Taksa

Akciza e re e birrës, si epitafi i prodhimit vendas 

Nga Megi Iskurti - “Nga ndryshimet në akcizën e birrës, 40% e bar-eve dhe restoranteve me të cilët kisha nënshkruar kontrata, janë tërhequr për shkak se do detyrohem të rris çmimet”.

Kështu e nis fjalinë për Gazetasi.al Xhimi Begeja, prodhuesi i birrës artizanale “Puka” ndërsa shton jo pa ironi se këto ndryshime erdhën si qershi mbi tortë dhe do i shtyjnë birrat artizanale në kufijtë e mbijetesës.

Deri më sot, birra e prodhuar në vend, që zë gjysmën e sasisë së konsumuar, është tarifuar me 360 lekë për hektolitër(HL) për ata që prodhonin sasi më të vogël se 200 000 HL në vit.

Por nga fillimi i janarit, akciza është unifikuar duke u rritur në 710 lekë për HL.   

Ndërsa për shtetin kjo do të përkthehet me 260 milionë lekë shtesë në buxhet, për konsumatorët do të jetë një rritje prej 7.1 lekë për litër.

Prodhuesit vendas të birrës, të cilët prodhojnë rreth 250 hektolitër birrë në vit, që në krye të herës e pritën më debate këtë ndryshim, duke ngritur shqetësimin se do të godiste strategjitë e tyre për zhvillimin e bizneseve.

Ata gjithashtu shtonin se ky ndryshim ishte në kundërshtim me vendet e BE-së që kanë në zbatim akcizën e diferencuar në mbrojtje të prodhuesve të vegjël.

Aryset se përse këto ndryshime do e rëndojnë më shumë situatën sipas tij janë të shumta.

Birra artizinale Puka

“Parimi i birrës, është si puna e supës. Supa e mirë bëhet me harxhe shumë, dhe në tenxhere të vogla.

Edhe birra artizanale njësoj. Do harxhe shumë të cilat qeveria harron se nuk i gjejmë në Shqipëri, as elbin, as malton, majanë e as produktet e tjera”, vijon Begeja duke shtuar se çmimet e tyre në tregjet globale janë rritur me 100% dhe kostot po bëhen të paamortizueshme.

Me këto çmime ai thekson që jo vetëm nuk mund të përzgjedhin se ku të marrin lëndët e para për të ruajtur karakteristikat individuale të produkteve por janë në kushtet kur shtrojnë pyetjen nëse do të mund të arrijnë të furnizohen.

“Qeveria në kushte të tilla duhe të bënte lëshime dhe jo të rriste akcizën. Për koston e një birre ajo fiton 64% por ne çfarë fitojmë? Jemi kthyer në rrogtarë ndërkohë që jemi prodhues dhe kemi një industri me një mekanizëm të gjerë pasi lëviz të gjithë ekonominë shqiptare sepse mban bar-et dhe restorantet.

Kështuqë me akcizën e rritur një shishe birrë do shtrenjtohet me 10% duke u detyruar ta shes në 300 lekë që për konsumatorin e varfër është e papërballueshme”, thotë ai për Gazetasi.al.

Mandej ai shton se edhe fakti që birrat artizanale zënë një vend të vogël në treg, do e rëndojë më tej situatën.

“Shtimi i fabrikave të birrës është i tepërt. Kosova ka 2-3, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë nga një ndërsa ne në Shqipëri kemi shtatë.

Fabrikat më të mëdha e kanë më të lehtë të përballojnë këto kosto ndryshe nga të vegjlit”, thotë ai.

Ky unifikimi i akcizës gjithashtu sipas tij do të favorizojë  shitjen e birrave të importit, pasi nga ana fiskale vendosen në kushte të pabarabarta me kompanitë e mëdha të importit, që kanë mundësinë të lidhin kontrata afatgjata me çmime për lëndët e para nga 20% deri në 25% më të ulëta.

 Për rrjedhojë prodhimi vendas do të humbë konkurrueshmërinë e çmimeve të ulëta, duke rrezikuar falimentimin.

Të njëjtën gjë pohon për Gazetasi.al edhe Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Birrës.

Kryetari i Shoqatës së Birrës

“Jemi i vetmi vend në botë, që kemi 53-55% birrë të importit. Ndërkohë që në vendet e Ballkanit dhe vendet e botës nuk i kalon 3-4% birra e importit.

Kjo tregon se investitorët e huaj kanë gjetur një klimë biznesi relativisht të mirë dhe çmime dhe taksa relativisht mesatare ose të ulëta, që të mund të vijnë. Ndryshe, po i rritëm taksat e birrës dhe po i shkëputëm këto diferenca ndërmjet birrave të importit ne besojmë në mënyrë absolute se do të falimentojmë në mënyrë të plotë”, tha ai.

Rritja e çmimit tek konsumatori final, sipas tij do të ulë shitjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë