Menaxhim

Kriza energjetike nga lufta në Iran – Shqipëria mes vendeve më të mbrojtura, Kosova ndër më të ekspozuarat

Lufta në Iran, e nisur nga Izraeli dhe SHBA më 28 shkurt 2026, po shndërrohet në një krizë me pasoja të gjera për sigurinë, energjinë dhe ekonominë e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ndërsa përplasjet ushtarake zhvillohen larg Ballkanit, rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonomitë e rajonit, analizon Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike.

Sulmet ndaj objekteve energjetike në Gjirin Persik dhe bllokimi pothuajse i plotë i Ngushticës së Hormuzit kanë shtyrë lart çmimet globale të naftës dhe gazit. Sipas analizës, vendet që varen më shumë nga importet energjetike janë më të rrezikuara nga pasojat ekonomike të konfliktit.

Në këtë panoramë, Shqipëria renditet mes vendeve më pak të ekspozuara në rajon. Gjatë periudhës 2006-2025, varësia e saj nga importet e produkteve minerale dhe hidrokarbureve ka qenë rreth 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nga nivelet më të ulëta në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Estonia dhe Rumania.

Ndryshe paraqitet situata në Kosovë, e cila renditet ndër ekonomitë më të varura nga importet energjetike. Sipas studimit, deficiti tregtar në produktet minerale arrin mesatarisht rreth 8% të PBB-së, duke e vendosur Kosovën pas Moldavisë dhe ndër vendet më të prekshme ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare të energjisë.

Analiza thekson se, në rast të një konflikti të zgjatur në Lindjen e Mesme, ekonomitë me varësi të lartë nga importet e energjisë do të përballen me presione më të forta inflacioniste, kosto më të larta për bizneset dhe përkeqësim të balancave tregtare.

Pas Kosovës, ndër vendet më të ekspozuara renditen Moldavia me rreth 11% të PBB-së, si dhe Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me afërsisht 7%. Në anën tjetër, Shqipëria, Rumania dhe Estonia mbeten ekonomitë me ekspozimin më të ulët ndaj importeve të produkteve minerale.

Studimi vëren gjithashtu se shumica e vendeve të rajonit kanë bërë përparim në uljen e varësisë energjetike gjatë dy dekadave të fundit. Performancat më të mira janë regjistruar në Slloveni, Rumani, Serbi, Ukrainë dhe Moldavi, të cilat kanë reduktuar ndjeshëm varësinë nga importet e hidrokarbureve.

Megjithatë, autorët paralajmërojnë se lufta në Iran po shton një tjetër goditje të madhe për rajonin, në një kohë kur ekonomitë europiane ende po përballen me pasojat e luftës në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë energjetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë