Politike

As ndërhyrja amerikane s’e shpëton reformën zgjedhore, 31 maji digjet pa marrëveshje

As takimi prej prej më shumë se 2 orë e 30 minuta me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk ka afruar mazhorancën dhe opozitën drejt konsensusit për reformën zgjedhore.

Rreth orës 20:30 minuta, Ian Crawford, shef i seksionit politiko-ekonomik në Ambasadën e SHBA në Shqipëri ka zbritur në terren në përpjekje për të bindur socialistët dhe opozitën drejt një marrëveshjeje për reformën.

Takimi nisi me Oerd Bylykbashin dhe Damian Gjiknurin dhe rreth 60 minuta më vonë tryezës iu bashkua Petrit Vasili. Mbetet e paqartë se çfarë formulash zhbllokimi janë diskutuar në tryezë, apo nëse përfaqësuesi amerikan ka shtruar për diskutim ndonjë propozim konkret, që mund të përfshijë edhe ndryshimin e sistemit.

Por, e sigurtë është që as ky takimi nuk ndryshoi gjë.

"Opozita nuk heq dorë nga garancitë për të siguruar votën e qytetarëve shqiptarëve dhe për një proces që krijon besim për të gjithë aktorët politik. Të gjitha përpjekjet e Qeverisë dhe të Partisë Socialiste janë që të mbajë privilegjet dhe të mos heqë dorë nga kontrolli i KQZ, nga vula e zgjedhjeve në Gjykatë. Le t'i japim kohë PS të reflektojë se pse nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor për të përmbyllur tabelën e rezultateve, sepse KQZ nuk mund të jetë ai institucion i turpshëm që është aktualisht. Nuk mund të jetë pronë e PS. Komisionet e PS nuk mund të jenë të pavarur dhe kjo lidhet bashkë edhe me garantimin 100 për qind të identifikimit biometrik. Kur të kemi kompromis mbi këto çështje, ne mund të punojmë për Reformën”, tha Bylykbashi.

Opozita këmbëngul tek kërkesat, që sipas saj japin garanci që vota e qytetarëve të mbrohet, duke filluar që me identifikimin biometrik të votuesve e deri tek kalimi i kompetencave të Kolegjit Zgjedhor tek Gjykata Kushtetuese. Socialistët nga ana tjetër këmbëngulin tek depolitizimi i administratës zgjedhore, pikë që kundërshtohet nga PD, që thotë se nuk mund të ketë depolitizim të administratës zgjedhore pa pasur më parë depolitizim të administratës publike.

Damian Gjiknuri nënkuptoi se socialistët kishin pranuar kërkesën për identifikim biometrik në të gjithë vendin, nëse kjo miratohej edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, por nënkuptoi gjithashtu se mazhoranca nuk do të tërhiqej nga depolitizimi i administratës zgjedhore dhe Kolegji Zgjedhor me anëtarë gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun dhe la të hapur votimin në Parlament të një drafti pa konsensusin e PD-LSI.

"Nesër do të informoj Kuvendin. Dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura për të mbyllur edhe ato pak gjëra. Ne kemi adresuar edhe kërkesat më serioze, që quheshin parakushte të opozitës. Ne kemi adresuar kërkesat që asnjë opozitë shqiptare nuk i ka menduar ndonjëherë në Shqipëri. Do të habiteni kur të dëgjoni që një pjesë e mirë të kërkesave janë adresuar, por paktet duhet të jetë e plotë që ne të adresojmë problemet e tyre dhe ti të mos heqësh dorë nga kërkesat absurde?! Sa i takon depolitizimit të administratës zgjedhore, Komisionerët do të zgjidhen me short. Parlamenti është legjitim dhe i ka votat. Do të flasim me ekspertët e ODIHR dhe nëse realizohet 100 për qind identifikimi biometrik atëherë edhe ne jemi dakord", tha Gjiknuri.

Nëse PS nga njëra anë fajësoi PD-LSI dhe këto të fundit fajësuan PS për mungesën e konsensusit, përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari fajësoi të dyja palët, duke i akuzuar se sfiduan SHBA. Ajo tha gjithashtu se çështja e ndryshimit të sistemit nuk cilësohet ende e mbyllur.

"Edhe këtë radhë partitë politike dështuan se interesat e tyre janë aq të ngushta dhe vetjake dhe nuk duan t'ia dinë për shqiptarëve. Këta sot, edhe njëherë ia mbyllën derën SHBA. Kjo reformë Zgjedhore duhet të ketë bekimin e shqiptarëve. Ata (SHBA) ishin investuar që sot të kishin një zgjidhje. Loja është e hapur. Për momentin nuk kemi ndryshim sistemi, por kemi një propozim që ne do të futemi në lojë. Ata nuk kanë marrëveshje as mes tyre dhe ne nuk dorëzohemi nga ndryshimi i sistemit", tha Hajdari.

Megjithatë, diskutimet do të vijojnë, edhe përtej 31 majit dhe takimi i radhës është lënë ditën e hënë..


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë