Ngjarje

I akuzuar për krime kundër njerëzimit, ish-zyrtari i regjimit iranian do të gjykohet edhe në Durrës

Gjyqi kundër një ish-funksionari të lartë të regjimit  iranian, i akuzuar për krime kundër njerëzimit është zhvendosur nga Suedia në Shqipëri.

Për gati 2 javë, Durrësi do të shndërrohet në qendrën e një gjykimi shumë të rëndësishëm me efekt në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Gjykimi ndaj Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i një burgu në Iran, ka nisur më 10 gusht dhe vazhdon ende.

Akuzat ndaj tij datojnë prej korrikut të vitit 1988, kur mendohet se 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta.

Të gjitha viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive të fshehta. Mbi 90 përqind e viktimave ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.

Kështu, duke nisur nga kjo e mërkurë dhe deri më 19 nëntor, anëtarë të kampit Ashraf në Manëz të Durrësit (opozita iraniane në mërgim), do të dëshmojnë për krimet që ata denoncojnë se ka bërë Hamid Noury.

Hamid Nouri, ish-zyrtari iranian i gjykuar për krime kundër njerëzimit

Në një veprim të paprecedent, më 26 tetor në fillim të seancës, gjykatësi suedez shpalli vendimin se i gjithë trupi gjykues i Stokholmit do të zhvendoset në Durrës të Shqipërisë për dy javë.

Në Gjykatën e Durrësit, do të dëgjohen dëshmitë e shtatë dëshmitarëve kyç, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK-ut dhe banojnë në Ashraf 3, që është shtëpia e 2,800 anëtarëve të MEK.

Nisur nga rëndësia e këtyre dëshmive për çështjen, të gjashtë gjyqtarët, dy prokurorë, avokatë të palës paditëse, përkthyes, dhe avokati i Noury do të vijnë në Shqipëri.

Kjo është bërë e mundur pas një koordinimi mes drejtësisë suedeze dhe asaj shqiptare. Drejtësia shqiptare ka rënë dakord për të mundësuar zhvillimin e gjyqit në Durrës, i cili është qyteti më i afërt me Ashraf 3.

Një numër shumë i madh të mbijetuarish, dëshmitarësh dhe familjarësh të viktimave do të jenë në Durrës gjatë seancave gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë