Rend dhe Ligj

Vrasja me snajper në Vlorë, të paktën 8 persona të shoqëruar

Gazeta Si - Të paktën 8 persona janë shoqëruar nga policia në Vlorë pas kontrolleve në disa banesa, si të dyshuar për vrasjen me snajper të Gëzim Sinomatit.

Deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar zyrtarisht, ndërsa shoqërimet e individëve me precedent penalë kanë ndodhur thuajse çdo mbrëmje.

Ngjarja në fjalë ka vënë në lëvizje dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, i cili për dy ditë me radhë ka qëndruar me grupin e hetimit.

Momentalisht nuk dihet ende cilat janë provat që policia ka mundur të sigurojë e që e ka çuar deri në gjurmët e të dyshuarve.

22-vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua mbrëmjen e së dielës së shkuar, dyshohet me snajper, teksa ndodhej në shtëpinë e tij, në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.

Në funeralin e të riut, mori pjesë me leje të posaçme edhe babai i tij Sokol Sinomati, i cili vuan dënimin në burgun e Peqinit për vrasje.

Dyshimet janë se autorët ishin të paktën 3 persona. Pas krimit, ata u larguan me një makinë që u gjet në flakë pak kohë më pas.

Viktima kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer nga Belgjika në Shqipëri, ndaj kundërshtarët e tij kishin marrë çdo masë të mundshme për realizimin e kësaj vrasje mafioze.

Brenda makinës së djegur u gjend arma e krimit dhe një bllok betoni që ka shërbyer si mbështetës për snajperin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë