Rend dhe Ligj

Lirohen 15 të shoqëruarit për vrasjen e Gëzim Sinomatajt, një makinë dyshohet se ndihmoi autorët

Gazeta Si - Pas më shumë se 18 orësh të ndaluar në komisariat, Policia e Vlorës ka lënë të lirë 15 personat e shoqëruar të dyshuar për vrasjen e Gëzim Sinomatajt.

Grupi hetimor nuk arriti të gjejë asnjë provë të vlefshme që mund të implikonte personat që policia kishte skeduar si të dyshuar.

Nga hetimet, policia lokale sipas grupit hetimor, ka pikasur një automjet që dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen nga vendngjarja, që sipas bluve rezulton i shitur në Vlorë, por pa akt shitje.

Dyshohet se ky automjet në pronësi të një shtetasi nga Elbasani ka larguar autorët nga vendi ku u dogj automjeti tip "BMW" me të cilin u krye atentati mafioz.

22-vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua mbrëmjen e së dielës së shkuar, dyshohet me snajper, teksa ndodhej në shtëpinë e tij, në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.

Në funeralin e të riut, mori pjesë me leje të posaçme edhe babai i tij Sokol Sinomati, i cili vuan dënimin në burgun e Peqinit për vrasje.

Dyshimet janë se autorët ishin të paktën 3 persona. Pas krimit, ata u larguan me një makinë që u gjet në flakë pak kohë më pas.

Viktima kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer nga Belgjika në Shqipëri, ndaj kundërshtarët e tij kishin marrë çdo masë të mundshme për realizimin e kësaj vrasje mafioze.

Brenda makinës së djegur u gjend arma e krimit dhe një bllok betoni që ka shërbyer si mbështetës për snajperin.

Pista kryesore e kësaj ngjarje dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes, pasi babai i viktimës, Sikol Sinomataj ka qenë pjesë e bandës së Gaxhait në vitin 1997 dhe aktualisht ndodhet në burg për vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë