Biznes

Antiinformaliteti – U dogjën tatimet, përvëlohet turizmi

Është paradoksale se si qeveritë tona turizmin e shohin parimisht si “lopën për t'u mjelë”, si sektori më i rëndësishëm për t'i dhënë hov ekonomisë dhe njëkohësisht nuk e lënë atë të marrë frymë, pasi që çdo ngjarje me ndikim në psikologjinë e njerëzve dhe ekonomi e zhvillojnë në fillim të sezonit turistik ose në pik të tij; si zgjedhjet, ashtu edhe operacionet a fushatat antiinformalitet të blinduara me policë e dosje nën sqetull.

Kriza ekonomiko-financiare globale e vitit 2008, e cila kishte dhënë efektet e saj edhe në Shqipëri, duke ndikuar në dobësimin e biznesit, sistemin bankar, e çoroditjen e konsumatorëve, zgjerimin e Borxhit Publik, uljen e të ardhurave në arkën e shtetit, u bë shkak që me ardhjen në pushtet, Rilindja të merrte frerët e ekonomisë dhe të niste aksionet për të ligjëruar ekonominë e zezë dhe gri me drita të kuqe emergjence.

Pesë vite më parë kujtoj që ndiqja nga afër fushatën antiinformalitet dhe asistoja në një aksion në një bar pranë “Zogut të Zi”. Ishin plot 5 punonjës të hetimit tatimor që kërkonin me emergjencë hapjen e kompjuterit dhe të gjithë dokumentacionin e biznesit në fjalë.
Biseda nëpër tavolina u fokusua vetëm tek aksioni dhe një pjesë e njerëzve nisën të largoheshin me radhë…

Në atë kohë për të mbushur arkën e zbrazët të shtetit u punësuan 500 tatimorë të rinj me kontratë të përkohshme dhe u lëshuan nëpër Shqipëri.

Vetëm një muaj pas sulmit tatimor në ditët e para të nëntorit 2015 tatimet rezultuan të kishin përmirësuar lehtësisht nivelin e të ardhurave krahasuar me muajin precedent.
Sipas të dhënave për periudhën 1 deri më 26 tetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ishte 0.1% mbi objektivin e saj të të ardhurave, duke siguruar 16.11 miliardë lekë të ardhura neto në total (duke mos llogaritur rimbursimet).

Sipas të dhënave, të ardhurat në këto 26 ditë, ishin 12% më shumë se në tetorin 2014. Përjashtuar nivelin e rritjes ekonomike të pretenduar nga qeveria prej 2.7% dhe inflacionin, rezultonte se të ardhurat ishin rritur rreth 7%.

Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat tatimore ishin 1.2% më të larta se plani mujor. Sipas të dhënave të përditshme, të ardhurat tatimore ishin 6.5% më shumë se në tetorin 2014.
Për mënyrën si u bë aksioni ndikoi shumë keq tëk biznesi, i cili pësoi shumëfishimin e masave ndëshkimore, presionet, kërcënime me burg.

Por ajo që është më e rëndësishmja, sulmi antiinformalitet nuk rezultoi me asnjë të dhënë pozitive në financat publike për 4 muajt e fundit të vitit 2015. Në atë periudhë mosrealizimi për pjesën e dytë të vitit dhe për vitin në tërësi në gati 20 miliardë lekë, arriti në gati 36 miliardë lekë.

Represioni me të cilin u krye fushata antiinformalitet dhe gjobat e majme për shkelësit, përfshirë edhe burgun, me anë të ligjit të ri për procedurën tatimore rënduan së tepërmi klimën e biznesit duke frenuar investimet dhe cilësinë e të bërit biznes.
Viti 2015 shënoi një rënie të të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruti në 23.9% nga 24% që e mbylli vitin precedent.

Efekti i aksionit pati të njëjtën ecuri dhe në fillimvitin e 2016-ës, por më pas në gjysmën e dytë të vitit aksioni antiinformalitet ndryshoi formë duke iu larguar qasjes repressive të kontrollove të befta nëpër biznese e duke u zhvilluar mbi një strategji në bazë riskun.
2016 shënoi rritje të të ardhurave të tatimeve 24.6% në raport me PBB, por në nivelin e vitit 2008.

Mandej aksioni antiinformalitet u zbeh dalëngadalë dhe nga Ministri Ahmetaj nisën të dëgjohen projeksione dhe realizime të papara ndonjëherë në ekonominë shqiptare duke nisur nga të ardhurat në tatime e dogana, rimbursimi i TVSH-së, punësimi, ulja e borxhit publik, etj teksa në vend vazhdohej të punohej në dy investime strategjike si TAPI dhe HECI i Devollit.

Por ndërsa dy investimet po shkonin drejt fundit, mungesa e të ardhurave në arkën e shtetit nisi të ndjehej.

Kryeministri Rama për shkak të mosrealizimit të të ardhurave në dogana e tatime ndryshoi dy herë resht në krye të tre muajve kreun e përgjithshëm të tatimeve.

Nuk mjaftoi me kaq, në pikun e sezonit turistik qeveria vendosi të lëshojë dorën e hekurt të aksionit antiinformalitet tek hotelet, baret –restorantet, hidrtokarburet, etj.
Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave tregojnë se në gjashtë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar rezultuam 6.3 miliardë lekë ose 52 milionë euro më pak se plani.

Të ardhurat nga TVSH janë gjithashtu 16.5 milionë më të ulëta edhe se sa një vit më parë.
TVSH sjell rreth 30 për qind të të ardhurave totale që mblidhen në buxhet, prandaj qeveria është panikosur.

Përpos TVSH-së, performancë negative kanë shënuar edhe akcizat e taksat kombëtare.
Sipas Ministrisë së Financave, në gjysmën e parë të vitit të ardhurat nga akciza ishin 1.3 për qind më pak se plani, kurse taksat kombëtare rezultuan me 10.1 për qind mosrealizim.

Operacioni Antiinformalitet, Denaj: Do të përshkallëzojmë gjobat

Ministrja e Financave Anila Debaj në një konferencë për shtyp ditën e sotshme deklaroi se operacioni antiinformalitet do të vazhdojë për gjatë, do të jetë një process që do të shpjerë ekonominë në shina dhe kjo do të bëhet qoftë edhe me përshkallëzimin e gjobave duke ndryshuar Kodin e procedurave Tatimore. Sipas ministres Denaj, kjo masë synon të parandalojë subjektet që t’i shpëtojnë masave ndëshkuese me anë të vendimeve gjykate, apo të “marifeteve” të tjera.

Të dhënat që raportoi ministrja Denaj kanë të bëjnë me 2000 subjekte të inspektuara në fushën e hoteleri-turizmit. Nga të cilat, 1400 subjekte ose 38% e tyre kanë rezultuar me probleme në sigurimin e punonjësve. Sipas saj këto subjekte janë regjistruar në Booking, por nuk kanë përfaqësues për të formalizuar procedurat e deklarimeve të subjekteve në Shqipëri.

Gjithashtu janë kontrolluar 231 karburante. Në 1200 subjekte do vendosen plumbçet në të gjitha njësitë. Edhe tek cigaret, pijet alkoolike-vazhdojnë kontrollet, edhe për të cilat ministrja Denaj deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj tyre.

Po ashtu në fushën e ndërtimit do të kontrollohen160 subjekte me rënie në xhiro. “Janë përcaktuar 20 subjekte e mëdha që do të inspektohen. 10 subjekte në shkelje të referuara në Prokurori.”- tha ministrja Denaj.

Çfarë thonë shoqatat e turizmit

Shoqatat dhe bizneset e turizmit mendojnë se përpos klimës së nderë politike, turizmi po goditet edhe nga fushata antiinformalitet.

Zak Topuzi kreu i Shoqatës së Turizmit në Shqipëri dhe Kliton Gërxhani kreu i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike gjykojnë se turizmi patjetër që duhet formalizuar, por kjo bëhet përmes një reforme dhe strategjie të qartë e jo në pikun e sezonit.

“Turizmi një muaj pik ka për të nxjerrë të ardhura, prêt gjithë vitin për këtë moment, si mundesh ti në mes të ditës ngre turistin e huaj nga shezloni me arsyen se pronari i hotelit nuk ka paguar tatimet. Tani kujtohesh? Kjo duhej bërë më parë, jo në pikun e sezonit. Po bëhemi të papranueshëm për të huajt. Nuk tregojmë në këtë mënyrë që e duam turizmin dhe duam ta bëjmë. Sigurisht që ekonomia dhe turizmi duhen formalizuar, por duke patur 50% të ekonomisë në të zezë, nuk mund ta bësh me aksione, me policë dhe duke larguar turistët”- shprehet për Gazetën “Si” Zak Topuzi.

Sipas tij edhe ligji për sistemin e ri të deklarimit duhet menduar mirë që të mos sjellë problem tek biznesi dhe kosto shtesë. Ai thotë se bizneset e turizmit kanë kërkuar që ligji I ri të parashikojë faturat e hapura siç janë në të gjithë botën, mungesë e cila në sistemin actual ka sjellë gjobitjen e qindra bizneseve.

“Nëse unë në hotel kam një prenotim në grup prej 300 vetash, nuk mund të bëj 1000 fatura. E lë të hapur dhe fatura mbyllet me totalin që bëhet në fund transaksioni në bankë. Ne kemi struktura të brendshme që monitorojmë të gjitha hallkat. Nuk mundet hetimi tatimor të vijë 10 minuta, shikon një gabim tek kamarieri dhe vendos gjobën e majme. Ne evidentojmë vetë kamarierë që na vjedhin. Tatimet duhet të vinë të rrijnë disa orë të kuptojnë gjithë sistemin” – thotë Topuzi.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Kliton Gërxhani i ATOA-s. Edhe për të, aksioni që po ndërmerret tani për informalitetin në plazhe është i nevojshëm por i vonuar.
Situata në plazhe ka dalë jashtë kontrrollit, sqaron ai për Gazetën “Si”, sepse nuk ka një bazë ligjore të qartë, ka mbivendosje kopetencash ose vakum ligjor, dhe rrjedhimisht edhe kontrrolli dobësohet.

“Edhe reagimi i Kryeministrit për centralizimin e menaxhimit të plazheve, është konkluzion i një situate të tillë, që gjërat nuk zgjidhen as me ushtri as me polici, kur nuk mban më kupa, por zgjidhen me një legjislacion të qartë, që pa filluar sezoni. Kjo qeveri krijoi AKB-në që në fillimin esaj, dhe ne e përshëndetëm këtë gjë, duke parë situatën kaotike në plazhe. Por AKB doli pothuajse jashtë loje, sepse nuk u dëgjua për të aprovuar një draftligj që vinte rregulla dhe kërkonte pikërisht centralizimin e menaxhimit të plazheve, gjë që po kërkon pikërisht tani 4-5 vite më vonë Kryeministri.”- argumenton Z. Gërxhani duke shtuar se “bashkitë dhe komunat e kanë patur këtë mundësi prej 20 vitesh dhe fakti që katandisemi të dërgojmë policinë në mes të dites në mes të sezonit për të mbajtur shezlonet në kurriz, tregon që më e mira nuk kanë qenë në gjendje ta menaxhojnë këtë mundësi që u është dhënë, dhe më e keqja, kanë abuzuar me të. “

Prandaj, sipas tij, edhe pse mund të luhet përsëri karta e “cënimit të decentralizimit”, nuk ka zgjidhje tjetër veç centralizimit të kësaj situate deri sa shteti të krijojë kuadrin ligjor, të investojë në infrastrukturën përkatëse (ujrat e bardha, të zeza, plehrat, energjia, çertifikimi, madje dhe mundësitë e trajnimit), që ata që do të aplikojnë për të menaxhuar këto plazhe, të plotësojnë standartet e duhura, por të gjejnë edhe kushtet bazë të infrastrukturës për ta kryer këtë biznes, që të shikojnë mundësinë që lekët që do vazhdojnë të investojnë, do ti marrin mbrapsht dhe do nxjerrin edhe fitim. Dhe kjo infrastrukturë, për Gërxhanin, duhet të ngrihet edhe në plazhet publike, jo vetëm private.
Në të kundërt, sipas tij, me plazhet tona do abuzohet; shërbimi që ofrohet do të jetë shumë i keq sado që të jetë çmimi, dhe njerëzit do të shkojnë të bëjnë plazhin e harxhojnë lekët në një vend të huaj për të njëjtin “dy shezlonë e një çadër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë