Ngjarje

Asetet e krimit, si do shiten pronat e sekuestruara pa vendim gjykate

Bledar Hoti - Të gjitha pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara do të trajtohen nga një Agjenci e vetme dhe me një ligj të posaçëm. Qeveria ka miratuar projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, që synon krijimin e një regjistri të veçantë ku përfshihen edhe pronat e paluajtshme që sekuestrohen të krijuara nga krimi i organizuar . Ky institucion që deri më sot ka funksionuar me anë të VKM-ve dhe në varësi të Ministrisë së Financave, do të realizojë dhe menaxhimin e pronave, si shitjen apo dhënien me qira të pronave të paluajtshme, të cilat sekuestrohen me vendim gjykate.

Agjencia do të merret me pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;  pasuritë e bllokuara e të sekuestruara “Për masat kundër financimit të terrorizmit”; si dhe pasuritë, për të cilat është vendosur masa e sekuestrimit preventiv, sipas kreut VI, të Kodit të Procedurës Penale, dhe ato të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente sipas nenit 36, të Kodit Penal, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to. Gjithashtu parashikohet që të shiten edhe ato pasuri të tjera të luajtshme si makina, kompjuterët , pajisje IT, apo gjë e gjallë etj.

Sipas draftit, të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përftohen nga:
a) dhënia me qira e pasurive;
b) administrimi i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të tretëve i veprimtarive ekonomike;
c) interesat e përfituara nga depozitimi i vlerave monetare në llogari bankare apo bono thesari;
ç) të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara;
d) të ardhurat nga shitja e pasurive;
dh) të ardhura të tjera në çdo lloj cilësie a burimi të ligjshëm.

Pasuritë e konfiskuara sipas këtij projektligji do të shiten në ankand dhe shuma e krijuar do të depozitohet në një llogari të posaçme bankare. Shitja e aseteve do të realizohet pavarësisht se Gjykata nuk ka dhënë vendim përfundimtar për sekuestrimin. Në këtë rast, Agjencia do t’i kthejë vlerën e shumës së pasurisë së shitur, që sipas draftit duhet të jetë në vlerën e tregut.

“Kur vendoset revokimi i sekuestrimit, Agjencia bën kthimin e kundërvlerës së saj pronarit, sipas vendimit gjyqësor dhe parashikimeve të këtij ligji. Me marrjen dijeni të vendimit gjyqësor për revokimin e sekuestrimit, Agjencia, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve njofton personin që i është sekuestruar pasuria për datën e kthimit dhe për detyrimet që janë parapaguar nga shteti, të shoqëruara me dokumentacionin financiar përkatës”, thuhet në projektligjin e qeverisë.

Në rast se brenda 30 ditëve pronari nuk paraqitet për të rimarrë pasurinë e tij, atëherë ajo i kalon shtetit.

Shitja parakohe e pasurive të sekuestruara nga krimi para se Gjykata të japë vendimin e formës së prerë, argumentohet me periudhën e pritjes për një kohë të gjatë. “Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit. Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre”, thuhet në relacionin e qeverisë. Agjencia ka për detyrë që edhe të mirëmbajë objektet e sekuestruara, si dhe të realizojë edhe sigurimin e objekteve nga zjarri apo përmbytjet.

Shitja e pronave dhe frika e blerësve nga mafia

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara ka nxjerrë në shitje disa prej pronave të sekuestruara nga krimi i organizuar. Rastet më të fundit janë ato të pronave në Malësinë e Madhe, në Lezhë dhe në Sarandë, siç ishte hoteli “Santa Quaranta”, i cili sipas prokurorisë është në pronësi të Klement Balilit, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”. Agjencia nxori në shitje dhe ka publikuar vlerën fillestare të ankandit për hotelin luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë. Vlera paraprake që ka përllogaritur agjencia për këtë objekt është 336.666.029 lekë të reja. Por që deri më tani nuk është shitur asnjë pronë.

Hoteli Santa Quaranta në Sarandë

Gjatë gjashtëmujorit të vitit 2018 u sekuestruan 145 pasuri të paluajtshme, ndërsa në total sipas shifrave zyrtareve janë sekuestruar 32 milionë euro pasuri. Për vitin 2018 kanë qenë 354 pasuri të sekuestruara, ku 62 kaluan në varësi të shtetit, ndërsa 253 të tjera ishin objekt i shqyrtimit në gjykata.

Vetë drejtori i kësaj Agjencie, Drejtori i Agjencisë së Administrimit të  Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Artur Kala, pati deklaruar se pronat e sekuestruara nuk janë shitur për shkak se qytetarët kanë pasur frikë t’i blejnë këto prona, për shkak të pronarëve të mëparshëm të tyre. Kjo ka bërë që këto pronat të kalojnë në varësi të institucioneve si Policia, Prokuroria, Ministria e Mjedisit, apo për krijimin e qendrave sociale të viktimave të trafikut. Ndërsa vetë Bashkimi Europian pati nisur një projekt ku pronat dhe asetet kriminale të konfiskuara apo sekuestruara në bazë të ligjit Antimafia do të vendosen në dispozicion të OJF-ve të angazhuara në çështjet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë