Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, a po hetohet Veliaj? Dumani: Do të sqarohet pozita e secilit. (Flet edhe për Berishën, Metën, Kryemadhin, ‘Sterilizimin’, Ahmetajn dhe Mcgonigal)

Nga Gazeta Si - Në një takim infomal me dyer të mbyllura me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur për çështje të nxehta që janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, apo akuza e kallëzime të ndryshme të paraqitura në gjykatë.

Inceneratori i Tiranës

I pyetur për inceneratorin e Tiranës, Dumani ka thënë se “janë duke u hetuar të gjithë personat që kanë pasur vendimmarrje në këtë çështje”.

Sipas burimeve paraprake, Dumani tha se nuk ka fraksion të ndarë në këtë dosje, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime.

“Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion. Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet”, shtoi Dumani.

"Sterilizimi"

Dumani iu përgjigj edhe interesimit për çështjen e "Sterilizimit" dhe polemikave që janë përhapur rreth amnistimit të ish-ministrit Ilir Beqja.

“Jemi prokurorë, por nuk do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit, - tha Dumani. - Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër”, shtoi kreu i SPAK.

Berisha

Në përgjigje të pyetjes, nëse ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën për “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha (nën hetim për aferën e klubit “Partizani”), apo do të duhej autorizim nga Parlamenti, Dumani u shpreh.

“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurorisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli” ka thënë i prerë Dumani duke shtuar se tani çështja i takon Gjykatës”.

Ilir Meta

Sa i përket sekuestrimit ndaj Monika Kryemadhit Dumani tha: “Kontrollet tona janë instrument apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment.” “Më pyesni sa herë takohemi për këtë çështje. Kemi dhëne përgjigje”, shtoi kreu i SPAK.

"Gërdeci"

I pyetur sa i takon çështjes së rihapu të Gërdecit, kryeprokurori tha se po punohet me atë dosje. “Është një dosje qe po punohet, nuk është dosje e fjetur”, - tha shkurtimisht Dumani.

Çështja "Mcgonigal"

Për çështjen "McGonigal", Dumani u pyet në kuadrin e një kallëzimi që është bërë në SPAK nga Gazment Bardhi, ku ai konfirmon regjistrimin e procedimit dhe la të kuptohet se po kryhen hetime, por nga ana tjetër nuk komentoi fazën, ku ndodhen dhe nëse ka komunikim apo bashkëpunim me autoritetet amerikane.

“Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi pasur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar, por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”.

Hetimet për Mirel Mërtirin e Stela Gugalljan

Pyetjes nëse ka dijeni se për Mirel Mërtiri e Stela Gugallja po bëjnë përpjekje për të përfituar azil dhe nëse ka veprime lidhur me këtë çështje, kreu i SPAK u përgjigj se nuk ka qëndrim refuzimi kërkese për ekstradim.

"Nuk kemi një komunikim që të na e kenë refuzuar kërkesën e ekstradimit. Ka patur një qëndrim nga partnerët që janë duke u kryer procedurat e ekstradimit të personave në fjalë".

I pyetur sa i takon kallëzimit në SPAK nga Mirel Mërtiri të prokurorit Klodian Braho ai u përgjigj. "E kemi marrë kallëzimin me postë nga personi në fjalë. Çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona përfshirë edhe unë".

Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallaja janë të dy në kërkim, si të përfshirë me aferën e inceneratorëve.

Arben Ahmetaj

Sa i përket ish-zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj, nëse është lokalizuar në cilin shtet ndodhet, Dumani theksoi se “ky është një informacion sekret sepse hetimet për Ahmetajn dhe persona të tjerë po vijojnë”.

"Sky-Enchro Chat"

Duke u ndaluar te numri i lartë i policëve që dalin të përfshirë në ngjarje kriminale dhe që janë zbuluar pas komunikimeve në aplikacionet e koduara, tashmë të zbërthyera, Altin Dumani shpjegoi: “Të përdorësh Sky ECC dhe Ecrochat nuk është shkelje e ligjit, por përmbajtja e komunikimeve. Këto të fundit kur gërshetohen me prova të tjera, atëherë mund të përdoren nga prokuroria. Numri i policëve që dalin në Sky nuk është ajo shifër që qarkullon në media”.

Dumani bëri të ditur se gjatë vitit 2023, SPAK ka regjistruar kryesisht 68 procedime penale, duke marrë indicie nga mediat, deklarata publike të aktorëve politikëve por dhe nga burimet e BKH-së. Kjo shifër ka shënuar rritje gjatë këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë