Ngjarje

Snajperisti si ushtarak, priti 4 orë Kastriot Reçin dhe me një plumb i mori jetën

Autori i vrasjes me snajper të Kastriot Reçit në qytetin e Rrëshenit ka qëndruar në pritje për më shumë se katër orë që viktima të dilte në shënjestrën e armës së tij .

Sipas skemës së zbardhur nga News24, personi i dyshuar mendohet se ka hyrë në pallatin 8-katësh rreth orës 6:45 minuta të datës 7 janar. Ai ka zbritur nga një makinë tip Mercedes Benz dhe ka ngjitur më pas shkallët e pallatit.

Për 10-15 minuta mendohet se ekzekutori ka zënë pozicion pas grilës së ulur në katin e tetë të pallatit në pritje të daljes së Kastriot Reçit në fushëpamjen që kishte prej andej.

Pritja ka zgjatur më shumë se katër orë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Kastriot Reçi është ekzekutuar rreth orës 10:55 minuta të paradites së 7 janarit. Nga ekspertiza që iu bë më pas trupit të viktimës rezultoi se plumbi i parë ka qenë fatal për viktimën, që e ka goditur në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Fushëpamja e snajperistit sipas News24, ku dyshohet se autori ka qëndruar në pritje për 4 orë

Mënyra e goditjes, saktësia e lartë nga një distancë prej 150 metrash dhe durimi për të pritur katër orë për të kryer ekzekutimin ushqejnë dyshimet se autori i vrasjes është një profesionist me armët e kalibrit të rëndë dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë edhe trajnim ushtarak për to.

Kastriot Reçi, person me precedent penal dyshohej se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogërave të forta. Në vitin 2017 atij i është vrarë vëllai, Gasper Reçi, në Itali. Aktualisht prokuroria është përqendruar tek pista e hakmarrjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë