Politike

Antishpifja sjell në Tiranë delegacionin e parë të Venecias

Ekspertët e Venecias mbërritën këtë të hënë në Tiranë me misionin faktmbledhës për ligjin për mediat elektronike, pjesë e asaj që socialistët e quajnë paketa antishpifje.

Delegacioni u prit rreth mesditës nga zv.Kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Ata ndodhen në vendin tonë pas tërheqjes së mazhorancës nga miratimi i ligjit për mediat elektronike dhe vendosjes për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, që u aktivizua pas një kërkesë të dyfishtë të dorëzuar nga OSBE dhe Këshilli i Europës.

Të dyja këto institucione ngritën shqetësime se paketa antishpifje dhe sidomos ligji për mediat elektronike binte ndesh me lirinë e shprehjes dhe parimin e vetërregullimit të tregut mediatik.

Socialistët këmbëngulën deri në minutën e fundit se ligji ishte i konsultuar me ekspertët e zyrës për median në OSBE, megjithëse kjo e fundit bëri vazhdimisht thirrje për rishikim të disa pjesëve të ligjit, siç ishin gjobat dhe ndëshkimet e tjera të larta në rast se gjetjeje në shkelje për shpifje.

Më 30 janar, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi befas heqjen nga rendi i ditës dhe shtyrjen e shqyrtimit të dekretit të Presidentit Ilir Meta, që më herët kishte rikthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin në fjalë. Balla tha se nuk bëhej fjalë për tërheqje nga e gjithë paketa antishpifje, por vetëm nga ligji për mediat audiovizive.

“Do të propozoja që votimi i dekretit për mediat audiovizive, jo për AKEP-in, sepse aty situata është tejet e qartë dhe asnjë partner nuk ka patur asnjë referencë negative, por sa i takon ligjit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet. Të qëndrojë në programin e Kuvendit, por të shtyhet diskutimi deri kur Venecia të sjellë raportin e vet më 20-21 mars”, deklaroi ai.

Sipas Ballës, Komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën e KiE dhe të OSBE për ta shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë çështje dhe pritet që në ditët në vijim ekspertët e Komisionit të mbërrijnë në Tiranë për t’u takuar me përfaqësues të institucioneve dhe të medias në vend.

PS thotë se vendosi të tërhiqet nga projektligji i qortuar fort nga organizatat dhe shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit për të marrë një opinion më të thelluar.

“Kemi vijuar komunikimin tonë me partnerë të tjerë të rëndësishëm. Kemi qenë në komunikim për disa çështje që kanë kërkuar sqarim dhe bashkërisht kemi vendosur që të kërkohet një opinion me i thelluar nga institucioni që e kemi gjithëpranuar, siç është Komisini i Venecias, për një opinion të plotë për ligjit”, u shpreh ai.

Pas kësaj tërheqjeje të socialistëve, Partia Demokratike reagoi me anë të ish-deputetes dhe ish-kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi. Ajo e cilësoi fitore të fjalës së lirë.

“Edi Rama u betua për javë me radhë që do të votojë në Parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja. Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe. Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba. Pushteti i Edi Ramës po shkërrmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes”, tha Vokshi.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi si hap pozitiv shtyrjen e votimit deri në pritjen e opinionit të Komisionit të Venecias.

“Hap shumë pozitiv që e përshëndes se reflektimi i cili i shërben në cdo rast qëllimit më të madh të përbashkët. Eshtë pikërisht mbrojtja e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë dhe garantimi i standardeve demokratike. Nuk është humbje për askënd përkundrazi aq më tepër dihen shqetësimet mjaft serioze të ndërkombëtareve dhe ky është një moment pozitv”, tha ai.

Vendimi i socialistëve u përshëndet edhe nga Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

“Mirëpresim vendimin e mazhorancës për të shtyrë votën për ligjin për mediat audiovizive. Ne presim mendimin e Komisionit të Venecias dhe inkurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e mbetura të organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë