Ngjarje

Akademia e Shkencave; Kronika e një reformimi ende të panisur


Nga Suadela Balliu -Sa herë ndërrohen qeveritë, rithemelohet Akademia dhe Akademinë e re  e “zgjedh” qeveria. Kjo praktikë është e papajtueshme dhe e papranueshme, do të shprehej Skënder Gjinushi, pas mbledhjes  që Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi paraditen e 10 janarit, në sallën Aleks Buda. Ishin dhjetë anëtarë të Akademisë që, me anë të një shkrese drejtuar   Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave, tri javë më parë, kërkuan mbledhjen, e cila u zhvillua ditën e enjte, e para edhe për këtë vit, për të shpallur datën e zgjedhjeve të Kryesisë dhe ngritjen e ngritjen e komisionit zgjedhor,  që do të administrojë procesin e shpalljes, kritereve, paraqitjes së platformave dhe të votimit të kandidatëve. Urgjenca e kësaj mbledhjeje dhe caktimi i një date zgjedhjesh, vjen edhe për shkak se në fund të shkurtit mbaron mandati i sekretarit të përgjithshëm, rol i mbajtur nga akademiku Vasil Tole,  duke bërë që Akademia e Shkencave të mbetet pa të drejtë firme, kur prej një viti e gjysmë  nuk ka as kryetar e as zv/kryetar, pasi Gudar Beqiraj dhe Muzafer Korkuti, në fund të vitit 2017, dhanë dorëheqjen. Mbledhja e 10 janarit miratoi, e kërkuar nga vetëm dhjetë anëtarë prej tridhjetëve  që janë me të drejtë vote, ngritjen e komisionit të zgjedhjeve të Akademisë së Shkencave, që përbëhet nga tre anëtarë; akademikët  Neki Frashëri, Shaban Sinani dhe Jani Vangjeli. Ishin këta anëtarë që vendosën si kryetar të këtij komisioni Jani Vangjelin. Ajo që ka trazuar ujërat edhe e ka rikthyer edhe një herë në qendër debatin rreth Akademisë së Shkencave, si dy vjet më parë kur kryeministri Edi Rama deklaroi se pa reformim nuk do të kishte asnjë para nga buxheti i shtetit , është se  ky komision për zgjedhjet në Akademi, është ngritur në një kohë kur Ligji për Reformën e Akademisë së Shkencave nuk është miratuar ende. Sipas Skënder Gjinushit, hartues i projektligjit që synon t’i japë fytyrë të re kësaj Akademie, është në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe se miratimi i tij do të përkojë edhe me zgjedhjet e reja. “Do të jetë në afatin e caktuar”, mjaftohet të thotë Gjinushi, si për të qetësuar se reformimi është tashmë fakt.  

Skender Gjinushi, ka qenë në krye rë grupit të punës për hartimin e projektligjit mbi reformimin e Akademisë së Shkencave

Në vendimin e Akademisë, ndër të tjera thuhet se Asambleja ka vlerësuar, duke e parë projektligjin pranë miratimit, që edhe data e zgjedhjeve të caktohet nga komisioni i ngritur, me të hyrë në fuqi ligji i ri. Gjinushi ka sqaruar se procesi zgjedhor nuk ka pësuar ndryshime dhe nëse ligji do të vonohet, zgjedhjet do të bëhen. Nga ana tjetër, akademiku Artan Fuga, i cili që para dy vitesh u shpreh hapur për gjendjen thuajse vegjetative të Akademisë dhe nevojën e menjëhershme të reformimit të saj, e ka cilësuar mbledhjen e 10 janarit puç institucional.

“Nuk u gjet asnjë elementë pozitiv, e pamë edhe njëherë dhe madje Fuga nuk dëshironte të ulej të diskutonte. Nuk ka asgjë që të mos jetë përfshirë në këtë projektligj” - Skënder Gjinushi

Sipas Fugës bëhet fjalë për një përpjekje, që ai e quan të shëmtuar, të një grupi për të rrëmbyer drejtimin e Akademisë, pa pritur reformimin e saj. “I njëjti grup njerëzish kërkojnë që të mbajnë peng Akademinë, duke i bërë sfidë pushtetit ekzekutiv, kryeministrit, komisionit parlamentar, të arsimit edhe edukimit, vetë ligjvënësit shqiptar, tërë shoqërisë shqiptare që pret reformimin”, do të shprehej Fuga, duke shtuar se ka komision zgjedhjesh, por jo  një datë për to. “Dihet edhe nga një budalla rrugësh që në fillim caktohet një datë zgjedhjesh pastaj komisioni i zgjedhjeve. Sepse përndryshe është njësoj si të caktosh dëshmitarët e një martese, por pa pasur datë martese”, shkruante pak ditë më parë Fuga, në faqen e tij të Facebook-ut. “Trimat e Akademisë të Shkencave nuk guxuan ta sfidojnë qeverinë, kryeministrin Rama, Presidentin Meta, komisionin parlamentar, etj, as ministren e arsimit zonjën Besa Shahini, sado që u gufmuan për ditë të tëra. Ikën me bisht në shalë.”  Fuga ka kritikuar Akademinë, që sipas tij prej dekadash, nuk kanë prodhuar asnjë punim shkencor.  Fuga nuk e ka kursyer ironinë duke e quajtur Akademinë e Shkencave, si Akademia e Gjinushit.

“I njëjti grup njerëzish kërkojnë që të mbajnë peng Akademinë, duke i bërë sfidë pushtetit ekzekutiv, kryeministrit, komisionit parlamentar, të arsimit edhe edukimit, vetë ligjvënësit shqiptar, tërë shoqërisë shqiptare që pret reformimin” -Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga e ka kritikuar mbledhjen e Asamblesë së Akademisë, si puç institucional

Ky i fundit, nga ana e  tij, e pa si inat i Fugës, i cili paraqiti në Ministrinë e Arsimit një projektligj për  reformimin e Akademisë, por që sipas Gjinushit, nuk sillte asgjë më shumë se ai i propozuar më 2008-ën. Për Skënder Gjinushin, ligji dhe statuti i Akademisë është si i çdo akademie me standarde europiane.  Nëse për Artan Fugën grupi i punës me në krye akademikun Skënder Gjinushi ka hartuar një projektligj në mënyrë amatoreske, Gjinushi do të thoshte se prej tetë muajsh që projektligji është bërë publik nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe mbi projektligjin janë bërë konsultime për katër muaj rresht. Gjinushi, në një prej daljeve të tij në medie, do të thoshte se kryeministri Rama është shprehur  se është bërë një punë e mirë me projektligjin dhe se, është marrë në shqyrtim edhe platforma e Fugës për  gjetjen e ndonjë elementi pozitiv, për t’ia bashkëngjitur  projektligjit.  “Nuk u gjet asnjë elementë pozitiv, e pamë edhe njëherë dhe madje Fuga nuk dëshironte të ulej të diskutonte. Nuk ka asgjë që të mos jetë përfshirë në këtë projektligj”, do të thoshte Gjinushi, i cili ka bërë të ditur se pas zgjedhjeve në Akademi, projektligji do të miratohet së shpejti. “Presin, thonë, sa të aprovohet ligji i reformimit në Kuvend! Po ku e dinë këta që ligji në Kuvendin e Shqipërisë do të miratohet sipas projektligjit që ka përpiluar sipas qejfit të vet, në mënyrë autoritare dhe amatoreske, grupi i Skënder Gjinushit?”, shkruan nga ana tjetër Artan Fuga, i cili ka hedhur dyshimet se mund të jetë vetë Skënder Gjinushi,  që do të kandidojë për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Fuga e sheh projektligjin për reformimin si aleancë  mes Akademisë së vjetër – të përgjysmuar nga plakjet dhe e pareformuar, siç e quan ai – dhe vetë Gjinushit. “Ligja e re mund të fshijë shumë nga kolltukofagët që sot quhen zgjedhës ose mëtojnë të zgjidhen!Pas aprovimit të ligjës, ka vend të bëhet statuti i Akademisë të Shkencave sepse përndryshe nuk mund të bëhen zgjedhjet dhe, pas Statutit kanë vend të bëhen hyrjet e reja në Akademinë e Shkencave, pra të plotësohen vendet vakante”, thotë Artan Fuga. Por, shqetësimi i dhjetë akademikëve që e kanë kërkuar mbledhjen e 10 janarit ka qenë diskutimi nëse zgjedhjet do të bëheshin me ligjin e vjetër apo jo.

“Akademia është shumë prestigjioze, kërkon energji, dua një moment reflektimi.” - Vasil Tole

Vasil Tole, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe aktualisht sekretar i përgjithshëm i saj.

Një tjetër akademike, Floresha Dado ka ngritur shqetësimin se me mbarimin e afatit të sekretarit, Vasil Tole, fakti që Akademia do të mbetej pa të drejtë firme, do të nënkuptonte në një farë mënyre edhe shkrirjen e saj. Ajo që u kërkua ishte domosdoshmëria e zgjedhjeve të reja, edhe nëse miratimi i  ligjit  do të vononte. Për Artan Fugën, mbledhja e dhjetë akademikëve është bërë jo konform rregullave, sepse siç shpjegon ai, sipas statutit, anëtarët që thërrasin mbledhjen e Asamblesë duhet të jenë anëtar të asamblesë dhe sipas tij, jo të gjithë kanë qenë të tillë. “Nga 12 firmëtarët, së paku 6 prej tyre kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe disa,  edhe moshën e respektuar 80 vjeç. Si duket kanë harruar se nuk mund të firmosin më për të bërë ose  të mos bërë mbledhje Asambleje”, shkruante Fuga në Facebook-un e tij, ditën që në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, organizohej mbledhja e Asamblesë, e cila e miratoi komisionin e zgjedhjeve.  Për më tej, vijon Fuga, këshilli ekzekutiv i kryesuar nga sekretari Vasil Tole, i cili ka thirrur mbledhjen nuk ka kompetencë për të mbledhur asamblenë. I pyetur, nëse do të kandidonte sërish, Vasil Tole do të përgjigjej: “Akademia është shumë prestigjioze, kërkon energji, dua një moment reflektimi.” Përtej projektligjit që pritet të reformojmë Akademinë e Shkencave, grupi i punës i kryesuar nga Skënder Gjinushi, është marrë edhe me hartimin e Kodit të Etikës,  i cili pret gjithashtu miratimin e Kuvendit. Edhe për këtë Artan Fuga ka shprehur kundërshtitë, duke thënë se ligji nuk mund të jetë edhe kod etik. “Akademia e Shkencave që bëka “kthimet” e kodeve etike në norma ligjore, i jep vetes edhe të drejtën që në komisionin e lartë të etikës të ketë 3 anëtarë, pra pothuajse shumicën.  Çfarë konflikti interesi! Po plagjiaturën e akademikëve kush do ta vlerësojë?”

Ish- Kryetari i ASH, Gudar Beqiraj, i cili dha dorëheqjen në shtator të 2017-ës, pas ditë pasi u zgjodh kryetar.

Riciklimi i kryetarëve që çoi drejt reformimit

Më 4 shtator të vitit 2017, ishin edhe zgjedhjet e fundit ku Asambleja e Akademisë së Shkencave votoi për kryetarin dhe nënkryetarin. Nga thirrja e hapur, ata që paraqitën kandidaturat për postet ishin njerëzit që edhe mbanin atëkohë detyrat e kryetarit dhe nënkryetarit, ku kryetari i Akademisë Muzafer Korkutaj aplikonte për t’u zgjedhur si nënkryetar dhe nënkryetari Gudar Beqiraj paraqiste kandidaturën për postin e kryetarit të  Akademisë së Shkencave. Zgjedhjet u bënë dhe, dy kandidaturat e vetme,  u zgjodhën në postet përkatëse. Një procedurë që zgjaste me të njëjtën formulë, duke ricikluar të njëjtët njerëz prej mëse pesëmbëdhjetë vitesh, në të njëjtat poste.

“Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend të jepja dorëheqjen. Isha zgjedhur brenda rregullave të përcaktuara dhe nuk kisha asnjë dilemë” - Gudar Beqiraj

Kjo ndezi debatet, duke e çuar kryeministrin Rama të thoshte se nuk do të kishte para nga buxheti i shtetit për 2018-ën, nëse Akademia e Shkencave nuk do të reformohej, duke i quajtur zgjedhjet një farsë. Pak ditë pas zgjedhjeve, kryetari dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhanë dorëheqjen. Beqiraj do të shprehej më vonë në medie, se dorëheqja i ishte kërkuar nga presidenti Ilir Meta. “Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend të jepja dorëheqjen. Isha zgjedhur brenda rregullave të përcaktuara dhe nuk kisha asnjë dilemë”, do të shprehej ish-kryetari, duke shtuar se iu bind sugjerimit të presidentit të Republikës. “Nuk mund të merrja unë koston e asgjësimit të Akademisë”, do të thoshte atëkohë Beqiraj, i cili kishte qenë kryetar i Akademisë edhe më herët, nga periudha 2009 deri më 2014-ën, pas kryeministri Rama paralajmëroi veç prerjes së fondeve edhe marrjen e godinës.

Ish-nënkryetari i ASH, Muzefer Korkuti.

 Rama nuk do t’i kursente kritikat, duke e cilësuar akademinë, që dikur kishte qenë xhevahiri i kurorës shqiptar në kufomë të vetes, duke mos përfaqësuar vizionin e etërve themelues. Edhe nënkryetari i sapozgjedhur, në shtator të 2017-ës, Muzafer Korkutaj, do të jepte dorëheqjen dyzetetetë orë pas zgjedhjes së tij. Të dy akademikët, që kishin këmbyer postet me njëri-tjetrin, konform ligjit siç do të cilësonin ata, e lanë të kuptohej dorëheqjen e tyre si sakrificë për të shpëtuar Akademinë e Shkencave, e cila u gjend përballë toneve kërcënuese të kryeministrit. Një nga zërat e fortë kritikë, që e bëri të ditur gjendjen në të cilën ndodhej Akademia e Shkencave, ishte akademiku Artan Fuga, i cili i dërgoi asokohe një letër të hapur kryeministrit Edi Rama. Fuga gjithashtu paraqiti publikisht edhe platformën e tij sesi duhej bërë reforma e Akademisë. Me dorëheqjen e kryetarit dhe të nënkryetarit, ishte Asambleja e Akademisë, e cila caktoi grupin e punës që do të hartonte reformën, kryesuar nga Skënder Gjinushi. Më 22 dhjetor të 2017-ës, do të merrej edhe vendimi i procesit të reformimit, ndërsa projektligji u bë publik në pranverë të vitit të kaluar e që pritet të hyjë në fuqi, së shpejti, siç edhe është shprehur kreu i punës hartuese mbi reformën, Skënder Gjinushi.

Fuga vs. Gjinushi: Beteja e platformave

Në projektligjin prej  27 nenesh,  paraqitur nga grupi i punës, kryesuar nga Skënder Gjinushi e që pritet të  miratohet nga Kuvendi,  përtej strukturës  dhe rolit të Akademisë, është përcaktuar  vlefshmëria, pajtueshmëria dhe ndërprerja e mandateve, ku kriteri i moshës për anëtarët e Asamblesë, nuk duhet t’i kalojë 65 vitet. Anëtarë  të asamblesë nuk mund të jenë njerëz që ushtrojnë funksionin e drejtuesit në institucionet kushtetuese a në partitë politike  e as nuk mund të zgjidhen anëtarë kryesie personat që kanë detyra të larta drejtuese, shtetërore ose në partitë politike. Ndërsa ndërprerja e mandateve të anëtarëve të Akademisë përveç rasteve të  dorëheqjes, ndodh për shkak të komprometimit të rëndë të figurës së akademikut, për shkelje të “Kodit të etikës së kërkimit shkencor” ose për shkaqe të parashikuara në ligj me vendim të Asamblesë, të marrë me shumicë absolute apo edhe për arsye madhore  natyrale personale. Kryesia e përbërë nga kryetari, nënkryetari,  sekretari dhe drejtuesit e seksioneve do të zgjidhen  çdo katër  vjet, përveç sekretarit të Akademisë që zgjidhet çdo 5 vjet dhe të gjithë kanë të drejtë rizgjedhjeje deri në dy mandate. Mandati i anëtarit të kryesisë ndërpritet veç rastit kur jep dorëheqjen apo plotëson një nga kushtet për heqjen e mandatit si anëtar, edhe kur kalon moshën 75 vjeç.

Godina e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Me qëllim inkurajimin e  veprimtarisë kërkimore-shkencore të kërkuesve të rinj dhe për vendosjen e një ure komunikimi dhe promovimi me ta, projektligji i ri ka parashikuar   Akademinë  e të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë. Akademia e të rinjve ka deri në 20 anëtarë, të zgjedhur nga radhët e kërkuesve të rinj me gradën “Doktor”. Mandati si anëtar është 4–7 vjet dhe ndërpritet në moshën 42 vjeç. Sipas Gjinushit, pas miratimit të ligjit, do të ketë një Akademi më të  hapur, me pranime cilësore dhe që do të përfshijë  me përparësi në programin e saj propozimet e qeverisë.  Pranimet, do të sqaronte Gjinushi më tej projektligjin e tij, nuk do të jenë më monopol i Asamblesë.  “Sepse njeriu akademik bëhet nga meritat edhe nga puna e vet. Këtë punë e ushtron në qendrën kërkimore apo mësimore apo të dyja së bashku”, do të thoshte ai, duke mos anashkaluar filtrin përmes të cilit do të bëhen pranimet në Akademi.  Kodi i Etikës, sipas Gjinushit do të jetë një lloj vetingu, që do të shoshitë cilësinë e akademikëve dhe do  mbrojë nga plagjiatura.

Nga e majta, Korkuti, Beqiraj dhe Tole, të cilët deri më 2017 ishin anëtarët e kryesisë së ASH, në postet e kryetarit, nënkryetarit dhe sekretarit. Mandat i Toles mbaron më 20 shkurt 2019.

Ndërsa Artan Fuga, do t’i propozonte më 2017-ën kryeministrit Edi Rama një reformim përmes rithemelimit, duke formuluar një statut të ri,  pranime të reja, riorganizim dhe platformë e re pune. Sipas Fugës nuk mund të kryhen zgjedhje të reja, pa u bërë më parë reformimi. “Në fillim reformim, prurje të reja pastaj zgjedhje”, do të shprehej Fuga, i cili do të shtonte se pas procesit të reformimit, edhe kjo në bazë të një statuti tëri, të bëhej edhe rinovimi i Asamblesë me prurje të reja. “ Unë nuk kuptoj që një akademik të jetë akademik nëse ai nuk është aktiv në një grup kërkimi apo në një grup universitar që kontribuon brenda dhe jashtë vendit dhe pastaj pas prurjeve të reja dhe rinovimit të asamblesë të bëhen zgjedhjet. Me këtë akt Akademia e Shkencave të konsiderohet e reformuar”, do të shprehej Fuga. Sipas tij, akademiku del në pension, kur pensionohet edhe si profesor. “Në institutet e sotme shkencore edhe në universitete ku aktualisht zhvillohen puna shkencore, kryesisht e integruar në grup edhe jo vetëm, këta kërkuesit shkencorë edhe profesorët në Shqipëri jo vetëm dalin në pension në moshën 65 vjeç, por vazhdojnë të jenë anëtarë të akademisë deri në moshën 75 vjeç. Pra 7-8 vitet e fundit akademiku, anëtari i asamblesë nuk është më i integruar në punën shkencore", thoshte Fuga, i cili në platformën e tij, që Gjinushi do ta cilësonte si një platformë pa ndonjë element pozitiv, nga  një Akademi me një grup të vogël njerëzish që nuk japin e marrin me shoqërinë, të krijoheshin së paku 100 vende, edhe me akademikë korrespodentë, duke u nisur nga praktikat botërore, në mënyrë që akademiku korrespodent të ketë mundësinë të bashkëpunojë me pushtetin ekzekutiv dhe me shoqërinë, për strategjitë e kërkimit shkencor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë