Treg

Akciza e re/ Prodhuesit e birrës dërgojnë ligjin në Kushtetuese: Kostot janë shtuar me 40%

Nga Gazeta ‘Si’ - Prodhuesit e birrës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në ligjin e akcizës.

Përpara janarit të këtij viti, birra e prodhuar në vend, që zë gjysmën e sasisë së konsumuar, tarifohej me 360 lekë për hektolitër(HL) për ata që prodhonin sasi më të vogël se 200 000 HL në vit.

Por nga fillimi i janarit, akciza është unifikuar duke u rritur në 710 lekë për HL.   

Ndërsa për shtetin kjo do të përkthehet me 260 milionë lekë shtesë në buxhet, për konsumatorët është një rritje prej 7.1 lekë për litër.

Prodhuesit vendas të birrës, të cilët prodhojnë rreth 250 hektolitër birrë në vit, që në krye të herës e pritën më debate këtë ndryshim, duke ngritur shqetësimin se do të godiste strategjitë e tyre për zhvillimin e bizneseve.

Ata ngrenë shqetësimin se kostot nga dyfishimi i akcizës dhe lëndëve të parë janë shtuar 40%. Për këtë arsye kanë detyruar të rrisin çmimet 20 deri 25%, ndërsa kanë rënë shitjet nga shtrenjtimi i çmimeve, por edhe largimi i popullatës.

Xhim Begeja, prodhuesi i birrës artizanale Puka, thotë për Gazetasi.al se tashmë prej ndryshimit të kësaj akcize, janë tërhequr 40% e bar-eve dhe restoranteve me të cilët kishte nënshkruar kontrata, duke qenë se ai është detyruar që të rrisë çmimet.

Sipas tij, prodhuesit e birrës janë shndërruar “në rrogtarë ndërkohë që jemi prodhues dhe kemi një industri me një mekanizëm të gjerë pasi lëviz të gjithë ekonominë shqiptare sepse mban bar-et dhe restorantet.”

Mandej ai shton se edhe fakti që birrat artizanale zënë një vend të vogël në treg, e ka rënduar më tej situatën.

Prodhues të tjerë shprehen se ky unifikim i akcizës po favorizon shitjen e birrave të importit, pasi nga ana fiskale vendosen në kushte të pabarabarta me kompanitë e mëdha të importit, që kanë mundësinë të lidhin kontrata afatgjata me çmime për lëndët e para nga 20% deri në 25% më të ulëta.

Kështu prodhimi vendas humb konkurrueshmërinë e çmimeve të ulëta, duke rrezikuar falimentimin.

“Jemi i vetmi vend në botë, që kemi 53-55% birrë të importit. Ndërkohë që në vendet e Ballkanit dhe vendet e botës nuk i kalon 3-4% birra e importit.

Kjo tregon se investitorët e huaj kanë gjetur një klimë biznesi relativisht të mirë dhe çmime dhe taksa relativisht mesatare ose të ulëta, që të mund të vijnë”, tha për Gazetasi.al Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Vendase.

Sipas të dhënave të doganave për tremujorin e parë, prodhimi i birrës ra 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-t. Importet e periudhës janar-shkurt 2023 janë rritur 50% krahasuar me vitin paraardhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë