Mendim

Arrestimi i politikanëve të “plotfuqishëm” dhe një mësim nga Rumania!

Pas protestave masive popullore kundër kapjes së drejtësisë dhe referendumit për reformat në gjyqësor, Rumania duket se i ka dhënë një mësim tjetër vendeve të Ballkanit, duke arrestuar politikanin më të fuqishëm të vendit.

Liviu Dragne, kryetari i Partisë Socialdemokrate u detyrua të hënën të përballej me dënimin prej tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim pushteti, duke vënë një themel të rëndësishëm demokracie në Rumani dhe duke u dhënë një fitore të madhe ekspertëve që e kanë konsideruar korrupsionin si “sëmundjen” kryesore të Bukureshtit dhe mbarë rajonit.

Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Rumanisë, i cili nuk pranoi të rishqyrtojë dënimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në qershor të viti 2018, erdhi një ditë pasi partia e zotit Dragnea, Social Demokratët, pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Europian, por edhe në referendumin për reformat e ndërmarra në gjyqësor.

Për sa u përket zgjedhjeve europiane, Socialdemokratët morën vetëm 23 për qind të votave, duke pësuar rënie të ndjeshme nga zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit 2016. Dy partitë kryesore të opozitës siguruan nga ana tjetër rreth 50 për qind të votave.

Në të njëjtën kohë, shumica dërrmuese e votuesve që morën pjesë në referendum, më shumë se 80 për qind, shprehën pakënaqësi të thella me përpjekjet e partisë qeverisëse për të ndryshuar ligjet e anti- korrupsionit nëpërmjet një dekreti emergjent që i ofronte amnisti zyrtarëve të dënuar për abuzim me pushtetin.

Të marra së bashku, këto votime ishin një hakmarrje ndaj mënyrës se si Social Demokratët kanë qeverisur që kur erdhën në pushtet në vitin 2016.

Liviu Dragne

"Ky është fundi i epokës Dragnea," tha Dan Barna, kreu i partisë opozitare “Të shpëtojmë Rumaninë”. "Nga tani e tutje, ne mund t’i kthehemi rendit normal politike, duke debatuar rreth infrastrukturës, arsimit, spitaleve apo sipërmarrjes, sepse në tre vitet e fundit në Rumani mbizotëronte vetëm një temë: si mund të shpëtonte Dragnea nga burgu.

"Kjo epokë ka marrë përfunduar," shtoi ai. "Kjo periudhë e errët e historisë rumune u hodh tanimë prapa krahëve."

Dragnea konsiderohet gjerësisht si lideri “defacto” i Rumanisë, ndërkohë që kryeministri i vendit është cilësuar si marionetë e tij. Ai u fuqizua nga dështimi i zyrtarëve të Bashkimit Europian për të frenuar kërcënimet ndaj sundimit të ligjit në Poloni dhe Hungari dhe i portretizoi akuzat e korrupsionit kundër tij si të përndjekje politike.

Ai ka “huazuar” shpesh gjuhën e përdoruar nga Presidenti Donald Trump duke akuzuar hetuesit se janë bërë pjesë e një "gjuetie shtrigash". Në të njëjtën kohë, partia e tij kërkoi të bënte ndryshime në sistemin gjyqësor të cilat kërcënonin të dobësonin sundimin e ligjit.

Rumania, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian, është përplasur disa herë me Brukselin lidhur me çështjet e sundimit të ligjit që nga fillimi i vitit 2017, kur qeveria miratoi dekretin emergjent duke dekriminalizuar korrupsionin e nivelit të ulët.

Kjo çoi në protestat më të mëdha në Bukuresh që nga fundi i sundimit komunist në vitin 1989. Dekreti u tërhoq, por ndryshime të tjera të ngjashme u shtynë përpara nga qeveria.

Komisioni Europian ka thënë se do të ndërmarrë veprime kundër Rumanisë nëse nuk i adreson shqetësimet lidhur me ndryshimet gjyqësore.

Qeveria e Rumanisë është kritikuar gjithashtu mbi sulmet e saj ndaj Laura Codruta Kovesi, ish-kryetarja e agjencisë së anti-korrupsionit, e cila është kandidatja kryesore për të drejtuar Prokurorinë Europiane.

Mësim për Ballkanin Perëndimor

Burgosja e Dragnesas duhet të jetë një ogur i keq për gjithë liderët dhe politikanët e Ballkanit Perëndimor, të cilët akuzohen po ashtu për një sërë aferash korruptive nga mediat dhe opozita vendase. Në të vërtetë, krerët dhe politikanët e korruptuar në të gjithë rajonin e Ballkanit e kanë bërë zakon të sfidojnë drejtësinë dhe të vënë maskën e arrogancës sapo ngjiten në pushtet. Por fatkeqësisht, deri më më tani, ata nuk kanë pasur fatin e Dragneas dhe apo edhe të ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, i cili po jeton në arrati.

Milo Gjukanoviç

Në Malin e Zi, për shembull, Perëndimi ka përqafuar një udhëheqës të korruptuar i cili ka kapur pothuajse të gjitha institucionet e vendit. Milo Gjukanoviç, prej gati 3 dekadash është ne pushtet si kryeminister dhe tani president. Ai është akuzuar se ka përfituar personalisht duke lejuar rrjetet kriminale të fuqizohen ndjeshëm brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë. Si rezultat i skandaleve korruptive dhe parajsave të krimit të organizuar në Malin të Zi, Gjukanoviç u shpall “Person i Vitit” nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

E njëjta situatë duket se paraqitet edhe në Shqipëri, ku qytete si Shkodra, Kruja dhe Elbasani janë kthyer në parajsa kriminale dhe përfliten vazhdimisht për lidhje me qeverinë dhe opozitës. Por si çdo vend të Ballkanit, edhe në Shqipëri asnjë palë politike nuk mban përgjegjësi. Deputetët dhe ministrat e tre partive të më të mëdha në vend janë akuzuar për përfshirjen në afera të mëdha korruptive dhe dy ministrat e fundit të brendshëm janë akuzuar për lidhje me trafikun e drogës. Por pavarësisht disa hetimeve asnjë nga zyrtarët e lartë shqiptarë të dyshuar për përfshirje në afera korruptive dhe organizata kriminale nuk ka përfunduar pas hekurave.

Perëndimi ka bërë një sy qorr ndaj këtyre shkeljeve, pasi e sheh Ballkanin si bastion destabiliteti. Për fat të keq, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë të vetmet vende të korruptuara në Ballkan, pasi situata është po aq shqetësuese edhe në Kosovë, Bosnje, Bullgari, Kroaci dhe Serbi.

Perëndimi ka përqafuar Kosovën, duke injoruar në masë të madhe korrupsionin e përhapur që po pengon zhvillimin e vendit dhe po zemëron dita-ditës shqiptarët atje. Edhe pse BE-ja ka vendosur një mision policor dhe civil në Kosovë për të ndjekur penalisht korrupsionin, ajo ka dështuar kryesisht të bëjë punën e saj. EULEX-i ka hedhur poshtë akuzat e krimit të organizuar kundër figurave të larta politike dhe pothuajse të gjitha dëshmitë kundër tyre janë injoruar.

Me sa duket, përqafimi i Perëndimit për qeverinë e korruptuar të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës apo Bullgarisë ka bërë më shumë dëm sesa dobi. Por a do t’i hapin rrugën këto zhvillime hetimeve ndaj politikanëve të tjerë të korruptuar në rajon dhe a do të “shpëtojë” Ballkani nga “diktatorët modern” që e kanë zhytur rajonin në varfëri dhe prapambetje?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë