Njerez

Arroganca e injorancës

Nga Meri Lika - Mbrëmë, djali im 10-vjeçar (i cili ndjek klasën e pestë), më tha se shoku i tij i klasës e kishte jetën parajsë. E shokuar nga ky pohim, kuptova se im bir nuk e ndiente të bukur jetën e tij. E shqetësuar e pyes se përse mendonte që shoku e kishte jetën parajsë dhe ai më përgjigjet:

- Sepse atij nuk ia pyet njeri mësimet, nëse nuk ka mësuar nuk ia heq njeri PlayStation, kur merr notë të keqe nuk e dënojnë duke i hequr telefonin, nuk i vendosin detyra të lexoj të paktën gjysmë ore në ditë etj, si këto.

Mora frymë e lehtësuar dhe i drejtohem:

- Aha, e kuptova. A e ke parë Parajsën ti Art?

- Jo!

- Nga e di ti që ekziston?

- E kam lexuar në libra.

- A e di ti se si është Parajsa?

- Jo, nuk e di, por mendoj se është një vend ku njeriu nuk bën asgjë.

- Si bota e lodrave të Pinokut. Atëherë vazhdo të lexosh, shpirti i mamit, më shumë se sa gjysmë ore në ditë, derisa të arrish të gjesh librin që do të të tregoj se si është Parajsa e vërtetë dhe se si mund ta arrish atë.

E gjithë kjo bisedë më shtyu të mendoj se çdo ditë bota popullohet më shumë nga njerëz që tregojnë injorancën e tyre me arrogancë të madhe, duke u përpjekur të na mësojnë atë që ata aspak nuk e dinë... Kjo ndodh sepse ne jetojmë në një kohë, në të cilën qeniet njerëzore largohen nga arsimi, pasi e konsiderojnë të mërzitshëm dhe të lodhshëm, e se na merr orë nga koha jonë e vyer, të cilën “mizorisht” duhet ta kalojmë duke mësuar. Gjëja më për të ardhur keq është se këta njerëz më pas gjithmonë duan të kenë të drejtë dhe të thonë fjalën e fundit për të gjitha çështjet, duke shfaqur një injorancë që ata e mbrojnë me paturpësi dhe madje ka nga ata që duan dhe t’i zhbëjnë ato që të tjerët dinë si dhe bëhen armiqtë më të këqij të dijes.

Një histori tregon se një student i ri universiteti u ul në tren përballë një burri të moshuar, i cili kalonte nëpër duar një rruzare. Djali, me arrogancën e atyre pak viteve jetë që kishte dhe me pedantizmin e injorancës, i tha:

- Duket e pabesueshme që ju akoma besoni në këto gjëra...

-  Po, është e vërtetë, besoj. Ti nuk beson? - iu përgjigj plaku.

- Unë? - pyeti studenti me zë të lartë, me ton sarkastik dhe me një të qeshur të fortë. - Më dëgjoni një këshillë: hidheni atë rruzare nga dritarja dhe bëni mirë të mësoni se çfarë thotë shkenca.

- Shkenca? - pyeti plaku me habi. - Nuk e kuptoj kështu si ma the. Mbase mund të ma shpjegoni më mirë? - shtoi ai.

- Patjetër! Më jepni adresën tuaj, - iu drejtua djali duke u sjellë si i rëndësishëm dhe me një ton mbrojtës -  mund t`ju dërgoj disa libra, të cilët e ilustrojnë shumë mirë temën.

Plaku nxori një kartëvizitë nga portofoli i tij dhe ia dha studentit, i cili lexoi i habitur:

- Louis Pasteur. Instituti i Kërkimeve Shkencore në Paris.

Studenti i shkretë u skuq dhe nuk dinte ku të shkonte. Ai ishte ofruar t’i mësonte shkencën atij zbulimet e të cilit kishin një rëndësi të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të shkencës, veçanërisht në kimi e mikrobiologji, dhe nga i cili kemi dhuratë teknikën e njohur si pasterizimi, një nga arritjet më të mëdha për njerëzimin.

Të besosh me kokëfortësi se vetëm ti e ke të vërtetën në gjithçka, është thjesht një pranim i injorancës sonë. Një thënie popullore thotë se të mençurit meditojnë, inteligjentët mendojnë murmuritje mediokre dhe injorantët flasin dhe bërtasin, kjo është arsyeja pse, siç tha Pitagora, “dëgjoni dhe do të jeni të mençur, pasi fillimi i mençurisë është heshtja” dhe gjithashtu përulësia...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë