Analize

A po përballemi me valën e dytë të koronavirusit?

Në mes të majit, kur Shqipëria, si shumë vende të tjera, vendosi të dilnin nga izolimi, dukej sikur koronavirusi më në fund po “mposhtej”. Numri i rasteve të reja, të cilat erdhën duke u rritur përgjatë marsit dhe prillit, po binte dita-ditës. Bizneset hapën dyert, mijëra qytetarë u rikthyen në punë, ndërkohë që shumë të tjerë filluan të planifikonin pushimet verore. Për një moment, duket sikur gjithçka po shkonte drejt normalitetit. Por, siç edhe kemi kuptuar ditët e fundit, normaliteti duket ende larg.

Disa javë pas daljes nga karantina, numri i rasteve të reja është rritur më shumë se gjatë izolimit, duke shtuar frikën se mund të ndodhemi tanimë në një valë të dytë.

Në tre ditët e fundit Shqipëria ka pasur më shumë se 200 të infektuar dhe burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë i thonë Gazetës "Si" se virusi është përhapur në të gjitha zonat kryesore të Tiranës. Fqinjët tanë nuk janë më mirë. Maqedonia e Veriut shpalli gjendje të re emergjence dhe ka arritur tanimë një rekord prej gati 220 të infektuarish në ditë, ndërkohë që Kosova vetëm dje kishte 125 raste të reja. Qeveria e re e Kosovës raportohet se është duke konsideruar vendosjen sërish në karantinë të Prishtinës.

Edhe ai që ishte cilësuar si vendi i vetëm në botë që kishte mposhtur koronavirusin, Zelanda e Re, raporton dy raste të reja pas 24 ditësh pa asnjë të infektuar. Ndërkohë, Pekini është goditur po ashtu nga rikthimi i epidemisë me 106 raste të reja në vetëm tre ditë. Qeveria kineze ka ndaluar tani njerëzit me rrezikshmëri të lartë të largohen nga kryeqyteti dhe ka ndaluar disa shërbime transporti për të frenuar përhapjen e koronavirusit në qytete dhe provinca të tjera.

Por me të njëjtin rrezik duket se po përballen edhe shumë vende europiane. Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Gjermani u rrit me 378 raste, për hërë të parë në tri javë. Një rritje të lehtë të rasteve po sheh edhe Austria, Belgjika, Danimarka, Polonia dhe Zvricra. Turqia ndërkohë, edhe pse po bëhet gati për të pritur turistë, po përballet prej pesë ditësh me më shumë se 1000 mijë raste të reja çdo ditë.

Pekin

Kjo rritje e frikshme e rasteve të reja ka bërë që shumë ekspertë të pyesin nëse po përballemi me valën e dytë të pandemisë që tani dhe jo në vjeshtë, kur ishte parashikuar?

“Ajo që ne po shohim është një valë e dytë," thotë Dr. Jim Chirico, ekspert i sëmundjeve infektive në Otava të Kanadasë. "Kemi ende shumë pyetje pa përgjigje. Askush nuk e di nëse kjo valë do të jetë më e rëndë, ose më e lehtë”.

"Disa nga modelimet kanë parashikuar që vala e dytë mund të ndodhë në vjeshtë, konkretisht në tetor. Kjo është ajo që disa prej ekspertëve kanë parashikuar. Por duke parë rritjen e të infektuarve në Kanada, por edhe SHBA mund të themi me siguri se kjo valë mund të godasë shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar", thekson eksperti.

"Një valë e dytë nënkupton që vala e parë është zhdukur dhe rishfaqet," thotë nga ana tjetër Loren Lipworth, një epidemiologe në Qendrën Mjekësore Universitare të Vanderbiltit, në SHBA. "Të gjitha vendet në përgjithësi po përballen me një rritje ose rishfaqje të virusit, edhe atje ku ishte zhdukur”.

Ajo parashikon që shumica e vendeve të kenë një rritje të lehtë të rasteve përgjatë gjithë verës, pa u zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme, për t’u rritur edhe më shumë në vjeshtë.

“Këto raste pritet të rriten edhe më shumë këtë vjeshtë me fillimin e sezoni të gripit. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se do përballemi atëherë me një valë e dytë. Ne mund të jemi tani në fillimin e saj, dhe mund ta shohim kulmin gjatë vjeshtës apo dimrit”, thekson Lipworth.

Shkencëtarët mund të bazojnë parashikimet vetëm në pandemitë e kaluara, siç është pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918. Vala e parë e këtij virusi ishte në korrik, kur viruset e gripit në përgjithësi nuk përhapen lehtë për shkak të temperaturave më të larta dhe për shkak se njerëzit zakonisht kalojnë më shumë kohë në diell.

Turqi

Kjo valë ra gjatë gushtit dhe shtatorit, por numri i të infektuarve u rrit në tetor dhe nëntor të vitit 1918, kur edhe filloi vala e dytë. Kthimi i sëmundjes erdhi kryesisht për shkak të nënvlerësimit të autoriteteve për rëndësinë e virusit dhe lejimin e mbledhjeve të mëdha publike.

Në të vërtetë, mundësia për t’u përballur me rritje më të madhe të rasteve me Covid-19 gjithashtu do të varet nga ndërgjegjësimi i vetë qytetarëve.

"Nëse njerëzit nuk ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë maska është normale që do të kemi më shumë raste”, thotë Chirio.

Cfarë pritet të ndodhë
Perspektiva e një vale të dytë të epidemisë së koronavirusit në të gjithë Europën nuk është një teori e largët as sipas drejtoreshës të agjencisë së BE-së për kontrollin e sëmundjeve, e cila ka qenë këto kohë përgjegjëse për këshillimin e qeverive.

“Duke parë karakteristikat e virusit, duke parë të dhaant që dalin tani nga vendet europane përsa i përket imunitetit të popullatës, i cili është midis 14% dhe 25%, virusi është rreth nesh, duke qarkulluar shumë më tepër se janar dhe shkurt … Mendoj se duhet të jemi realist. Kjo nuk është koha për t’u relaksuar plotësisht”, thotë Andrea Ammon.

Ndërkohë një ekip i ekspertëve të lartë amerikanë thotë në një raport drejtuar Shtëpisë së Bardhë se epidemia e koronavirusit ka të ngjarë të vazhdojë përhapjet për dy vjet, derisa 60% në 70% të popullatës të jetë infektuar.

Ata i rekomanduan SHBA-së që të përgatitej për një skenar të rastit më të keq që përfshin një valë të dytë, më të madhe të epidemisë së koronavirusit që do ta ketë kulmin në dimër.

Sipas tyre ka tre skenarë të mundshëm:

Skenari 1: Vala e parë e Covid-19 në pranverën e vitit 2020 pasohet nga një seri valësh të vogla përsëritëse që ndodhin gjatë verës dhe më ka disa valë të lehta gjatë një periudhe një deri në dy-vjeçare derisa pandemia do të shuhet në vitin 2021.

Skenari 2: Vala e parë e Covid-19 pasohet nga një valë më e madhe në vjeshtë ose dimër dhe nga disa valë më të vogla në vitin 2021. “Ky model do të kërkojë rikthimin e masave kufizuese në vjeshtë në përpjekje për të zvogëluar përhapjen të infeksionit dhe parandalimin e mbingarkimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor”, thonë ekspertët. “Ky model është i ngjashëm me atë që u pa me pandeminë e viteve 1918-19”.

Skenari 3: Një përhapje e ngadaltë e pandemisë në vazhdim. Ky skenar i tretë ka të ngjarë të mos kërkojë rivendosjen e masave kufizuese, megjithëse rastet dhe vdekjet do të vazhdojnë të ndodhin.

“Shtetet duhet të përgatiten për skenarin 2, skenarin më të keq”, rekomandojnë ekspertët.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë