Dosje

Atentatet (edhe të dështuara) me snajper në Shqipëri, si u goditën shënjestrat në burgje dhe rrugë

Gazeta Si - Vrasjet me snajper nuk janë më një gjë e pazakontë në botën e krimit në Shqipëri. Ekzekutimi i fundit i 22-vjeçarit Gëzim Sinomataj në Vlorë në ballkonin e shtëpisë së tij, tregon prirjen e grupeve kriminale për të përmbushur misionin e tyre.

Mes tyre figurojnë vrasës me pagesë, por dyshime ka edhe për anëtarë të forcave speciale RENEA. Të cilësuar si profesionistë, ata, përveç se përmbushin objektivin, arrijnë të mos lënë gjurmë apo të përfshijnë persona të pafajshëm në aktin e tyre.

Rastet e ekzekutimeve me snajper apo tentativave për emilimimin e shënjestrave, nuk janë të pakta gjatë dekadave të fundit. Ngjarje të tilla kanë ndodhur në burgje dhe rrugë, ndërsa autorët kanë mbetur të paidentifikuar.

12 shtator 2022 - Akil Nerjaku, i njohur ndryshe si “Kili” i Shijakut, i shpëtoi mrekullisht një atentati të mirëmenduar. Sapo “Kili” doli nga mjeti i tij i blinduar G-Class, ai u qëllua me snajper nga brenda një furgoni. Ai arriti të shpëtonte, ndërsa plumbi ka përshkruar një tjetër automjet me targa të huaja që ishte i parkuar.

Ngjarja u regjistrua në zonën e plazhit më 12 shtator 2022 ndërsa plumbi ka prekur vetem një makinë e cila ndodhej në anë të rrugës.

7 janar 2020 - Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper përpara lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa rihapi plagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë në fillim të 2020-ës. Kastriot Reçi ishte lakuar prej kohësh për trafikim droge, edhe pse në fakt nuk ishte skeduar asnjëherë.

Reçi u ekzekutua në një plan të mirëorganizuar me një plumb të vetëm në zemër me snajper, që dyshohet nga vrasës me pagesë. Pasi takon një grua, e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet dhe bie menjëherë në tokë.

8 qershor 2020 – I dënuari me burg përjetë Ardian Çapja, një emër i njohur për drejtësinë dhe i lakuar në disa ngjarje kriminale, është qëlluar në shtëpinë e tij në lagjen “Emin Matraxhiu”, në Elbasan.

Një grup prej 5 personash dyshohet se u futen në lagje dhe qëlluan drejt tij me snajper dhe armë të tjera. Dy persona dyshohet se kanë qëlluar me armë, një tjetër ka qenë në drejtim të makinës dhe dy të tjerë janë pozicionuar për të ruajtur zonën, nga frika e ndonjë kundërpërgjigjeje.

Një nga plumbat e ka kapur Çapjen në shpatull. Kur është rrëzuar ai ka marrë edhe dëmtime në kokë. Por dyshohet se plumbi ka ardhur nga kodra përballë shtëpisë së tij dhe jo nga personat që ishin futur në lagje.

30 korrik 2016 -  Një atentat me snajper drejt një të paraburgosuri u regjistrua para rreth 6 vjetësh e gjysmë teksa ndodhet në ambientet e ajrimit. Arma e saktësisë së lartë u shkreh nga kodra pranë burgut të Vaqarrit, pranë Tiranës.

Sipas hetimit, shënjestër e atentatit ishte Gazmir Daci, por i plagosur mbeti një i dënuar tjetër, kosovari Lili Dule, i cili ndodhej në vendin dhe momentin e gabuar.

12 qershor 2015 - Një tjetër ekzekutim me snajper është edhe ai ndaj Xhabir Shegës (Vid Shega) në verën e vitit 2015 në Shkodër, pasi kishte kryer 12 vite burg për vrasjen e Indrit Bajrit në vitin 2001.

Me shënjestrën që kishin marrë autorët nga Kalaja e Shkodrës, dy plumba me snajper në gjoks, i morën jetën Shegës, teksa ndodhej në oborrin e banesës.

Shega dyshohet të ishte përfshirë edhe në një krim tjetër të ndodhur në vitin 1999 në një lokal në Shkodër, ku u ekzekutuan pesë persona njëkohësisht. Prokuroria nuk arriti ta vërtetonte kurrë se kush e ekzekutoi Shegën me snajper.

9 mars 2000 – Një ekzekutim mafioz ndodhi në burgun 313 në Tiranë para 24 vjetësh. Ilir Bardhi i izoluar në burgun 313 të sigurisë së lartë në Tiranë, ka mbetur i vrarë pas goditjes në kokë nga një plumb snajperi. Nga dritarja e pallatit vetëm 200 m larg burgut, autoeri ka qëlluar me një goditje të vetme me armën snajper tip zvicerane.

Ilir Bardhi, i izoluar në katin e tretë të burgut u shoqërua në Spitalin Ushtarak dhe ndërroi jetë rreth orës 15:30.

Pasi ka eliminuar objektivin e tij, vrasësi profesionist ka zbritur shkallët dhe ka hipur në një makinë që e priste poshtë me targa italiane, por nuk ka bërë më shumë se 5 metra rrugë dhe shoferi është përplasur me trotuarin. Në këto momente, si autori, ashtu dhe shoferi dalin nga makina dhe bëjnë të largohen.

Port efektivë të forcave speciale të ndodhur rastësisht aty, kur kanë parë dy të rinjtë me armë në duar u janë hedhur për t’i kapur. Specialet mundën të ndalojnë njërin prej tyre, kurse tjetri largohet.

Policia në vend ngjarje sekuestroi makinën, armën e krimit, snajperin zviceran, si dhe një automatik Tomson dhe dorezat e përdorura nga killeri.

Të arrestuar me snajper

Vitet e fundit, për të parandaluar ngjarje të tilla tjera kriminale, policia  ka arrestuar disa persona, të cilët janë kapur me snajper në makinë.

Mes personave që janë arrestuar, është edhe ish-polic i RENEA-s, Remal Rada, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 7 vjet e 9 muaj burgim.

Ndërsa në dhjetor 2023, policia e Kurbinit tha se prandaloi një ngjarje kriminale, ku një 21-vjeçar me iniciale M.D., u arrestua me dyshimin se do kryente një vrashe me snajper.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë