Muzike

Artisti që dëboi Shqipëria!

Sabina Veizaj-Eugjen Gargjola është një artist me A të madhe. I rritur në qytetin e luleve, Shkodër, por siç rrëfehet në këtë intervistë për Gazeta “Si”, nuk e mban mend asnjëherë të tillë, por veç gri për shkak të regjimit dhe ngjarjeve të asokohe. Ai kujton se vetëm muzika dhe instrumenti i violinës, ia dhuronin atij ngjyrat e jetës në fëmijërinë dhe adoleshencën e hershme në një Shqipëri komuniste, ku të qenit artist ishte e pamundur.

Në fakt siç e shpjegon mandej artisti Gargjola, në Shqipëri është e vështirë dhe sot, gati e pamundur të dominojnë vlerat dhe talenti, por edhe në botë, artistët e vërtetë, thotë ai, nuk i ka parë në ekranin e televizorit.

Gargjola më rrëfen se ishte 15 vjeç kur mori rrugën e studimeve jashtë kufijve, në Mantova të Italisë, ku ndodhet edhe sot dhe luan si spalla në violin në orkestrën e qytetit.

Ai ka shetitur për të luajtur në violin në 28 shtete, ka pasur bashkëpunime me shumë artistë të mëdhenj në botë, ka fituar dy konkurse ndërkombëtare dhe ka humbur një konkurs kombëtar, por siç tregon “në të gjitha rastet nuk i kujtoj si diçka që të rrit e të pjek si artist. Kompeticioni është për kuajt e jo për artistët; thonte kompozitori i madh Bartok.”

https://www.youtube.com/watch?v=vSz08gIJQQg

U përpoqa të gjej materiale në internet rreth jush, veçanërisht në Shqip dhe e vështirë. Pasi pasioni juaj për muzikën dhe artin janë ngjizur në Shkodrën e bukur të luleve, si ka përvijuar jeta juaj profesionale mandje që publiku t'ju njohë?

Kam pasur fatin të lind në një familje muzikantësh. Violinën e kam filluar në moshën 4 vjeçare, me gjyshin tim, violinistin Ndoc Shllaku. Në shkollën Prenk Jakova, vazhdova studimet me profesorin Lorenc Radovani, violinist i shkëlqyer.

"Pas 20 vitesh suksese artistike, vendosa  të sjell diçka në Shqipëri, nga çka kisha mësuar nga 28 shtete ku kisha bërë muzikë"

Kjo ishte sfera e bukur që jetoja. Ndërsa reatliteti ishte shumë i zymtë, nuk e kujtoj si "Shkodrën e bukur të luleve”. Banoja ngjit me Degën e Brendshme, në atë kohe burgu ishte plot me njerëz të artit.

Ashtu si fëmijë, as sot nuk gjej lumturinë nëse dikush tjetër vuan. Kushtet e shkollës ishin të rëndomta. Fati im ishte arti i muzikës, i cili atë gri që shihej, brenda meje e trasformonte në ngjyra. Kisha thjeshtësi në violinë, plus studioja. Kjo bënte që të merrja gjithmonë notën maksimale dhe siç thonin, isha më i miri, por sinqerisht nuk më interesonte fare.

Sa vite keni kontribuar në Shqipëri si profesionist? Çfarë keni bërë këtu?

Në Shkodër kam jetuar deri në moshën 15 vjeçare, pastaj u nisa për në aventurën e vështirë të studimeve larg nga familja. Mantova, Itali, ishte vendi ku rifillova pjesën e dytë të jetës. Aty kam kryer Konservatorin duke u vlerësuar me 10 e lavde.  Ishte hera e parë në historinë e këtij qyteti që jepej ky vlerësim në violinë.

Pas 20 vitesh suksese artistike, vendosa të sjell diçka në Shqipëri, nga çka kisha mësuar nga 28 shtete ku kisha bërë muzikë. Këtu filloi kalvari.

Sapo fitova konkursin për të hyrë si profesor në Konservatorin e Shkodrës (sapo i hapur) nuk më pranuan sepse nuk njihnin diplomën italiane!!!!! Shkova në Ministri të Arsimit për konvertimin e saj dhe ma vonuan 6 muaj, Pra humba vitin shkollor. Pastaj u mbyll edhe Konservatori.

Në karakter e kam të mos dorëzohem dhe tentova rrugë të tjera për të dhuruar atë që kisha brenda. I vetmi që më dha një mundësi ishte ish Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, i cili më caktoi Drejtor të Kulturës. Më njihte mirë sepse kishte 10 vite, edhe pse nga larg që unë bashkëpunoja me Bashkinë Shkodër për organizime Festivalesh ndërkombëtare Jazz. Për disa muaj gjithçka funksionoi, kuptohet që kisha vështirësi në këtë detyrë të re, por kisha piksynimet e qarta.

Krijova edhe një orkestër harqesh, të cilës i bëja kurs 2 herë në javë falas. Kjo tingëlloi keq tek disa drejtues pseudoartista, të cilët nuk lejonin muzikantët e rinj të bënin kurs me mua. 

Periudha më e keqe dhe e pabesushme erdhi kur kryetare bashkie u bë Voltana Ademi, bashkë me stafin e saj arrogant krijuan një situatë ankthi, më kujtonte periudhën e komunizmit.

"Periudha më e keqe dhe e pabesushme erdhi kur kryetare bashkie u bë Voltana Ademi, bashkë me stafin e saj arrogant krijuan një situatë ankthi, më kujtonte periudhën e komunizmit. Krijova edhe një orkestër harqesh, të cilës i bëja kurs 2 herë në javë falas. Kjo tingëlloi keq tek disa drejtues pseudoartista, të cilët nuk lejonin muzikantët e rinj të bënin kurs me mua"

 Unë isha drejtor dhe sipas protokollit kur më ftonin si i tillë, mjaftonte të dorëzoja ftesën zyrtare tek sekretaria dhe mund të shkoja. Një ditë më ftuan në RTSH për të folur mbi festivalet e muzikës jazz që organizonte vetë Bashkia Shkodër dhe për këtë Voltana me stafin vendosën të më hiqnin ditën e punës.

 Më kanë kërkuar të vë firmë për të hequr punonjës nga puna. Nuk kam pranuar kurrë!!!!

Përveç kësaj, nuk isha dakort me zgjedhjet artistike që mendonin. Asnjeri nuk ishte i sferës artistike dhe donin të vendosnin për aktivitetet. Kuptohet që duke mos iu përshtatur atyre, pas pak muajsh më hoqën nga puna. Gjithsesi pas pak do ikja vetë.

Mendoj se një person kur dështon në diçka, e ka të vështirë që ti gëzohet suksesit të tjetrit në të njëjtin sektor. Voltana është një ish-violiniste.

Përveç kësaj hoqën nga projektet edhe Festivalin e Muzikës Moderne që unë me shumë sakrifica organizoja prej 6 vitesh në vazhdim. Vendosa ta propozoj edicionin e fundit në Ministri të Kulturës. Jam habitur kur dola fitues i projektit.

Mirela Kumbaro, kjo grua që unë nuk njihja më dha shumë besim, madje më ndihmoi që Festivali, perveçse në Tiranë, do të bëhej edhe në Shkodër, ku e kishin refuzuar. I jam mirënjohës.

Në vashdim nuk gjeta punë në asnjë vend, përfshirë edhe Tiranën. Kam trokitur në të gjitha dyert e mbyllura dhe askush nuk ma hapi.

Si përfundim para se të rikthehesha në Itali jetova disa muaj me pensionin e babait tim, me grua dhe 2 fëmijë në ngarkim. Unë jetova një përqindje shume të vogël krahas asaj që vuajtën artistët para 90-ës.

Ndoshta pa vetëdije kam kërkuar ti afrohem e të përjetoj sado pak vuajtjen e atyre muzikantëve që nuk patën fatin tim të jetojnë në një vend të lirë.

Pse vendosët të largoheshit dhe ti ndërprisnit marrëdhëniet me Shqipëri prej tre vjetësh?

Eugjen Gargjola, violinist

Në Shqipëri nuk e besonte askush që unë kisha dëshirë të dhuroja art, të trashëgoja kryesisht tek të rinjtë atë bukuri dhe profesionalitet që kisha mësuar në Itali.

Në një vend të varfer (përshij edhe varfërinë kulturore ) mendojnë që ti ke një plan përfitues sa hap sytë. Kur u riktheva në Itali , Orkestra ku ponoja përpara, më caktuan përsëri violinë të parë, spalla.  Ky gjest flet shumë...

Violina është ajo dashuria e madhe, por kam vërejtur që nuk është e vetmja sepse ju eksperimentoni me artin. Si është zhvilluar në kohë dëshira për të eksploruar në instruemente, fotografi? Si e gjeni kohën për të gjitha?

Kam pasur fatin dhe kam kërkuar të bashkëpunoj me muzikantët jazz, të cilët me kanë hapur dyert e një bote të mrekullueshme.

https://www.youtube.com/watch?v=NeRBRP-4ntI

 

Violina e përcjell melodinë, por pa shoqërimin e instrumenteve të tjera, do ishte pa ngjyra. E gjithë ajo botë tingujsh ku mbështetet çdo melodi ose këngë quhet harmoni. Njohuria e saj më ka lejuar edhe të shkuaj muzikë.

 Për mua krijimi, përkthimi në muzikë i ndjenjave është emocion hyjnor.

 Keni bashkëpunuar me artistë të mëdhenj si Pavarotti, etj. Çfarë merr një artist dhe si rritet nga këto bashkëpunime? Si ndjehet nga vlerësimet?

Ruaj një kujtim të bukur në vitet e Pavarotti & Friend, aty kam njohur personalisht edhe artistë të tjerë si George Michael, grupin Deep Purple e shumë të tjerë. Nuk mohoj që kam njohur në jetë muzikantë më të mirë e të kompletuar se ata që dalin në TV. Në art nuk vlerësohet më i miri.

Ruani ndonjë kujtim të veçantë nga këto bashkëpunime?

Ishin të famshëm, miliarder, të edukuar.

Ju keni fituar edhe çmime ndërkombëtare. Çfarë domethënie kanë çmimet për ju?

Kam fituar dy konkurse ndërkomberare e kam humbur një kombëtar. Në të gjitha rastet nuk i kujtoj si diçka që të rrit e të pjek si artist. Kompeticioni është për kuajt e jo për artistët; thonte kompozitori i madh Bartok.

Sa ju ka dhënë publiku i huaj dhe sa ju ka dhënë Shqipëria?

Kur luaj live si solist,  kaloj në një gjendje tip hipnotizimi ose "trans" nga muzika dhe nuk ka rëndësi në cilin shtet jam ose, sa persona kam përballë. Luaj me të njëjtin dedikim.

Në atë që bëni, në artin tuaj ka brenda ndjenja apo motive për vendin e origjinës?

Eugjen Gargjola, violinist

Jam rritur në një familje ku dëgjohej muzikë klasike Beethoven, Mozart, Bach. Nga muzika e lehtë dëgjoja M.Jackson, George Michael, James Brown etj. Normalisht të fshehur sepse ndalohej nga regjimi.

Mendoj se muzika shqiptare, për aq pak sa e njoh është e varfër harmonikisht, faktikisht po ta shkruanin të pasur ( flas për klasiken) do kishin probleme me shtetin. Nuk jam i lidhur veçanërisht me asnjë vepër. Në kompozimet e mia kam bërë vetëm një citim nga motoperpetuo e Pjetër Gacit dhe një temë që kujton pak atmosferën e maleve veriore.

Kompozimet e tjera janë në stile : klasike, jazz, colonna sonora, fusion, kontemporane. Muzika shqiptare bëhet diçka më interesante kur e luajnë të huajt, sepse e përpunojnë.

"Mendoj se muzika shqiptare, për aq pak sa e njoh është e varfër harmonikisht, faktikisht po ta shkruanin të pasur ( flas për klasiken) do kishin probleme me shtetin. Nuk jam i lidhur veçanërisht me asnjë vepër. Në kompozimet e mia kam bërë vetëm një citim nga motoperpetuo e Pjetër Gacit dhe një temë që kujton pak atmosferën e maleve veriore"

Si e keni përjetuar izolimin dhe a ka qenë produktiv në krijintari?

Mund të tingëllojë e çuditshme por, nëse flas pa' menduar viktimat, për mua ka qenë ndër periudhat më të bukura të jetës.

 Kam qendruar me familjen,  me dy vajzat e mia Elodi e Eden të cilat i adhuroj e dashuroj pa fund. Kjo afërsi më ka frymëzuar të shkruaj shumë muzikë.

Çfarë projektesh keni për të reaizuar së afërmi dhe kur gjërat të përmirësohen, ata që duan t'ju ndjekin, ku mund t'ju gjejnë për të shijuar muzikën tuaj?

Kam realizuar si solist, si i ftuar, si kompozitor 17 CD, duke luajtur në violinë, violë, violinçelë, kitarrë, perkusione. Mendoj që ky është vetëm fillimi.

Nuk kam shkruar asnjëherë pjesë komerciale, nuk e kam shitur kurrë besimin tim për artin e vërtetë. Kam pasur e do të kem, si të gjithë, momente të vështira. Këto i kam transformuar në muzikë dhe nëse dikush ndjehet i humbur,  po të dëgjojë albumin DESEO, nuk do të jetë më.

https://www.youtube.com/watch?v=MvSeXLe5gj8

 

Problemet e vështirësitë janë si hija, të ndjekin gjithmonë, por ka mënyra të ndryshme të leximit të tyre. Sekreti është ti transformosh në mundësi.

Në YouTube, Spotify, Amazon, mjafton të shkruhet Eugjen Gargjola dhe dalin të gjitha materialet. Etiketa producente e CD- ve të fundit është Cosmica.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë