Drejtësia

U akuzua së tentoi të vriste Gazmir Dacin në burg, Ergys Kolaveri shpallet i pafajshëm

Gazeta Si - Ergys Kolaveri është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë, duke rrëzuar akuzat për vrasjen e mbetur në tentativë me snajper për hasmëri të Gazmir Dacit në burgun e Vaqarrit në vitin 2016.

Plumbi nuk kapi Dacin, por një të dënuar nga Kosova. Atentati dyshohej të ishte bërë për motive hakmarrje, pasi Daci vrau Gazmir Kolaverin dhe plagosi Robert Kolaverin, të dy vëllezër të Ergys Kolaverit.

Çështja ishte rihapur në janar 2021 me qëllim përsëritjen e disa veprimeve hetimore. Kolaveri u shpall i pafajshëm, pasi nuk u arrit që të provohet fakti që ka kryer veprën penale të  “Vrasjes për gjakmarrje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjykata

Ngjarja ndodhi në 30.07.2016, në mjediset e ajrimit të Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale (IEDP), Vaqarr, në orën 16:31, ku është plagosur me armë zjarri shtetasi me iniciale L.D, i cili gjatë hetimeve ka rezultuar të ishte objektiv i gabuar i sulmit.

Lidhur më këtë ngjarje Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në datë 08.11.2017 vendosi ta shpallë fajtor të pandehurin Kolaveri dhe e dënoi me 18 vjet burgim.

Po ashtu ai u shpall i fajshëm për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, dhe u dënua me 4 vjet burgim, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, po me 4 vjet burgim.

Dënimit të tij iu shtua edhe akuza e “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, që i shtoi edhe me 1 vit burg tjetër.

Kështu, në bashkim të dënimeve Kolaveri u dënua në total me 20 vjet burgim.

Kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit për sa i përket masës së dënimit dhënë ndaj të pandehurit Kolaveri dhe dënimin e tij përfundimisht me 30 vjet burgim.

Ndërkohë vetë i pandehuri e ankimoi një dënim të tillë, duke bërë që ai të deklarohet si i pafajshëm, pasi nuk u arrit që të provohet fakti që ka kryer veprat penale.

Atentati i dështuar

Në vitin 2016, iu bë një atentat me snajper Gazmir Daçit në ambientet e brendshme të Burgut të Vaqarrit.

I dënuari ishte duke dalë në ambientet e jashtme të burgut, kur është qëlluar me snajper nga një kodër aty pranë.

Plumbi nuk ka kapur Gazmir Dacin, por një shtetas kosovar të dënuar. Autori ishte vendosur në një distancë të largët në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa shënjestra doli në ajrim për ta qëlluar me snajper.

Atentati u dyshua për motive hakmarrjeje, pasi Gazmir Daci ka vrarë Gazmir Kolaverin dhe ka plagosur Robert Kolaverin, të dy vëllezër të Ergys Kolaverit.

Historia e hasmërisë mes familjeve Kolaveri-Daci

Hasmëria e familjeve Kolaveri-Daci zë fill në vitin 2015, kur Gazmir Daci vrau vëllain e tij Valmir Kolaverin më 4 tetor 2015 dhe la të paralizuar vëllain tjetër Robert Kolaverin.

Vëllezërit Kolaveri kishin rrahur në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, vëllain e Gazmirit, pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët.

Me kthimin në Shqipëri, Gazmir Daci u kishte kërkuar llogari në një lokal, por sherri përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Gazmir Daci u dënua me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje, por vëllai i tretë Ergys Kolaveri, u akuzua se me anë të një snajperi tentoi të vrasë Gazmir Dacin pasditen e 30 korrikut të 2016, por doli ‘huq’, pasi plagosi kosovarin L.D.

Kolaverit iu gjet në automjet vetëm disa dylbi, por jo arma me të cilën tentoi të vrasë Gazmir Dacin. Në vitin 2017 ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 20 vite burg për tentativë vrasje, por pas apelimeve dhe mungesës së provave, Apeli e shpalli të pafajshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë