Politike

Altin Dumani: Jam imun ndaj retorikës politike. Për Berishën do të firmos masën që do të kërkojnë prokurorët e çështjes

Altin Dumani, Kreu i SPAK nuk i ka të shpeshta daljet publike. Por një ditë para seancës së Parlamentit kur do të votohet heqja e imunitetit për ish kryeministrin Sali Berisha (kur ky i fundit ka paralajmëruar edhe protestë), Dumani shfaqet i qetë dhe thotë se presioni politik dhe mediatik nuk e ka ndikim aspak në punën e tij për hetimin e dosjeve të nxehta të politikës.  

Gjatë një takimi të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ka deklaruar se “retorika politike apo presioni mediatik” nuk ndikojnë aspak në punën e tij.

“Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe reagimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurëve të SPAK-ut”, u shpreh Dumani.

“Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqëtëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale. Nuk na ka munguar as mbështetja buxhetore”, shtoi drejtuesi i SPAK-ut.

Duke u ndalur te çështjet me natyrë korruptive, Dumani tha se këto dosje janë të vështira për t’u hetuar.

“Çështjet me natyre korruptive, apo të tenderave janë të vështira për t’u hetuar. Kërkojnë kohë, kërkojnë njerëz, kërkojnë teknika speciale të hetimit. Kur nis një hetim ku kombinohet hetimi historitë, por edhe hetim proaktiv, hetimi zgjat shumë. Nuk e them për shfajësim, por duhet ta marrim parasysh. Nuk mund të krahasojë një çështje që ne hetojmë me një çështje të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Nuk duhet t’i mëshojmë shumë çështjes sasiore. Sa i takon transparencës, ne jemi përpjekur të jemi transparentë me publikun, duke publikuar në faqen tonë raportet vjetore, rregulloret, njoftimet për shtyp. Ka edhe raste të rralla, kur bëjmë reagime publike për çështje të cilat tërheqim vëmendjen e opinionit publik” theksoi ai.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se do të jenë prokurorët e çështjes së Sali Berishës që do të vendosin nëse do të kërkohet arrestimi i ish-kryeministrit nëse Kuvendi vendos heqjen e imunitetit të tij të deputetit.

I pyetur se çfarë mase do të vendosë SPAK ndaj ish-kryeministrit, Dumani u përgjigj se: “Masa për Berishën në vlerësimin e prokurorisë të çështjes”, duke shtuar ai do të firmosë vetëm shkresën.

Kuvendi do të votojë në seancën parlamentare të së enjtes (21 Dhjetor) për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, që i hap rrugë arrestimit të tij.

Ndërkohë opozita ka organizuara protesta para Parlamentit që do të nisin rreth orës 09:00.

Këto deklarata vijnë dy ditë pasi Këshilli i Mandateve vendosi “pro” kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. 

Ditët e fundit, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili është nën hetim nga Struktura e Posaçme për aferën e ish-klubit “Partizani”, deklaroi se PD do ngrejë padi penale ndaj prokurorëve të SPAK-ut, të cilët i cilëson si njerëz “në shërbim të partisë”.

Berisha ka sulmuar edhe prokurorin e dosjes “Partizani”, Arben Kraja, duke deklaruar se ka qenë kandidat i Partisë Socialiste për deputet dhe hetues i Policisë Sekrete në kohën e komunizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë