Nga Gazeta ‘Si’- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive po ngre një sistem të ri kontrolli të zyrtarëve, të njohur si “red flags”, pra “flamur të kuq” për shkelje të dyshuara.
Sistemi “Red Flags” bazohet në identifikimin e treguesve që mund të sinjalizojnë parregullsi në deklarimet e pasurisë. Këta tregues mund të përfshijnë rritje të menjëhershme të pasurisë që nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara, shlyerje kredish pa burime të qarta financiare, transaksione të shumta në cash, mospërputhje mes deklarimeve dhe të dhënave nga institucione të tjera publike apo lëvizje pasurish te persona të lidhur.
Gjatë vitit 2025, ILDKPKI administroi 4.486 deklarata pasurie dhe interesash private dhe kaloi në kontroll të plotë 655 subjekte deklaruese, përfshirë deputetë, kryetarë bashkish, prokurorë, drejtues institucionesh publike dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
Si rezultat i verifikimeve, institucioni referoi 16 raste pranë organeve ligjzbatuese, ndërsa vendosi dhjetëra masa administrative për shkelje të legjislacionit. Konkretisht, u aplikuan 34 gjoba për mosdorëzim ose dorëzim me vonesë të deklaratave, 15 gjoba për shkelje të rregullave të konfliktit të interesit dhe 33 gjoba për deklarime të pasakta ose të paplota të interesave private.
Sipas raportit, treguesit e kontrollit dhe sanksioneve për vitin 2025 klasifikohen në nivel “të lartë” sipas standardeve të OECD, duke reflektuar një intensifikim të mekanizmave të monitorimit dhe ndëshkimit administrativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje