin e saj artistik, si të vetmin mjet për të kujtuar e për ta bërë shoqërinë të vetëdijshme për të shkuarën e errët. Megjithëse kienastët shqiptarë pas ndërrimit të sistemeve kanë sjellë në trille artistike , në të gjitha mënyrat plagët e tranzicionit kryesuar nga trafiku i qenieve njerëzore, prostitucioni e krimi organizuar, numërohen me gishtat e një dore ata filma që kanë pasur si subjekt plagët dhe vuajtjet gjatë komunizmit. Epërsia e Prognit, e cila është jashtë botës së kinematografisë, gjuhës filmike dhe teknikave regjisoriale, është se ka arritur të realizojë një film artistik me një skenar, jo bazuar në ngjarje të vërteta, por i mbështetur në njëqind përqind në rrëfimet origjinale të të mbijetuarve, duke u bërë kështu i pari film i këtij lloji. Duke shkelur çdo kod moral, çdo konventë ndërkombëtare, regjimi komunist në shenjë hakmarrje ndaj kundërshtarëve persekutoi pa mëshirë edhe mijëra fëmijë, gra e të moshuar. Shumë prej tyre u çuan drejt vdekjes duke përdorur si armë urinë e sëmundjet e pashmangshme në kushte higjienike të papërballueshme.
“Për ta nuk u fol kurrë për katër dekada. Për ta u fol shumë pak edhe për 28 vitet e fundit dhe kjo jo pa qëllim. Politika shqiptare mban mbi vete turpin e fshehjes së atyre krimeve makabre, turpin e përpjekjeve për të tjetërsuar ato krime nëpërmjet alibive të rreme për të përfituar mbështetje politike”, thotë Progni, ndërsa vijon të shpjegojë, sipas saj, përse ky komunitet shqiptarësh që vuajtën gjatë regjimit janë ende të margjinalizuar. “Komuniteti i të përndjekurve do të vazhdojë të jetë i margjinalizuar për sa kohë nuk e kthejmë vëmendjen drejt së shkuarës me dinjitet e me vëmendjen e duhur, për sa kohë që nga klasa politike nuk mbahet një qëndrim i prerë e i unifikuar për krimet e komunizmit dhe për sa kohë që në faqet e librave të historisë shqiptare ato vuajte të mijëra shqiptarëve për 45 vjet përmblidhen në vetëm dy paragrafë.”
Producentja rrëfen më tej se pati fillimisht një mëdyshje nëse do të realizonte një film dokumentar apo një artistik. “Pas disa bisedimeve me bashkëpunëtorët e filmit vendosëm që të bënim një film artistik, por të mos mungonte as informacioni i nevojshëm, në mënyrë që filmi të përcillte sa më tepër emocion, pra ta përfshijë sa më tepër shikuesin dhe të japë informacion.”Një aventurim i gazetares drejt botës së kinematografisë, megjithëse qëllimi i saj nuk ishte prurja e një produkti artistik, për artin, por për kujtesën. Bashkëpunimi me një regjisor të ri, i cili e kishte “Azizi” të parin film me metrazh të gjatë në karrierën e tij dhe me aktorët amatorë e figurantë e bëjnë këtë film, jo për t’u gjykuar nga ana artistike, por për t’u përgëzuar për një nismë që e tejkalon artin, por edhe dokumentimin e ngjarjeve; i shkon historisë njerëzore në më të errëtat e saj, jo vetëm për të përkujtuar, por edhe lajmëruar rreth pasojave që sjellin mjetet dhe sistemet diktatoriale.
Përveç aktores Suela Bako, zbulon Progni, të tjerët janë aktorë amatorë, të zgjedhur jo me kriterin e “biografisë” nëse dikush do të pyeste nëse ndonjë prej tyre kishin një histori personale me përndjekjet dhe ato kampe, por u zgjodhën për t’iu përafruar personazheve të cilët duhet të interpretonin. “Gjatë xhirimeve m'u afrua një e moshuar figurante dhe më tha se në sheshxhirim kishte edhe njerëz që nuk ishin të persekutuar, madje që kishin qenë të privilegjuar në regjimin komunist. I thashë, se ne nuk do bëjmë atë që kanë bërë ata, nuk do t'i përjashtojmë nëse ata pranojnë të bashkëpunojnë për një film si ky.”
Gjatë xhirimeve në kampin e internimit të Tepelenës, kujton Progni, dy të internuar nuk kishin pranuar të vinin. Nuk donin më ta kujtonin ath kohë. Të gërmosh në dhimbje, , sado të shkuara të jenë, nuk mundet ta shmangësh plagën e gërvishtur të mos rrjedhë gjak. “Kur po mblidhja historitë e para, pas disa ditëve e ndërpreva punën dhe vendosa të mos vazhdoja më”, kujton Progni, duke mos e mohuar tronditjen që pësoi. “Pastaj mendova se, dikush duhet ta bëjë këtë punë. Nuk ka mundësi që të lihen në harresë ato që kanë ndodhur, ndërsa të mbijetuarit kanë mbetur shumë pak dhe ndërkohë nga institucionet shtetërore as që pritet ndonjë përpjekje serioze për të arkivuar atë periudhë të errët pa shtrembërime e deformime.”
“Për ta nuk u fol kurrë për katër dekada. Për ta u fol shumë pak edhe për 28 vitet e fundit dhe kjo jo pa qëllim. Politika shqiptare mban mbi vete turpin e fshehjes së atyre krimeve makabre, turpin e përpjekjeve për të tjetërsuar ato krime nëpërmjet alibive të rreme për të përfituar mbështetje politike”-Luljeta Progni
Me shpresën se brezat e rinj që do i dëgjojnë dhe shohin tmerret dhe vuajtjet e së kaluarës do të bëjnë edhe ndryshimin, Progni zgjodhi edhe të bashkëpunojë me atë brez të ri, që nuk i kishin as përjetuar, por as dëgjuar tmerret e diktaturës. “Edhe pse i ri, dhe pa shumë njohuri për atë periudhë si shumë prej moshatarëve të tij, Genti u përfshi në projekt dhe mund të them që jo vetëm arriti t'i japë filmit një nuancë ndryshe nga filmat shqiptarë tradicionalë, por vuri aty gjithë shpirtin e tij”, thotë Progni, ndërsa i referohet regjisorit Kurti. “Njerëzit janë gjithmonë të ndjeshëm për ngjarje të tilla, sepse nuk ka njeri që të mos ketë në shpirt humanizmin, dashurinë për njeriun, dëshirën për të vendosur të drejtën dhe paqen. Gjithë pjesëtarët e ekipit ishin të rinj dhe kishin dëgjuar shumë pak për atë periudhë, por ditën që xhiruam skenën e Cuklinës, me aktoren e mirënjohur Suela Bako, gjithkush që ishte në sheshxhirimi mbeti si i ngrirë, disa nga figurantët filluan të përloteshin dhe na u desh pak kohë të merrnim veten për të përsëritur skenën”, zbulon Progni.
Nga ana e tij, regjisori Gentian Kurti, i lindur në vitin 1989, kur erërat e ndryshimit të sistemeve kishin nisur të frynin tashmë, thotë se informacionet rreth periudhës së komunizmit që kishte marrë deri së fundi, para realizimit të filmit ishin të përcipta. “Ishte pikërisht kurioziteti për të mësuar më shumë mbi këtë periudhë, për të njohur historitë njerëzore të veçanta, që më shtyu të bëhesha pjesë e realizimit të këtij filmi”, thotë Kurti, ndërsa Progni e kishte njohur paraprakisht me disa prej intervistave të realizuar me viktimat e përndjekjes së regjimit komunist. “Njohja me këto histori më bëri që ta ndjeja realizimin e këtij filmi jo thjesht si një formë detyrimi profesional. Doja që këtë rrëfim ta bëja më real, nëpërmjet një mediumi të tillë si filmi, ndryshe nga si është pasqyruar më parë me shkrime, botime apo dokumentarë”, vijon regjisori.
"Edhe shumë nga shqiptarët që nuk kanë qenë në kampe internimi e burgje kanë vuajtur pasojat e një regjimit terrorist dhe shumë prej tyre meritojnë vëmendje. Askush nuk ka qenë i lirë" - Luljeta Progni
Si profesionist e di fuqinë që ka tragjikja në shkundjen e ndërgjegjeve të spektatorëve, por si njeri rrëfen se ka vuajtur pas çdo historie. “Ndërkohë që ndërtonim skenat e vendosja veten në vendin e personazheve të vërtetë të historisë, si e kishin përballuar atë jetë. Këto emocione doja t’ia shmangia vetes , të qëndroja i ftohtë, por njëkohësisht doja që t’i nxirrja në pah, në mënyrë që ata që e shohin t’i përjetojnë këto emocione”, vijon Kurti, ndërsa thotë se ka punuar shumë me ndërtimin e karaktereve negativë, të policëve, njerëz të cilët sistemi i zhveshi nga empatia dhe humanizmi.
A i ka zbehur koha kujtimet, e kanë zbutur zemëratën e të vuajturve gjithë këta vite, ku dosjet e përndjekjeve, me të persekutuar e persekutorë sapo kanë nisur të hapen, a është relativizuar dhimbja e këtyre njerëzve prej opinionit të gjerë? “Për fat të keq Shqipëria gjithmonë ka qenë vendi më i varfër në Evropë dhe vendi që i ka respektuar më pak liritë dhe të drejtat e njeriut. Edhe shumë nga shqiptarët që nuk kanë qenë në kampe internimi e burgje kanë vuajtur pasojat e një regjimit terrorist dhe shumë prej tyre meritojnë vëmendje. Askush nuk ka qenë i lirë dhe me një ekonomi të mirë”, thotë Progni
Kam dëgjuar raste të familjeve që janë shuar deri në katër breza. Kam dëgjuar për të mbijetuar që u ka ndryshuar jeta përgjithmonë... Por, përsëri kam gjetur aq shumë kurajë tek ata, aq shumë dashuri. - Luljeta Progni
“Mendoj se është me rëndësi të kthejmë në kujtesë të kaluarën tonë, ciladoqoftë, me qëllim që historia të mos përsëritet në çfarëdolloj forme.” Progni zbulon se do të vazhdojë misionin e saj për të sjellë në vëmendje, më fuqishëm zërin e atyre që iu mohua jo vetëm liria, por edhe ekzistenca. “Mund të them se sapo kam filluar. Nuk dua të them që do vazhdoj të bëj filma si ky apo ndonjë zhanër tjetër, por do vazhdoj të informoj publikun shqiptar për të vërtetat e fshehura dhe padrejtësitë që i janë bërë gjithë shqiptarëve, madje jo vetëm në periudhën e regjimit komunist. Mund të jetë një film, libër, studim, shkrim gazete apo status në mediat sociale...”
Me të dalë titrat e fundit në ekranin e madh të kinema “Millenium”, Progni rrëfen se u mësy nga njerëz që e falënderonin, në emër të familjeve të tyre, të vuajtura. A do të mund të vendoset drejtësia në vendin e saj, pas 26 vitesh jetë të shoqërisë demokratike dhe politikës pluraliste? “Disa gjëra nuk kthehen më”, thotë Progni. “Kam dëgjuar raste të familjeve që janë shuar deri në katër breza. Kam dëgjuar për të mbijetuar që u ka ndryshuar jeta përgjithmonë... Por, përsëri kam gjetur aq shumë kurajë tek ata, aq shumë dashuri. Ata janë njerëz që kanë falur, që nuk kanë urrejtje në shpirt, që përpiqen gjithashtu të kërkojnë sadopak pozitivitet nga njerëzit që e shoqëruan jetën e tyre të vështirë”.
Progni zbulon se sapo ka realizuar edhe një film dokumentar, në burgun e Spaçit, i cili do të shfaqet së shpejti. “Po ktheheshim nga Spaçi, bashkë me Gëzim Çelën, i cili ka kryer 22 vite burg gjatë regjimit komunist, shumicën prej tyre në Spaç. Realizuam intervistën atje dhe, kur po ktheheshim, rrugës u ça goma e makinës. Ndaloi një makinë nga e cila zbriti një burrë rreth të dyzetave e na pyeti a donim ndihmë. I thamë po dhe telefonoi menjëherë një mikun e tij pastaj erdhi edhe vetë aty. Kur rregulluam gomën na pyeti pse kishim qenë në Spaç dhe i treguam. Pastaj pyeti kush ka qenë në burg? I tregova Gëzimin. Iu drejtua Gëzimit: A e njihje një polic aty në burg, ndërsa i përmendi emrin.“Po si nuk e njihja!” ia ktheu Gëzimi. “Unë jam i biri” -ia ktheu tjetri. Pasi Gëzimi e pyeti si ishte, zotëria i tha se kishte vdekur para disa vitesh. “Ishte burrë i mirë”, tha Gëzimi.”
I shtrënguar ta lërë përparësen e bardhë të infermierit, që ishte munduar t’ua lehtësonte sadopak mundimet atyre që lëngonin në internim, Azizin tashmë të mbetur vetëm, pa nënën dhe motrat, fati jo bujar e hedh në barakat e Myzeqesë, ku larg vendit të tij të lindjes do të qëndronte edhe për 37 vjet të tjerë. Në atë barakë ku i lindi i biri, rikthehet për të çelur derën e së shkuarës, ndërsa portreti i tij i përlotur është monument i dhimbjes dhe i qëndresës. Shpresë për jetën? Të paktën për të jetuar aq sa t’ua rrëfejë të tjerëve, të rinjve në moshën e tij, kur iu dogj kulla e u rrëmbye me nënën e motrat për t’u përplasur kampeve të internimeve, atë që vuajti ai dhe mijëra të tjerë pa e ditur përse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.