Nga Gazeta Si- Numri i personave me çrregullime të spektrit të autizmit të njohur nga sistemi i aftësisë së kufizuar në Shqipëri është rritur gjatë viteve të fundit, por të dhënat tregojnë se mbështetja shtetërore vazhdon të jetë e fokusuar më shumë te përfitimet financiare sesa te shërbimet konkrete terapeutike dhe rehabilituese.
Sipas raportit të Qëndresës Qytetare, bazuar në të dhënat e Shërbimit Social Shtetëror, numri i përfituesve me spektër autizmi u rrit nga 1,986 persona në vitin 2020 në 2,422 persona në vitin 2024. Megjithatë, në vitin 2025 ky numër ra në 2,315 persona, një ulje prej 107 përfituesish. Raporti vlerëson se kjo rënie mbetet e pashpjeguar, pasi të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion nuk japin arsye për ndryshimin.
Pavarësisht rritjes së numrit të personave të identifikuar nga sistemi, aksesi në shërbime mbetet i kufizuar. Në vitin 2025, nga 2,315 persona me autizëm që përfitonin pagesë të aftësisë së kufizuar, vetëm 869 merrnin shërbime aktive në qendra. Kjo do të thotë se rreth 38% e përfituesve kishin akses në terapi, rehabilitim apo shërbime komunitare, ndërsa rreth 1,446 persona mbeteshin jashtë mbulimit të drejtpërdrejtë me shërbime.
Raporti evidenton se Shqipëria ka një rrjet formal shërbimesh, me 84 qendra për persona me aftësi të kufizuar, prej të cilave 56 janë publike dhe 28 jopublike. Megjithatë, shkruhet në raport, numri i qendrave nuk garanton domosdoshmërisht cilësinë apo përshtatjen e shërbimeve ndaj nevojave të personave me autizëm, pasi mungojnë të dhëna të plota për kapacitetet, intensitetin e terapive dhe rezultatet e tyre.
Edhe mbulimi territorial paraqitet i fragmentuar. Në raport janë identifikuar 60 struktura në 12 qarqe, por për disa qarqe si Korça, Lezha, Gjirokastra, Vlora, Fieri, Shkodra, Kukësi dhe Berati, të dhënat përqendrohen kryesisht te emrat e shërbimeve dhe nuk japin informacion për numrin e përfituesve me autizëm, kapacitetet apo grupmoshat e mbuluara.
Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e shërbimeve për të rriturit me autizëm. Pjesa më e madhe e qendrave janë të orientuara drejt fëmijëve dhe adoleshentëve, duke mbuluar zakonisht grupmosha nga 2 deri në 16, 18 apo 21 vjeç. Sipas intervistave të përfshira në raport, shërbimet për adultët janë shumë të kufizuara. Një prej qendrave raporton vetëm 3 të rinj ose të rritur në shërbim logopedie, ndërsa një tjetër ka 13 përfitues ditorë përballë mbi 125 të rriturve të regjistruar.
Edhe arsimi gjithëpërfshirës, përballet me probleme në zbatim. Në sistemin parauniversitar janë angazhuar 2,564 mësues ndihmës, por vetëm 48.4% e mësuesve të përfshirë në studimin e cituar kishin marrë trajnim të specializuar për fëmijët me autizëm. Ndërkohë, 92.2% e tyre shpreheshin se kishin nevojë për trajnim shtesë.
Raporti nënvizon se pagesat financiare nuk mund të zëvendësojnë nevojën për terapi dhe shërbime të specializuara. Pagesa bazë e aftësisë së kufizuar prej rreth 158 eurosh në muaj mbulon vetëm rreth 6–7 seanca terapi private, ndërsa një seancë kushton mesatarisht 20–25 euro.
Për shumë familje, kostoja e trajtimit është një nga pengesat kryesore. Sipas një interviste të përfshirë në raport, një fëmijë me autizëm mund të ketë nevojë për të paktën 3 orë terapi në ditë. Me një kosto prej 20–25 eurosh për orë, shpenzimet mund të arrijnë 60–75 euro në ditë dhe rreth 1,000–1,200 euro në muaj.
Sipas Qendresës Qytetare, sistemi shqiptar e njeh autizmin në aspektin administrativ, por ende nuk ka ndërtuar një zinxhir të plotë mbështetjeje gjatë gjithë jetës. Mbështetja mbetet e përqendruar te pagesa e aftësisë së kufizuar, fëmijëria dhe disa qendra shërbimi, ndërsa nevojiten politika më të plota për terapi të vazhdueshme, mbështetjen e familjeve, përfshirjen sociale, punësimin dhe jetesën e mbështetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje