Keshilla

A duhet ta fikim kompjuterin natën?

Nga Gazeta 'Si' - Një sondazh i kryer nga Panda Security, një kompani që prodhon një nga programet antivirus më të njohur në botë, zbuloi se vetëm 37 për qind e përdoruesve e fikin kompjuterin e tyre çdo natë para se të shkojnë në shtrat, krahasuar me 63 për qind që e lënë ndezur.

Edhe pse kjo e fundit në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që e vendosin atë në gatishmëri (standby), në gjumë (sleep), dhe të tjerë që e lënë në gjendje letargjie (hibernation). Por ka edhe nga ata - deri në 23 për qind - që e mbajnë hapur gjatë gjithë kohës, duke shkaktuar kështu një sërë problemesh.

Por cili është ndryshimi midis fikjes së pajisjes deri të nesërmen në mëngjes, dhe lënies së tij të ndezur në një nga variantet e listuara më lart? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne kemi pyetur profesor William Fornaciari, profesor i sistemeve të ngulitura në Universitetin Politeknik të Milanos.

Jo gjithmonë ndezur

Le të nisim analizimin e kësaj çështje duke u nisur nga një supozim: mbajtja e kompjuterit të ndezur gjatë natës, pra praktikisht duke mos e fikur asnjëherë, është diçka që nuk këshillohet. Kjo për arsye të konsumimit, funksionalitetit por edhe të sigurisë kibernetike.

“Përveç kursimit në faturën e energjisë, fikja e kompjuterit e zgjat jetën e komponentëve elektronikë të kompjuterit, të cilët i nënshtrohen një forme ‘plakjeje’ e ndikuar kryesisht nga temperatura e tyre e funksionimit”- shpjegon profesori.

Në fakt, një kompjuter mund të konsumojë nga 100-500 vat në orë (nëse keni për shembull, monitorë të mëdhenj dhe një mikroprocesor të shpejtë). Ndërkohë një laptop harxhon nga 20 në 60 vat në orë. Duke e cilësuar si të papërshtatshme idenë e mbajtjes së kompjuterit gjithmonë të ndezur, mbeten për t’u hetuar disa hipoteza të tjera midis modaliteteve të gatishmërisë, gjumit dhe letargjisë, të cilat kanë një konsum midis 1-5 dhe 0 vat në orë.

Tre lloje pushimi

“Vendosja ne gjendje gatishmërie (standby) rekomandohet nëse jeni larg tij për disa minuta. Ndërsa gjendja e gjumit (sleep) dhe letargjisë (hibernation), janë mënyra të dobishme nëse jeni larg shtëpisë për disa orë”, shton profesori Fornaciari.

“Por dallimi është se duke e vendosur atë në gatishmëri, aktiviteti i procesorit ngadalësohet, por memoria RAM - e cila do të vazhdojë të përmbajë sistemin operativ dhe programet e ekzekutimit të komandave - mbetet e ndezur për të lejuar një rinisje më të shpejtë të punës.

Ndryshe është zgjedhja e modalitetit të ‘gjumit’ (sleep), me një konsum minimal, sepse vetëm në këtë rast mbeten aktive disa funksione të RAM-it, të cilat do të përmbajnë në këtë rast një lloj “fotografie” të gjendjes së sistemit.

Së fundi, opsioni i ‘letargjisë’ (hibernation), ka të bëjë me lënien ndezur vetëm të një mikro-baterie sa për të mbajtur aktive orën, pasi ‘fotografia’ e sistemit rruhet në hard disk. Ai mund të mbetet pa energji, duke eliminuar konsumin e energjisë, por duke e shtuar me disa sekonda momentin e rinisjes së aktivitetit të plotë të kompjuterit”- thekson ai.

Në thelb, përdorimi i këtyre mënyrave të pezullimit të punës, mund të përkthehet në disa kurimesh në para  në vit në faturën e energjisë “edhe pse llogaritet se konsumi i të gjitha pajisjeve në modalitetin “stanby” në botë është rreth 10 për qind e totalit”, saktëson profesori.

Është më mirë ta fikni

Duke analizuar këto të dhëna, zgjedhja nëse kompjuteri do të jetë i ndezur apo i fikur gjatë natës, varet kryesisht nga përdorimi i tij. Si rregull, nëse nuk e përdorni si server, nëse nuk jeni duke bërë një kopje rezervë apo një përditësim të sistemit, apo s’keni nevojë ta keni qasje në të nga distanca, është më mirë të fikni kompjuterin për të ruajtur të dhënat e ndjeshme në të.

Por edhe që komponentët e tij të pushojnë disi. “Jo vetëm kaq. Programet që përdorim çdo ditë nuk janë të dizenjuar në mënyrë perfekte. Ndaj sa më gjatë ta mbani kompjuterin të ndezur, aq më shumë rrezikoni nga keq-funksionimet apo defektet. Fikja e tij të paktën një herë në 2-3 ditë, është një zakon i mirë për të shmangur problemet dhe defektet”- thekson profesori.

Burimi: Focus It/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë